Nga Pinterest te panairet italiane: Si ndërtoi Arjola një komunitet rreth artit handmade - Business Magazine Albania

Nga Pinterest te panairet italiane: Si ndërtoi Arjola një komunitet rreth artit handmade

Nga Fatima Gorezi

Në një botë ku gjithçka po shkon drejt shpejtësisë dhe konsumit të menjëhershëm, Arjola Begaj Kuli, krijuesja pas “Nura’s Collection”, ka zgjedhur të ndërtojë ngadalë, me durim dhe dashuri, një oaz kreativiteti dhe drite. E nisi nga duart e saj, mes netëve të gjata të dimrit dhe fëmijëve të vegjël që e bënin mëmësinë një aventurë të bukur, por intensive. “Nura” lindi si një nevojë shpirtërore, një arratisje nga rutina për të krijuar diçka që ngjall bukuri, qetësi dhe prekje personale. Nga një faqe modeste në Instagram te një komunitet mbështetës dhe ekspansion përtej detit në Itali, Nura’s Collection është më shumë se një identitet: është një histori dashurie për të bukurën, një histori përkushtimi dhe transformimi. Në këtë intervistë të sinqertë, Arjola na flet për rrugëtimin e saj si mompreneur, për sfidat dhe magjinë e punëve handmade, si dhe për mënyrën se si arti mund të jetë formë paqeje për shpirtin.

Si  lindi Nura’s Collection? Çfarë vizioni kishe në mendje?

Faqja lindi në dimër të 2018-ës. Ato mbrëmjet e gjata të dimrit që nuk doja ti kaloja para televizonit dhe rinisa të qëndis e të punoj shtiza, punime dore që i kisha mësuar që fëmijë. Atë kohë kisha dy djemtë e mëdhenj akoma të vegjël 2.5 vjeç dhe 1.5 vjeç dhe kujdesesha për ta gjatë gjithë kohës. Pas lejës së lindjes, ndërkohë që kërkoja punë në profesion doja diçka që të merresha që të kishte një produkt final, diçka të prekshme pasi e dimë që ne mamat në shtëpi bëjmë gjithë ditën punë dhe në fund asgjë nuk duket! E kështu teksa kërkoja modele e frymëzim në Pinterest për qëndismat më zë syri disa punime me gurë që në Shqipëri nuk i kisha parë ende në atë format. Një mikesha ime e ngushtë duke parë punimet e mia më thotë pse nuk hap një faqe dhe të shesësh nga Instagram-i. Unë ato kohë as nuk e dija mirë sesi funksiononte Instagram-i. Ajo ma hapi faqen madje mbaj mënd që më pyeti për emrin. Unë zgjodha Nura sepse Nur do të thotë dritë, bukuri. Unë doja që faqja ime të ishte si një oaz paqeje dhe të ishte për të gjithë, jo vetëm për ato që do kishin nevojë për produktet e mia. Kështu lindi gjithçka. Në 18 shkurt u hap faqja dhe në 1 mars kam marr porosinë e parë dhe nga aty nuk u ndala më. Mund të them që duke qënë një risi pati shumë interes dhe nga media dhe vetëm 4 muaj pas hapjes kam nisur të jap intervistat e para dhe aty u zbulua edhe identiteti im, sepse deri atëherë nuk dihej kush qëndronte pas Nura’s Collection. Nëse në fillim kam pasur ndonje model interneti tani në faqe çdo gjë është e krijuar nga unë. Pastaj kur u zhvendosa në Itali në 2019-ën lindi nevoja për një faqe të dytë dhe kështu lindi Nura.it . Faqja vjen tërësisht në gjuhën italiane dhe është një vazhdimësi e Nura’s Collection përtej detit. Normalisht është pasuruar e shtuar me produkte të tjera ndër vite.

Si është të bësh biznes në internet, online? Cilat janë sfidat?

Fatmirësisht unë s’e kam menduar kurrë si biznes të mirëfilltë, por si një mënyrë për të monetizuar hobby-n tim. Nuk e kam pasur asnjëherë si të ardhur kryesore. Shumë pak kohë pasi është hapur faqja kam nisur punë part-time dhe pastaj edhe full-time dhe faqja ka qënë thjesht një mënyrë për tu shkëputur nga lodhja, rrëmuja, zhurma e ditës. Ka qënë një moment relaksi për mua dhe vazhdon të mbetet e tillë. Fatmirësisht edhe shteti ta lejon këtu në Itali kështu që jam falenderuese edhe për këtë. Fakti që nuk e kam parë kurrë si biznes të mirëfilltë më ka bërë që të mos e kem peshën e obobo po nuk shita? Obobobo si do ja bëj po nuk bëra këtë total të ardhurash, por e kam parë si një mënyrë ndërlidhjeje dhe me persona që kanë të njëjtat interesa me mua dhe që ju pëlqen puna handmade. Për këtë kam mbledhur rreth vetes persona shumë të dashur dhe me një botë të bukur dhe Nura’s Collection ka komunitetin më suportues do të thoja. Pastaj përsa i përket sfidave të punës online: e para duhet të jesh gjithmonë on dhe gjithmonë inn. On sepse duhet të jesh aty për t’iu përgjigjur pyetjeve, porosive, klienti s’e ka mundësinë ta shohi ndaj do i nisësh gjithmonë foto e video para, gjatë dhe pas përfundimit të porosisë. Duhet të jesh gjithmonë inn me ndryshimet dhe update-t që kanë platformat. Duhet patjetër të vish me krijime të reja dhe që sjellin një frymë ndryshe pasi bëhesh i mërzitshëm nëse sjell të njëjtat gjëra pafundësisht dhe duhet patjetër të punosh me marketingun e produkteve pasi marketingu është gjithmonë në ndryshim.

