Nipërit e Keynes: të pasur me para, të varfër me kohë - Business Magazine Albania

Nipërit e Keynes: të pasur me para, të varfër me kohë

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Geron Kamberi* – Që nga Nostradamusi, njerëzit i ka ngacmuar ideja për të parashikuar sesi do të jetë e ardhmja. Futurologjia nuk është diçka e panjohur edhe për shkencëtarët e fushave të ndryshme. Dikur, ekonomisti e nobelisti anglez John Maynard Keynes (05.06.1883-21.04.1946) në një ese të quajtur “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” (1928) pati paralajmëruar për kohën e lirë të tepërt që do të kishin nipërit, pra brezi ynë 100 vjet më pas, pra rreth vitit 2030, si rrjedhojë e zhvillimit teknologjik që do të pasonte e begatisë ekonomike.

Por tashmë që nuk jemi shumë larg këtij viti, ne jemi të zënë duke u ankuar se nuk kemi qenë kurrë më parë kaq të mbingarkuar. Më poshtë dua t’u përcjell një koment interesant mbi këtë ese të botuar nga revista amerikane The New Yorker para disa vitesh, kur kjo ese kishte 85-vjetorin e botimit. Një ese që të bën të reflektosh se veçanërisht në ditët e sotme e ardhmja është bërë gjëja më e vështirë për ta parashikuar.

”Nuk kemi kohë ”ose si duket profecia e ekonomistit e nobelistit anglez Keynes pas gati 100 vjetësh. Një artikull analizë i botuar më 26 maj 2014 në The New Yorker nga Elisabeth Kobert mbi esenë e Keynes “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” (1928)

Në dimrin e vitit 1928, ekonomisti anglez John Maynard Keynes përgatiti një ese të shkurtër që pati një jehonë të gjerë. Ajo qe titulluar “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, dhe në të Keynes imagjinonte se si do të qe bota një shekull më vonë, pra diku rreth viteve 2030.

Sipas kësaj eseje, në vitin 2028 ai parashikonte se “standardi i jetesës në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë përmirësuar aq shumë sa askush nuk do të shqetësohet mbi fitimin e parave.” “Nipërit tanë”, thoshte Keynes, “do të punojnë rreth tri orë në ditë, dhe ky orar i reduktuar do të përfaqësojë më shumë punë se sa është e nevojshme.”

Keynes e prezantoi një version të hershëm të esesë “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” si një leksion për djemtë e një universiteti në New Hampshire të SHBA-së. Ai po punonte ende për rishikimin e esesë kur, në vjeshtën e vitit 1929, tregjet e aksioneve u rrëzuan. Disa mund ta kenë marrë këtë si një shenjë të keqe, por Keynes qe i palëkundur. Megjithëse ai e kuptoi shpejt se sa e rëndë qe gjendja, në fillim të vitit 1930 shkroi se ky falimentim ka prodhuar një “rënie që do të zërë vend në histori si një nga më të rëndat që është përjetuar ndonjëherë” në terma afatgjata “kjo krizë do të jetë vetëm një ndërprerje e vogël drejt një prirjeje pozitive afatgjatë dhe shumë më bujare.” Në versionin final të esesë së tij “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, të botuar më 1931, Keynes i nxiti lexuesit të shohin përtej “kësaj faze të përkohshme mospërshtatjeje” drejt një të ardhme më të mirë.

Sipas Keynes, shekulli i XIX dhe gjysma e parë e shekullit XX kishin prodhuar një valë të tillë inovacioni teknologjik:  “elektricitet, naftë, çelik, gomë, pambuk, industri kimike, makineri automatike dhe metoda të prodhimit masiv”,  sa rritja e mëtejshme qe e pashmangshme. Përmasat e ekonomisë botërore, parashikoi ai, do të rriten me shtatë herë në shekullin pasues dhe kjo do të vijë në kombinim me “përmirësimet teknike gjithnjë e më të mëdha”, të cilat do të sjellin edhe “javën e punës 15-orëshe.” Për Keynes, epoka e bollëkut që po vinte, megjithëse ishte e dëshirueshme, do të sillte një sfidë të re dhe, në disa mënyra, shumë më të madhe. Me kaq pak nevojë për punë, njerëzit do të duhet të gjejnë se çfarë duhet të bëjnë me veten: “Për herë të parë që nga koha e krijimit, njeriu do të përballet me problemin e tij real dhe të përhershëm; si të përdorë lirinë e fituar kur të çlirohet nga nevojat emergjente ekonomike, si ta zërë kohën e lirë.”

