Ulja e TVSH-së në turizëm, nxitës i investimeve dhe krijues i vendeve të reja të punës - Business Magazine Albania

Ulja e TVSH-së në turizëm, nxitës i investimeve dhe krijues i vendeve të reja të punës


Vendimi i qeverisë shqiptare për të reduktuar Taksën e Vlerës së Shtuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në 6% duket se e kapi në befasi biznesin, i cili duket se i kishte humbur shpresat pasi kishte vite që lobonte për këtë kërkesë.

Në një konferencë për shtyp përfaqësues të dhomave kryesore të biznesit vlerësuan këtë nismë të qeverisë dhe punën e bërë “për të bindur” FMN-në që të mund të lehtësohej me incentiva fiskale sektori i turizmit.

Kreu i sektorit akomodues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), Zak Topuzi, tha se nga ky reduktim do të jenë rreth 3,900 njësi akomoduese që pritet të përfitojnë. “Ju sigurojmë se kjo masë do të sjellë ndryshim rrënjësor në ekonominë e vendit dhe do ta kthejë Shqipërinë në një destinacion konkurrues dhe do të shërbejë për të formalizuar tregun”, tha z. Topuzi.

Sipas tij, shteti grumbullon çdo vit rreth 2 mln euro nga TVSH-ja në hotele dhe kjo masë do të ndikojë në rritjen e bazës së tatimpaguesve e si rrjedhim do të shtojë edhe të ardhurat.

“Nga ana tjetër, tha z. Topuzi, do të shërbejë edhe për rritjen e investimeve në sektorin akomodues kryesisht në resorte e hotele që ofrojnë paketa të plota shërbimesh”.

Ndërsa kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, i cili ka ndërmarrë një investim në turizëm (në një kohë të çmendur siç e theksoi dhe vetë), tha se reduktimi i TVSH-së do të shërbejë për të përmirësuar shërbimin, si dhe për të rritur investimet. Sipas tij investitorët e huaj do të mund ta shohin Shqipërinë më me optimizëm për shkak të barrës fiskale që do të jetë e konkurrueshme me rajonin.

Për Ines Muçostepën, kryetaren e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë më në fund u arrit një rezultat i prekshëm për një kërkesë të hershme të biznesit, që është mbështetur edhe nga Unioni.
Ndërsa, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë tha se biznesi nuk mblidhet në tryeza vetëm për t’u ankuar ndaj masave që merrte qeveria, por edhe për ta mbështetur në vendimmarrje që përmirësojnë klimën e biznesit, nxisin investimet dhe krijojnë kushte për vende të reja pune.

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0