Lexo edhe: Kur dashuria për gjuhën bëhet inovacion, Kleida Peçulaj dhe platforma që ruan shqipen e fëmijëve në diasporë

Cilët janë klientët e tu tipikë, janë shqiptarë apo italianë? 

Klientet e mi tipike janë personat që e duan të bukurën dhe krijimtarinë dhe janë persona me një botë të madhe. Janë nga ata persona për të cilët e bukura nuk është perfeksion, por imperfeksion krijuar me shumë dashuri. Fillimisht ata që më kanë mbështetur këtu në Itali kanë qenë shqiptarë që e njihnin punën time që nga Shqipëria dhe kishin qënë klientë pastaj dhe gjithë rrethi i njohjeve që krijova. Nuk iu besohej që unë kisha një faqe Instagrami dhe shisja nëpërmjet saj. Akoma sa herë i ftoj të më ndjekin nëpër panaire më thonë paske shumë followers ndërkohë që mua më duken shumë pak (Qesh). Shumica e tyre janë italian dhe nëpër workshopet që kam 5 muaj që i zhvilloj janë shumica italian, por dhe të kombësive të ndryshme pasi siç e thashë ajo që i bashkon të gjithë te Nura është shpirti kreativ dhe dashuria për të bukurën, relaksin. Në faqet e mia mund të kënaqesh dhe pa qënë kurrë blerës. Shpesh marr komente të tipit, faqja jote është shplodhje pas një dite të lodhshme, ose na kujton Parajsën, je doza jonë e relaksit etj. Kjo është ajo që nuk ka të paguar më shumë sesa fitimet në vlerë monetare! Sepse është për mua fillimisht e tillë pra paqe, dashuri, relaks dhe e tillë ju shkon edhe atyre që më bashkohen mua në botën time.

 

Sot ka një koncept në botë të quajtur Mompreneur, që iu referohet grave që kujdesen edhe për familjen në shtëpi, por që njëkohësisht janë në krye të një sipërmarrjeje. Si ia del të ruash balancën pa cënuar punën dhe rolin tënd si nënë në shtëpi?

Kur u bëra mami unë isha në vitin e fundit Master. Madje kur jam diplomuar në tetor të 2015-ës kisha një fëmijë disa muajsh në krah dhe i dyti që po rritej brenda meje. Gjithmonë kam dashur të kem një familje të madhe dhe në momentin që djemtë erdhën në jetë ata u bënë prioriteti im. Pasi u rritën pak djemtë së bashku me punën e bukur që kisha nisur te Nura’s Collection nisa edhe të punoj në profesion full time si ekonomiste në privat dhe pastaj për 1 vit edhe në shtet para se të largoheshim për në Itali. Pas zhvendosjes në Itali, sa u ambientuam na u desh të mbylleshim në shtëpi për shkak të Covid bashkë me fëmijët dhe një punë jashtë shtëpisë as që e mendoja pasi nuk kemi asnjë person apo familjar që mund të na ndihmonte me fëmijët. Me ardhjen në jetë edhe të çunit të tretë, mëmësia u bë full time job 24/7 dhe krijimtaria një mënyrë për tu shkëputur pak, për tu mbushur me energji të reja, po pse jo dhe për një të ardhur shtesë për veten time. Me rritjen e tyre pastaj gradualisht u rrit edhe faqja, u rritën edhe panairët në të cilët jam bërë pjesë, porositë, eventet dhe s’ka lumturi më të madhe sesa ti bësh të gjitha bashkë pa u larguar përditë nga 8-9 apo edhe 10 orë nga fëmijët. Ka sfidat dhe vështirësitë e veta normalisht, por përpiqem çfarë kam punë në lidhje me faqen ti mbyll kur fëmijët janë në shkollë, kopësht dhe kur ata vijnë të përpiqem të jem sa më prezente fizikisht dhe mëndërisht. Balanca nuk është e lehtë, por siç e thashë fakti që kjo nuk është e ardhura kryesore që mban familjen ma bën shumë më të lehtë. Nëse jam e ngarkuar me aktivitetet e fëmijëve jam me pak aktive me punën dhe anasjelltas kur jam më e lirë me ta përpiqem të punoj pak më shumë. Shpesh më është dashur të punoj natën kur kam pasur porosi që duhet ti mbyll apo projekte për të cilat më duhet të përgatitem. Ti bësh të gjitha vet është e lodhshme prandaj marr dhe pauza herë pas here, sidomos gjatë verës që dhe fëmijët janë pushim nga shkolla dhe nga aktivitetet sportive. Krijojmë mënyra për të kaluar kohën sa më bukur bashkë, të krijojmë ekperienca dhe të rritemi së bashku si familje në dashuri dhe harmoni! Mompreneur është për gratë e forta, ato që nuk dorëzohen, ato që guxojnë fort dhe ato që e bëjnë çdo gjë nga dashuria dhe ju buron nga shpirti dhe jo nga sforco apo se duhet ta bëjnë diçka sepse të gjithë po e bëjnë.