Ai ofroi shembullin e të pasurve të papunë, për të cilin tha se qe “shumë depresionues”; shumica e tyre kanë “dështuar në mënyrë shkatërrimtare” për të gjetur mënyra të kënaqshme për të kaluar kohën e lirë. Në veçanti, ai vuri në dukje “gratë e klasave të pasura” në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli, të cilave “u është grabitur nga pasuria e tyre” zënia tradicionale me punë si gatimi, dhe “ishin në mënyrë të dukshme të paafta që të gjenin një mënyrë për të bërë diçka më argëtuese.” Ndërsa një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë do ta gjente veten të çliruar nga puna me orë të zgjatura, Keynes u shqetësua se shoqëria mund të vuante nga një lloj “shkatërrimi nervor i përgjithshëm.” Do t’u takonte atyre që dinë të vlerësojnë “vetë artin e të jetuarit” sesi do të jenë në gjendje të shijojnë bollëkun kur ai të vijë.

Pasi ka kaluar katër të pestat e shekullit për të cilin Keynes shkroi, gjysma e vizionit të tij është realizuar. Që nga publikimi i esesë “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i SHBA-së dhe i shumë vendeve në botë është rritur, në terma realë, me një faktor të gjashtëmbëdhjetë dhe PBB për frymë është rritur shumë herë. Dhe ajo që vlen për Shtetet e Bashkuara vlen edhe për pjesën tjetër të botës gjithashtu: përgjatë 85 viteve të fundit, ekonomia botërore është rritur në mënyrë të ngjashme.

Por nëse ne jemi bërë po aq të pasur sa pati imagjinuar Keynes, kjo pasuri nuk është përkthyer në kohë të lirë. (Kur ka ndodhur për herë të fundit që dikush nga ju u ankua se nuk kishte me çfarë të merrej?) Në termat e teorisë ekonomike, kjo është çorientuese. Në termat e jetës së përditshme, është e mjaftueshme që të shkaktojë një krizë nervore.

Brigid Schulte (27.05.1962-), një reportere e Washington Post, është ndër autorët e radhës që merret me pyetjen se ku gaboi Keynes me parashikimet e tij. Tek libri i saj “Të mbytur: Punë, dashuri dhe lojë kur askush nuk ka kohë” (Overwhelmed: Work, Love, and Play When No One Has the Time, 2014), ajo analizon se pse amerikanët e shekullit të 21-të duken kaq të zhytur në punë.

Schulte fillon me procesin ku është “mbytur”,  përpjekjen për të matur kohën e saj të lirë ose mungesën e kohës së lirë. Ajo kërkon ndihmë nga Dr. John Robinson (12.08.1936-24.03.2019), një sociolog në Universitetin e Merilandit të SHBA-së, i cili është ekspert në përdorimin e kohës. Robinson e mëson Schulte se si të mbajë një ditar për përdorimin e kohës dhe i jep asaj një shembull të mirëpërcaktuar në Excel. Por Schulte zbulon se dita e saj është tepër “kryeneçe” për t’u futur në kuadratet e sakta të shembullit, kështu që në vend të tij vendos të mbajë shënim se çfarë bën në blloqe shënimesh të vogla e të zeza. Një pasdite, kur ajo është duke ngrënë drekë në tryezën e saj të punës ndërsa pret të flasë me farmacinë që furnizon EpiPens për djalin e saj dhe duke kërkuar njëkohësisht në internet se si të marrë një certifikatë vdekjeje për kunatin e saj, i cili ka vdekur në Kinë, ajo merr në telefon Robinson për ta pyetur se si ta klasifikojë këtë lloj aktiviteti. Robinson i thotë asaj thjesht të vijojë të mbushë ditarin me të dhëna, ndërsa ai më vonë do të përcaktojë se si. Por kur ajo ia prezanton malin me shënime, ai trembet. Ato janë të pamundura për t’u lexuar, aq më pak për t’u analizuar. “Çfarë është kjo fjalë?” pyet ai duke treguar një shënim nga ora 2 pas mesnate më 16 shtator. “Panik”, i përgjigjet Schulte. “Zgjim në panik.”

