Ahh merresh me komunikim... po çfarë bën konkretisht? - Business Magazine Albania

Ahh merresh me komunikim… po çfarë bën konkretisht?


*Publikuar në LinkedIn nga Ilda Gjoka

Arsyeja e vetme që do të doja të mos isha pjesë e fushës së komunikimit është sepse nuk bën pjesë tek një nga ato profesionet që përshkruhen shkurtimisht si për shembull: mjek, jurist, ekonomist etj.

Bisedat kanë një tendencë të tillë zakonisht:

– “Çfarë profesioni keni?”

– “Punoj në fushën e komunikimit,” them dhe shtrëngoj dhëmbët në pritje të pyetjes së radhës, parashikimi i të cilës kurrë nuk dështon.

– “Po çdo të thotë saktësisht? Të pëlqen të komunikosh me njerëzit?”

Ajo që dua të them: “Hmmm jo. Komunikim nuk do të thotë që profesioni im është të flas me njerëzit. Çdo profesion përfshin komunikimin.

Ajo që në fakt them: “Komunikimi përfshin shumë gjëra. Komunikimi me persona të ndryshëm është pjesë e saj, por puna e përditshme përfshin përditësimet e faqes online, shkrimin e artikujve, marrja e pyetjeve të gazetarëve, gjenerimi i publikimeve, koordinimi i fushatave mediatike, etj.”

Komunikimi nuk bën pjesë tek profesionet e lehta dhe çdo kompani apo organizatë ka kërkesa të ndryshme për personin apo ekipin përgjegjës të komunikimit.

Vendet që kanë një ekip të tërë që merren posaçërisht me komunikimin kanë tendencë të jenë më të specializuar në fusha të tilla si: menaxhimi dhe mirëmbajtja e përmbajtjes dhe komunikimit, ose shkrimi i artikujve, apo menaxhimi i medias, prodhimi i materialeve të printuara. Por organizatat që nuk kanë buxhet për një ekip të tërë do të punësojnë një “Zyrtar për Komunikimin”, një “Koordinator të Komunikimeve”, ose një “Asistent për Komunikimin”, i cili do të bëjë gjithçka lidhet me komunikimin e institucionit/organizatës/kompanisë.

Menaxhimi i Faqes së Internetit

Për të menaxhuar përmbajtjen e një faqeje interneti duhen aftësi të specializuara. Ekzistojnë disa modele për menaxhimin e përmbajtjes, të cilat mund të përthithen lehtësisht nga të gjithë. Por, në të gjitha rastet duhet një profesionist që di se çfarë duhet thënë dhe çfarë jo, si edhe di të përshtasë sisteme të ndryshme në varësi të rastit. Është shumë e rëndësishme, që përmbajtja të ketë shprehje familjare për shumicën dhe që përmbajnë fjalë kyçe, me anë të së cilave gjendet në motorët e kërkimit. Por, përmbajtja duhet edhe të formatohet mirë dhe kjo kërkon aftësi e durim pasi sistemi i menaxhimit të përmbajtjes sigurisht që kalon në periudha të ndryshme kohore dhe nuk duhet të krijojë mospërputhje.

Ndodh ndonjëherë që disa biznese të kërkojnë ta ndryshojnë tërësisht mënyrën e menaxhimit të përmbajtjes. Profesionistët e vërtetë të komunikimit e realizojnë këtë proces në mënyrë të ngadaltë, natyrshëm dhe pa sforcime. Kjo kërkon komunikim intensiv nga ana e redaktorit të faqes me ekipin e menaxhimit, programuesit kompjuterikë dhe dizenjuesit. Për ta realizuar gjithë këtë projekt duhet punësuar medoemos një profesionist me eksperiencë.

Dikush që ka eksperiencë në menaxhimin e përmbajtjes së disa kompanive, por ka pak njohuri për kompaninë tuaj është më i përshtatshëm se dikush që e njeh shumë mirë fushën ku ju operoni, por nuk ka eksperiencë në menaxhimin e faqeve të ndryshme online. Kjo pasi njohja e “trukeve” në këtë rast është shumë e rëndësishme dhe përbën diferencë nëse po kërkoni një redaktor të mirë për faqen tuaj.

