“Kush kupton shifrat nuk do të thotë se kupton ekonominë” - Business Magazine Albania

“Kush kupton shifrat nuk do të thotë se kupton ekonominë”


“Unë nuk marr vesh nga shifrat dhe ndaj nuk e kuptoj dot ekonominë”. Kjo është ndër fjalitë më të shpeshta që përsërisin studentët e shkencave sociale teksa shpjegoj lëndën “Hyrje në Ekonomi” në Universitetin Europian të Tiranës. Por pas më shumë se katër vitesh shoh në fund të çdo semestri, se ata jo vetëm që e kuptojnë lëndën, por edhe e pëlqejnë atë edhe më shumë se studentët e Fakultetit të Ekonomisë. Ata janë në gjendje të lidhin fakte historike, politika apo dhe trende globale me realitetin shqiptar. Për më tepër me një kënd të shtuar të shkencave që studiojnë si politikë, juridik, filozofi apo psikologji.

Lexoni: Mergim Cahani: “Ekonomia dixhitale faktor për zhvillimin e një vendi.”

Personalisht pas gjashtë vitesh studime në Mbretërinë e Bashkuar, mendova se lënda e ekonomisë ishte në gjendje të shpjegonte shumë prej fenomeneve shoqërore më mirë se shumë fusha të tjera sociale. Sepse në trajnimin tonë për vite me radhë ne kishim studiuar ide të rëndësishme se si funksionon ekonomia nëpërmjet formulave të komplikuara matematikore, ndërmjet analizimit të dhënave statistikore me kompjutera të fuqishëm që llogarisnin në fraksion sekondi mijëra statistika për të dhënë një përgjigje se cilët fenomene (variabla) ndikonin në ekonomi. Gati magji!

Por më pas kriza botërore ndodhi dhe të gjithë filluan të mendojnë si ka mundësi që asnjë nga Nobelistët e ekonomisë apo institucione të rëndësishme kërkimore nuk arritën ta parashikojnë atë. Çfarë ishte akoma dhe më befasuese ishte fakti se pedagogët e ekonomisë vazhduan të shpjegonin leksionet e tyre për ekonominë pa iu referuar një herë të vetme krizës financiare e ekonomike që po ndodhte në botën reale.

Për më tepër asnjë nga institucionet e rëndësishme të mbikëqyrjes financiare botërore nuk ndezi njëherë debat reflektimi apo hipotezë se çfarë mund të ndodhte me produktet e reja financiare për të shmangur në kohë katastrofën.

Në një farë mënyre ekonomistët e sotëm, mendojnë se një hipotezë e mirë dhe me disa statistika të fundit mund të arrijnë të kuptojnë ekonominë e një vendi dhe pa e vizituar kurrë atë. Fjala vjen një ekonomist nga Harvardi, pasi ulet në “Starbucks” me një kafe të gjatë përpara, hap e-mailin shkarkon të dhënat nga INSTAT në Shqipëri dhe është në gjendje të parashikojë, se çdo ndodh me ekonominë tonë pa ditur çfarë karakteristikash kanë shqiptarët, si sillen ata me riskun, çfarë historie kanë etj. Thënë këtë, përdorimi i matematikës jep një interpretim të fenomeneve ekonomike, por ato nuk e ezauron dot atë. Ndaj thelbi i këtyre radhëve është se debati për ekonominë tonë nuk mund të orientohet në publik vetëm nga ekonomistët, apo më keq akoma nga ekspertët e organizmave ndërkombëtare apo lokal. Në eksperiencën e këtyre viteve, mendoj se fjalia e studentëve mund të përdoret  lehtësisht dhe se: “unë marr vesh nga shifrat, por kjo nuk do të thotë se e kuptoj ekonominë.”

Lexoni: Ekonomia ‘FANTAZMË’ po lulëzon në Ballkan

Në një artikull të New York Times, ekonomisti i njohur Krugman tërheq vëmendjen sesi një artikull shkencor i Kenneth Rogoff nga Universiteti i Harvardit u përdor në masë nga qeveri të ndryshme në botë për të ndjekur politika të “austeritetit” shkurtim të shpenzimeve qeveritare. Sipas këtij artikulli, çdo borxh publik mbi 90% e PBB-së çon ekonomitë në krizë ekonomike. Nga ana tjetër ekonomistë si Alesina vazhduan të mbështesin këtë përfundim për ulje shpenzimesh qeveritare, duke treguar se ulje e borxhit publik nëpërmjet uljes së shpenzimeve publike dhe jo rritjes se taksave nuk çon në recension, por mund të çojë në rritje ekonomike.  Krugman si mbështetës i Kejnsianizmit, mendon se këto studime u përdorën nga njerëz të fuqishëm në botë për të justifikuar besimin e tyre për më pak shtet. Por më vonë u vu re, se këto studime kishin gabime në metodologji, probleme me të dhënat, e qasje të caktuara statistikore që dhanë rezultate krejtësisht të kundërta nga një studim i bërë nga FMN në 2013. Me po me të njëjtat të dhëna rezultoi, se shtetet me borxh të lartë kishin pasur rritje ekonomike në nivelin e 2.2%. Pra, një studim thotë ulje shpenzimesh në kohë krize është mirë, një tjetër nuk është mirë! Nëse je në krye të shtetit nuk merr vesh nga ekonomia duhet të bësh një zgjidhje dhe të dy raportet i ke në tavolinë.

Një ilustrim tjetër vjen nga një debat për përfundimet e bëra në librin “Kapitali në shekullin e 21-të” të Pikkety ku ekonomisti Giles i Financial Times tregon se pasi rregullon disa gabime në të dhënat e librit të Pikkety del se: pretendimi kryesor në libër se rritja e pabarazisë në kapital në 30 vitet e fundit nuk qëndron dhe për këtë arsye dhe politika e tij për të adresuar këtë problem nuk qëndrojnë. Mjafton ky debat mes ekonomistëve më në zë për të ngritur shqetësimin se ekspertët e ekonomisë duhen parë me rezerva. Shpesh herë ata përdoren për të justifikuar një qëndrim apo preferencë politike paraprake. Ndaj sot shumë universitete shtyjnë ekonomistët të rikthehen e të analizojnë ekonominë në bashkëpunim me fusha të tjera sociale si sociologji e filozofi.

Për të kuptuar ekonominë duhet që njëkohësisht të kuptosh dhe sjelljen njerëzore e matematika është e limituar për të kuptuar plotësisht atë. Pasi në fund të fundit ekonomia është shkencë sociale pavarësisht filtrimit të madh në 50 vitet e fundit për ta interpretuar atë me rigorozitet shkencor, nëpërmjet modeleve ekonometrike e formulave të komplikuara matematikore. Këto të fundit janë një avancim i mirëpritur në ekonomi, por vetëm përdorimi i tyre si modelim të interpretimit të ekonomisë ka deformuar në thelb lëndën e ekonomisë që deri në shekullin e XIX studiohej si politika-ekonomike dhe ekonomistët më të mirë të kohës ishin po ashtu dhe filozofët më të mirë.. apo e kundërta?! Xhon Loke, Xhon Mill, Adam Smith, David Hume etj kanë ofruar mendim të thellë ekonomik pa pasur nevojë për statistikë apo për matematikë. Nëse ata do të lexonin një revistë shkencore ekonomike ka shumë gjasa që ata të mos kuptonin asgjë nga ato që do të lexonin.

Lexoni: Neuroekonomia, fusha e re e studimit që po merr zhvillim

Shkruar nga Besart Kadia për Mapo.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0