Me pyetjet mbi vetë kohën e saj të lirë të mbetura pa përgjigje, Schulte vendos të niset për në Paris për takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare të Kërkimit mbi Përdorimin e Kohës. (“Ka shumë interes në përpjekjen për të kuptuar se pse presioni i kohës po rritet”, i thotë asaj një sociolog nga Oksfordi. “Aktualisht, kjo është tema e nxehtë në kërkimin mbi përdorimin e kohës.”)

Ajo viziton Qendrën e Stresit në Yale, New Haven të SHBA-së; takohet me nëna të stresuara në Portland, Oregon; dhe ulet në një fokus grup në Fargo, Dakota e Veriut. “Jeta është shumë stresuese në Fargo”, i thotë organizuesi i grupit asaj. Gjoja në përpjekje për të reduktuar stresin e saj, Schulte merr pjesë në një aktivitet të hedhjes nga lartësitë (trapeze academy) dhe hidhet nga një platformë shtatë metra e lartë. Përgjatë rrugës, ajo diskuton shpjegime të ndryshme të mundshme për atë që pëlqen ta quajë “mbingarkesë”, a thua se kjo është diçka jashtë nesh, diçka e largët si Arktiku apo Amazona. Nëse bëjmë shumë punë, fitojmë shumë para dhe, rrjedhimisht, jetojmë shumë pak. Kjo duket se na bën të ndihemi të suksesshëm. Ambicia po na heq mundësinë për të shijuar atë çfarë kemi.

Një teori me të cilën ajo dëfrehet që në fillim është se të qenët i zënë është kthyer në një status shoqëror. Sa më i zënë të jesh, aq më i rëndësishëm dukesh; për rrjedhojë njerëzit konkurrojnë të jenë — ose të paktën të duken — të shqetësuar.

Një studiuese me të cilën konsultohet në Universitetin e Dakotës së Veriut, Ann Burnett (23.07.1972-), ka mbledhur letra nga pushimet të shkruara përgjatë pesë dekadave dhe ka zbuluar se këto letra janë bërë gjithnjë e më pak mbi kënaqësinë e pushimeve dhe gjithnjë e më shumë mbi të rrëfyerit se sa i ngarkuar ka qenë viti që kaloi. Bazuar në këtë arkiv, Burnett ka dalë në konkluzionin se të mbajturit të nivelit të njëjtë me komshiun më të pasur tashmë nënkupton që të kesh axhendë edhe më të ngjeshur. (Në një letër të kohëve të fundit, një nënë krenohet se i dërgon fëmijët e saj në kaq shumë aktivitete sa i jep makinës përreth 200 km në ditë.) Burnett thotë se “ka një sjellje reale që synon të thotë ‘jam më i zënë se ti’.”

Një teori e dytë që Schulte merr në konsideratë është se “mbingarkesa” është një funksion jo aq shumë i faktit se sa shumë gjëra amerikanët duhet të bëjnë, por se sa shumë kohë ata shpenzojnë duke menduar se sa shumë gjëra do të duhet të bëjnë. Një mjeke që po analizon një listë me dyqane ushqimesh ku ajo duhet të ndalojë rrugës për në shtëpi nuk është në fakt më shumë e zënë sesa një tjetër që ka një punë në dorë, por ajo mund të ndihet më e rraskapitur.

Lexo edhe: Ekonomi nën kontroll politik, çfarë humbi Hungaria në 16 vite nën udhëheqjen e Orban

Në një situatë të kundërt, një jurist që po luan me fëmijët e tij teknikisht është në kohën e lirë, por nëse ai në të njëjtën kohë po kontrollon celularin për mesazhe nga zyra, mund të duket se nuk ka pasur asnjë minutë të lirë. Schulte i jep një term kësaj situate, e quan “fenomeni i kasetës mendore”, dhe ajo argumenton se kjo po gërryen energjitë tona të çmuara, aq sa ne nuk mund të “vendosim se për çfarë duhet të mendojmë, të shqetësohemi mbi punët e shtëpisë ndërkohë që jemi në punë dhe mbi çështjet e punës ndërkohë që jemi në shtëpi.”