Shkrimi & Redaktimi

Kjo është padyshim pjesa ime e preferuar. Nuk ka diçka më shumë joshëse se dëshira për të luajtur me fjalët dhe mënyrat e ndryshme të përdorimit të tyre, duke ndryshuar apo gjetur kuptimet që marrin, të drejtpërdrejta apo figurative qofshin. Si shkrimi, ashtu edhe redaktimi lidhen me tekstin edhe pse janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Mund të të duhet të bësh njërën ose tjetrën në varësi të pozicionit momental të punës. Pothuajse të gjitha pozicionet që lidhen me komunikimin përfshijnë shkrimin e artikujve për faqe online, revista, katalogë apo njoftime për shtyp. Shumë herë të duhet të bësh redaktimin e tekstit në gjuhë të ndryshme ose thjesht një kalim të shpejtë përpara publikimit.

Rishikimi i materialeve bën që një profesionist komunikimi të dallojë. Sigurisht që ky nuk është një leksion që e merr në studimet universitare, por mënyra si i kushton rëndësi detajeve të një teksti, qoftë ky edhe një e-mail i thjeshtë, përbën diferencën e një profesionisti komunikimi. Kjo pjesë është më shumë personale, falë kujdesit që i kushton çdo gjëje që merr përsipër ta punosh. Gabimet e kësaj natyre do ta bënin kompaninë apo organizatën që përfaqëson të duket joprofesionale.

Media Sociale

Të jesh ekspert i rrjeteve sociale nuk mjafton që të kesh llogari në secilën prej tyre dhe të dish si t’i përdorësh. Duke parë tregun, kërkesat për punë apo shkëmbimet në këtë profesion duket se personat që e ofrojnë këtë shërbim në mënyrë individuale e quajnë veten “ekspert i rrjeteve sociale” thjesht sepse kanë llogari në rrjete të ndryshme sociale. Sigurisht, ata mund të dinë shumë mirë ti përdorin nga ana teknike, por kjo nuk i bën ekspert komunikimi.

Profesionistët e mirëfilltë të komunikimit, jo vetëm dinë si ti përdorin mediet sociale, por edhe të përcaktojnë se cili prej tyre është më efikas në varësi të qëllimeve të biznesit, jo të kalojnë tek të gjitha platformat. Gjithashtu, ata janë të aftë të përcaktojnë se çfarë përmbajtje duhet të ketë teksti për rrjete përkatëse dhe çfarë kategorie të shoqërisë synon.

Shumica e kompanive kanë llogari të hapura në Twitter dhe Facebook, thjesht sepse janë rrjetet më popullore, por kjo jo domosdoshmërisht përshtatet me qëllimet e biznesit dhe komunikimit të tyre. Ashtu siç kam parë kompani që udhëhiqen nga profesionistë me eksperiencë, të cilët kanë zgjedhur vetëm një rrjet social për të komunikuar si për shembull Instagram, në varësi të fushës së biznesit ku operon. Pra, eksperti i komunikimit nuk lejon që klientët e tij të punojnë në mënyrë të sforcuar, por në mënyrë inteligjente.

Njoftimet & Koordinimi i mediave

Padyshim që profesionisti i komunikimit shpeshherë përfshihet në koordinimin e medies varësisht nga vendi ku punojnë. Mendoj se aftësitë për të menaxhuar të gjithën këtë duke përfshirë shkrimin e njoftimeve apo ftesave për shtyp, pyetjeve apo përgjigjeve të mundshme, ruajtja e marrëdhënieve me gazetarët lidhen me të qenit gazetar i mirëtrajnuar që e njeh mirë botën si funksionon media. Shumë e rëndësishme për t’u përmendur në këtë pikë është fakti se brenda organizatës apo kompanisë duhet të jenë dy pozicione të ndara për një person të specializuar për marketing dhe një tjetër për menaxhimin e medies. Sidoqoftë, në rastet kur nuk kanë mundësi të kenë një person për secilin prej këtyre roleve, jo rrallë herë të duhet t`i bësh të dyja.