A ke një mesazh për nënat që qendrojnë në shtëpi sesi mund të shfrytëzojnë mundësinë dhe aksesin në teknologji për të fituar të ardhura?

Për mamat kam vetëm një mesazh dashurie. Aty ku jeni, ajo që po bëni është e mrekullueshme, mos lejoni askënd t’ju thotë ndryshe dhe t’ju bëj të ndjeheni më pak. Dhe nëse do të dëshironi të ndiqni ëndrrat tuaja filloni nga pak çdo ditë; 15 minuta, 20 minuta, 30 minuta të punoni për t’i realizuar ato. Bëni një plan dhe ndajeni atë pak kohë në ditë për veten tuaj dhe në disa vite ndërkohë që fëmijët rriten dhe ju jeni rritur drejt qëllimit apo realizimit të ëndrrës suaj. Jeta fillon kur bëhesh mami dhe nuk mbaron. Për mua personalisht mëmësia ka qënë ai momenti që më ka treguar që mundesh për çdo gjë dhe mos lejo që rrethanat, kushtet, pamundësia të të bindin ndryshe. Këto të gjitha ia kam pëshpëritur vetes për një kohë të gjatë dhe meqë mu dha mundësia për këdo tjetër që do i lexoj këto fjalë. Çdo mami që po rrit fëmijën e saj, ti je duke bërë punën më të vështirë në botë pa pagesë, mundesh të bësh edhe çdo gjë tjetër që ia vendos vetes qëllim! Ama çdo gjë duhet të vij nga brenda dhe jo e imponuar nga jashtë. Fatmirësisht sot mundësia është nëpërmjet internetit dhe platformave të ndryshme të realizosh diçka për veten pa u sforcuar përtej mundësive.

Cila do të ishte një punë apo realizim i Nura’s që të bën më së shumti krenare?

Kjo është pyetja më e vështirë sepse të zgjedh një punim nga mijëra është me të vërtet e vështirë. Çdo punim është ndryshe në historinë që mbart, në ndjesitë, në mënyrën dhe kohën që krijohet prandaj çdo punim është unik dhe i veçantë dhe pse modeli mund të jetë i njëjtë, ngjyrat të njëjta prapë ka shumë gjëra të vogla dhe ndjesi, histori që e bëjnë unik. Punimet që i kam krijuar pa u bazuar askund, në asnjë model, në asnjë foto interneti, në asnjë ide të dikujt tjetër ato janë ato që unë i kam më përzemër. Psh. Kam krijuar një qiri bazuar në një nga pikturat e Van Gogh për një kliente që do t’ja dhuronte mikeshës së saj artiste që ishte e apasionuar pas punës së artistit, kam përdorur ngjyrat nga paleta e ngjyrave që ai ka përdorur dhe pse të themi realitetin nuk është një artist që mund ta arrish thjesht mund të frymëzohesh dhe për aromë kam përdorur të njejtat aroma që përdoren në muzeun që mban emrin e tij. Por padyshim kam shumë krijime për të cilat nuk do gjeni asnjë model interneti sepse kane lindur aty per aty nga biseda me klientët dhe nga kreativiteti i momentit. Siç janë kornizat për dentisët që lindi si një dhuratë mirënjohje ndaj mikeshës sime dentiste sepse sa herë shkoja asnjëhere s’ma merrte çmimin tamam (Qesh). Për ta përmbyllur mund të them vetëm që çdo porosi dhe krijim e trajtoj njësoj dhe lind nga një vend paqeje dhe dashurie dhe jo nga një detyrim për ta bërë. Lind nga ndjesi të tilla: a do ia arrijë ta suprizoj edhe këtë klient, a do kënaqet kur ta marr në duar, a do nderohet me këtë dhuratë? Preferoj mos ta bëj fare nëse nuk është kështu. Madje nuk e marr asnjëherë pagesën përpara se klienti e ka parë produktin final dhe e ka pëlqyer. Kjo që unë bëj mbart ndjesi, dashuri e vlera që shkojnë përtej çdo vlere monetare.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0