Por asnjë nga këto shpjegime nuk e kënaq tërësisht Schulte, dhe ajo vijon të kërkojë. Pas një copë here, ajo fiksohet mbi të njëjtin fajtor që e kanë zbuluar edhe shumë gra të tjera para saj: burri. Shumica e grave amerikane sot punojnë; më shumë se dy të tretat e nënave me fëmijë në moshë shkolle janë të punësuara jashtë shtëpisë. Shumë prej tyre tashmë fitojnë më shumë sesa bashkëshortët; në çifte me të ardhura nga të dy bashkëshortët, rreth një e treta e grave paguhen më mirë sesa burrat. Por, pavarësisht kësaj, studimet tregojnë se bëjnë pjesën e luanit, ose më saktë, pjesën e luaneshës sa u përket punëve të shtëpisë: diku mes 70 dhe 80%. Nëse ato kanë fëmijë, pjesa më e madhe e kujdesit për fëmijët bie mbi ta. “Megjithëse burrat sot natyrisht kalojnë më shumë kohë duke u përkujdesur për fëmijët e tyre dhe po bëjnë më shumë punë të përditshme”, shkruan Schulte, “ende këto punë janë vetëm sa gjysma e atyre që bëjnë gratë në mënyrë rutinore.” Nuk është për t’u habitur, thotë ajo, se gratë kanë shumë më tepër gjasa sesa burrat të shfaqin “stres kronik dhe ndjesinë se jeta është jashtë kontrollit.”

Ekonomistët më të famshëm kanë vështirësi përballë pyetjes se pse njerëzit vijojnë të punojnë akoma më shumë edhe pasi kanë mbuluar nevojat e tyre. Ndoshta konsumi na është kthyer në mani të pathyeshme.

85 vjet pasi Keynes hartoi fillimisht esenë “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, një çift ekonomistësh italianë, Lorenzo Pecchi (12.10.1958-) dhe Gustavo Piga (18.02.1964-), filluan të diskutojnë mbi këtë ese. Pyetja që shtruan ata ishte: “Si mundej që një njeri me inteligjencën e Keynes të ketë qenë kaq i saktë në parashikimin e rritjes ekonomike të së ardhmes dhe përmirësimit të standardeve të jetesës, dhe kaq i gabuar mbi të ardhmen e kohës së lirë?” Ata vendosën ta shtrojnë këtë pyetje para kolegëve të vet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndoshta disa prej tyre që u pyetën qenë gra; në çdo rast, të gjithë ata që u përgjigjën qenë burra. Rezultati ishte botimi i librit “Rishikimi i Keynes” (Revisiting Keynes) në vitin 2008, ku të dy këta ekonomistë mbetën të hutuar nga “mbingarkesa” me punë ku ishin zhytur njerëzit.

Shumë kontribues në këtë analizë gabimin e Keynes ia atribuojnë leximit të gabuar që ai i ka bërë natyrës njerëzore. Keynes supozonte se njerëzit punojnë në mënyrë që të fitojnë mjaftueshëm sa të blejnë atë që kanë nevojë. Dhe kështu, arsyetonte ai, ndërsa të ardhurat rriteshin, këto nevoja do të plotësoheshin duke harxhuar gjithnjë e më pak orë pune. Punonjësit do të dilnin nga puna gjithnjë e më herët derisa të mbërrinte koha kur ata do të iknin në shtëpi në mesditë pas pune.

Lexo edhe: Si lindi termi globalizim dhe fenomeni i globalizimit që po ndryshon botën!