Marketingu

Ndodh shpesh që në punën tënde të përditshme si profesionist komunikimi të duhet të integrohesh në fushata marketingu. Për shembull, mund të të duhet të shkruash për fushatat e hartuara nga departamentet e marketingut ose të japësh një ide të qartë për kategorinë që duhet t’i drejtohet. Ekspertët e komunikimit mund të mos kenë aftësi të jashtëzakonshme për të shitur, ashtu siç bëjnë ata që merren me marketing. Por, mund ti ndihmojnë fushatat e marketingut të shesin më mirë me anë të fuqisë së përdorimit të gjuhës, kanaleve të komunikimit dhe gjetjen e audiencës së synuar nga kompania apo organizata.

Në pozicionin si profesionist i komunikimit duhet të bësh shpeshherë marketing, sepse mundësitë paraqiten të tilla. Nuk është teknikisht pjesë e punës tënde, por të duhet të shfrytëzosh pozicionin si komunikues për të “tregtuar” kudo që të mundesh. Mund ta krahasojmë këtë lloj të komunikimit me “ambasadorin.”

Koordinimi i Aktiviteteve

Në raste të tilla komunikimi paraprak është kryesori. Të merresh me menaxhimin e një aktiviteti do të thotë që paraprakisht të shkruash ftesat, t’i projektosh, t’i dërgosh, të njoftosh nëpërmjet rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera të komunikimit. Edhe pse në pozicionin ku po punon ka një ekip të tërë që merret me aktivitetet ose vetëm një person të vetëm, eksperti i komunikimit do duhet përsëri të përfshihet. Menaxhimi i aktiviteteve kërkon disa aftësi unike dhe është mirë t’i besohen dikujt që ka eksperiencë. Mund ta krahasoj me menaxhimin e projekteve këtë pozicion, pasi të duhet të bashkosh shumë pjesë bashkë në funksion të një afati të përcaktuar kohor.

Materialet e Printuara

Kjo mbetet një tjetër pjesë e imja e preferuar e komunikimit. Të përgatisësh një material për t’u printuar nevojiten aftësi mjaft të mira menaxhuese. I gjithë procesi nis me shkrimin e fjalëve kyçe, koordinimin e shkrimit, redaktimit, kërkuesit të shkrimit (që mund të jetë person ose kompani), printuesit. Personi përgjegjës për këtë pjesë nis punën me një dokument të pa redaktuar në word ose me disa copëza fjalësh dhe e transformon në një revistë, broshurë, katalog ose libër të shkëlqyer.

Të jesh sistematik, i organizuar dhe menaxhues i detyrave të të gjithëve brenda periudhës së caktuar kohore është shumë e rëndësishme për prodhimin e materialeve të printuara. Ndërkohë që materialet zakonisht po përgatiten për një fushatë ose aktivitet, shpesh ka një afat të padiskutueshëm kohor. Aftësia për të vënë re detajet dhe krijimtaria për të ndryshuar gjërat në momentin e fundit ndikojnë në krijimin e një produkti tërheqës.

Dizajni Grafik

Në varësi të vendit ku punon, dizajni grafik mund të të duhet. Për shembull, nëse punon për organizata jofitimprurëse apo institucione të financuara nga qeveria, zakonisht nuk ka një buxhet të madh për të paguar profesionistë të dizajnit grafik për t’u marrë me gjëra të vogla si postera apo broshura.

Me pak trajnim mbi dizajnin dhe duke qenë krijues, mund të mësosh të hartosh broshura, postera apo dhe fletushka për aktivitete të ndryshme. Duke e bërë këtë “in-house”, siç shprehen profesionistët e komunikimit, kursen buxhetin, pasi realizohet nga stafi që tashmë është i kontraktuar, e jo nga profesionistë të jashtëm. Dhe kur buxheti e lejon, stafi i komunikimit kontrakton persona të jashtëm.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0