Think Big - Sfidat e Sektorit të Turizimit në Shqipëri me z. Vasil Bedinaj, nga Regina Group - Business Magazine Albania

Think Big – Sfidat e Sektorit të Turizimit në Shqipëri me z. Vasil Bedinaj, nga Regina Group

Sektorit të Turizimit

Takimi me të na rikthen sërish në të njëjtin vend si para 1 viti e gjysëm. Kjo është intervista e dytë me z. Bedinaj dhe në mes na ndan pandemia. Atëherë nuk do ta dinim goditjen që na priste dhe rrjedhën që do të merrnin ekonomia dhe turizmi në veçanti.

Në këtë episod të 5-të të Think Big, nga intervista me Z. Vasil Bedinaj, kemi mundur të kapim ndjesitë, sfidat dhe pritshmëritë që ishin përpara pandemisë.

Gjatë këtij takimi ju do të zbuloni, si ishte ndikimi i pandemisë në sezonin e kaluar për turizmin dhe hotelerinë? Sa rëndë u godit ky sektor? Cilat ishin vështirësitë më të mëdha të z.Bedinaj, në aspektin e menaxhimit të situatës? Si u përball ai me to?

Rexhina Radhime u inaugurua vitin e kaluar, në fillim të sezonit, por në kushte aspak normale… Në këtë periudhë, ku niveli i pasigurisë ishte kaq i lartë, sa besonte se do të kishte sukses ky investim?

Z. Bedinaj na tregon që me ndërtimin e hotelit të parë në Radhimë me 12 dhoma deri tek puna kolosale që ka ngritur sot ku përfshin një zinxhir hotelesh deri në investimin për ndërtimin në vend të anijeve për turet detare, të cilat i janë shtuar përvojës së turistit.

Duke parë kërkesën gjithnjë në rritje ai vendosi të investojë për të zgjeruar biznesin e tij në një vend që siç thotë Z. Bedinaj “Vlora dhe jugu i Shqipërisë është një nga perlat që në çdo vend të botës të ishte do kishte lulëzuar shumë herë më shumë sesa ka lulëzuar sot”.

Sot hoteli ka 105 dhoma, nga 3 yje ka shkuar me 5 yje për shkak të punës së vazhdueshme, kontratave dhe kërkesave të shumta që kanë pasur.

Sektori i turizmit është mjaft delikat dhe mënyra sesi ju qasen turistëve duhet të bëjë diferencën, por ajo që dëmton më shumë është infrastruktura, transporti, elementë këto për të cilat duhet të investojë shteti.

Ai na tregon se 80% e turistëve të parë kanë qenë çekë, të cilët vinin në Shqipëri më tepër nga interesimi duke qenë një vend ish komunist, si ata, apo duke qenë se ata kishin shëtitur në shumë vende të botës, ju kishte ngelur vetëm Shqipëria në listën e tyre.

Duke parë edhe vendet e tjera të botës Z. Bedinaj na tregon se diçka mungonte dhe pikërisht ai ka qenë i pari që në paketat e tij ka sjellë edhe udhëtimin me anije për të ofruar ture në vende të ndryshme të bregdetit.

“Anija e parë u quajt Regina Blue, e blemë në Barn të Bullgarisë. Kishte një kapacitet prej rreth 90 personash, dhe kur doli në fillim pati një fluks të papërballushëm. Më pas u hap si treg dhe sot ka shumë anije të cilat ofrojnë ture të ndryshme,” na tregon ai gjatë intervistës.

Ndiqni episodin në Youtube!

Para 4 vitesh, ai nisi t’i prodhonte vetë anijet në Shqipëri, për shkak të fluksit dhe kërkesave të shumta që kishte tregu.

Sot Z. Bedinaj numëron rreth 12-13 Regina Blue dhe gjate sezonit veror diku tek 60 – 65 mijë turistë lëvizin drejt Karaburunit të Vlorës.

Një vështirësi tjetër është pikërisht mungesa e stafit. I gjithë sektori i shërbimeve, turizmit vuan nga mungesa e stafit, të rinjtë shqiptarë preferojnë të largohen nga Shqipëria apo të studiojnë profesione që nuk ju shërbejnë këtyre sektorëve.

Ai thotë, “T’i mbështesim sa më shumë të rinjtë që janë nëpër shkollat e Turizmit, të mbarojnë shkollën të përgatitur, t’i trajnojmë, t’i mësojmë dhe kudo që shkojnë të jenë me një profesion, qoftë si recepsionist, travel agent, kamarier, kuzhinier, etj.”

Thirrja e tij është që të fokusohen të gjithë si strukturat e biznesit, shkollat, shteti për t’u treguar të rinjve shqiptarë që ka mundësi në vendin e tyre dhe të kuptojnë se çfarë ofron ky si sektor se edhe pagesat janë në të njëjtin nivel si në Ballkan.

Regina Group u ofron 80% të studentëve mundësi punësimi që kur janë në shkollë dhe më pas kontrata pune që mos të largohen.

Madje bashkë me shkollat ai na tregon se do të bëjnë një fushatë promocioni nëpër shkollat 9 vjeçare për nevojat që ka qyteti dhe mundësitë që ofrohen, pasi të rinjtë po ikin dhe nuk po mundemi t’i frenojmë dot.

“Jemi vend Turistik, të ardhurat më të mëdha vijnë nga turizmi dhe ne përballemi me mungesën e stafit çdo ditë, pasi shtete si Gjermania, Anglia ofrojnë kushte më të mira,” na thotë ai.

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë dhe problematikat që tashmë ekzistonin, vjen një valë më e rëndë si pandemia e COVID-19 që preku drejtpërdrejt sektorin e turizmit dhe shërbimeve dhe la përgjysëm çdo plan që bizneset kishin.

Por edhe pas mbylljes dhe ngeljes pezull të çdo aktiviteti ai arriti të mbante të gjithë punonjësit e tij në punë dhe të ecte përpara, duke ja dalë me mjaft sukses.

“Vasili nuk ndalon! Kam projekte të cilat do të vazhdojnë në muajt në vazhdim, sot dua të çoj deri në fund prodhimin e anijeve turistike, pasi kemi disa mungesa dhe shpresoj që të gjej mbështetje nga ministria që të më krijojë hapësira, jo ndihma financiare, por një sipërfaqe brenda detit në mënyrë që të mos kemi vështirësi në transportimin e anijeve.”

Gjithashtu Shqipëria nuk ka një vend ku anijet e peshkimit dhe anijet e tjera të kryejnë të gjitha shërbimet, por detyrohet të shkojnë në vendet fqinje për riparime apo shërbime të tjera, duke u shtuar kështu kosto shumë të larta.

Vasili thotë se ai dëshiron të ndërtojë një kantier të mirëfilltë ndërtimi për anijet, me të gjitha kushtet, brenda standardeve europiane.

Ai e mbyll intervistën duke i bërë një kërkesë shtetit shqiptar që të mundësojë legjislacionin dhe t’i lejojë çdo investitori me dëshirën për punë, të punojë.

Për të parë më tepër, ndiqni episodin e 5-t të Think Big, në llogarinë e Youtube të Business Magazine.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0