Por kjo nuk është mënyra se si janë ndërtuar njerëzit. Në vend që ta mbyllin punën më herët, ata gjejnë gjëra të reja që i konsiderojnë të nevojshme. Shumë nga këto gjëra të reja që ata kanë gjetur as që ekzistonin në kohën kur Keynes shkroi esenë, si për shembull laptopë, mikrovalë, Xbox-e, smartfonë, ora inteligjente, frigoriferi inteligjentë, çanta dore Prada, xhinse të markës True Religion, pastaj ftohëset portative për ta mbajtur birrën të ftohtë ndërsa e pi. “Shumica e gjërave të konsumit material janë të krijuara në mënyrë të fuqishme nga veset”, vërejnë profesorët e ekonomisë Gary Becker (02.12.1930-03.05.2014) në Universitetin e Çikagos dhe Luis Rayo (26.03.1974-), profesor i ekonomisë në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE), në komentet e tyre për librin e Pecchi & Pigas “Rishikimi i Keynes” (Revisiting Keynes).

“Pas një periudhe shijimi, konsumatori i zakonshëm mësohet me atë që ai ka blerë dhe… menjëherë aspiron të blejë produktin tjetër në pritje”, shkruajnë ata. Sipas mendimit të Becker dhe Rayo, kjo pangopësi është ngulitur thellë te ne. Njerëzorët fillojnë të evoluojnë “në mënyrë që të kenë pika reference që i prijnë për lart ndërsa rrethanat e tyre përmirësohen.”

Përkundër tyre, ekonomisti e nobelisti amerikan Joseph Stiglitz (09.02.1943-), nga Universiteti i Kolumbias, merr një përqasje konstruktiviste. Zgjedhjet e njerëzve, argumenton ai, formohen nga shoqëria dhe, me kalimin e kohës, bëhen vetëpërforcuese. Ne “mësojmë si të konsumojmë duke konsumuar”, shkruan ai tek eseja “Si të shijojmë kohën e lirë duke shijuar kohën e lirë.”

Në mbështetje të këtij mendimi, Stiglitz citon eksperiencat e kundërta të europianëve dhe amerikanëve. Në vitet 1970, britanikët, francezët dhe gjermanët — por dukshëm, jo italianët — harxhonin po aq shumë orë në punë sa edhe amerikanët. Por pas kësaj kohe, europianët e stilit kejnsianist filluan të këmbejnë të ardhurat me kohën e lirë. I punësuari amerikan aktualisht punon mesatarisht rreth 140 orë më shumë sesa francezi mesatar. (Ligjet aktuale franceze e kanë kusht që punëtorët të marrin 30 ditë pushim të paguar në vit, ligji britanik e ka 28; shifra korresponduese në SHBA është zero.) Stiglitz parashikon se europianët do të reduktojnë më tej orët e kohës së tyre të punës dhe do të bëhen edhe më të aftë për të marrë orë pushimi, ndërsa amerikanët, pasi janë bërë konsumatorë të përsosur, do të vijojnë të punojnë me orë të gjata dhe të blejnë më shumë gjëra. Televizorët, vëren ai, “mund të vendosen në çdo dhomë, si dhe në sediljet e përparme dhe të pasme të makinave.”

Një grup i tretë ekonomistësh i kundërvihet presupozimit kejnsianist se koha e lirë është më e pëlqyer sesa puna. Puna mund të mos na bëjë ne njerëz të lirë, por ajo u jep kuptim ditëve tona dhe pa të ne do të ishim të humbur. Në këndvështrimin e Edmund Phelps (26.07.1933-), profesor ekonomie i Universitetit të Kolumbias, New York, “karriera siguron shumicën e qëllimit bazë për ta quajtur veten të vetëpërmbushur në shoqëritë moderne.” Ndërsa profesori i ekonomisë të Universitetit të Harvardit Richard Freeman (29.06.1943-) është edhe më këmbëngulës. “Puna e vazhdueshme dhe në mënyrë të palodhur është e vetmja mënyrë për të ecur përpara”, shkruan ai. “Ka kaq shumë gjëra për të mësuar, prodhuar dhe për të përmirësuar, sa ne nuk duhet të shpenzojmë asnjë çast duke jetuar sikur të ishim në Kopshtin e Edenit. Nipërit tanë vijojnë të na nxisin.”

*Geron Kamberi është studiues i Asociuar për Politikat Europiane pranë Qendrës për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes (CSDG). Që nga viti 2007, ai  është angazhuar si studiues i asociuar pranë disa think tanke shqiptare, të fokusuar në analizën e politikave publike dhe veçanërisht në çështjet e lidhura me integrimin europian.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0