Në edicionin e kësaj jave The Economist botoi “Bota gjatë vitit 2024”, udhëzuesin vjetor të 38-të, mbi parashikimet për vitin e ardhshëm, dhe gjatë gjithë asaj kohe asnjë person i vetëm nuk e ka eklipsuar analizën e The Economist, aq sa Donald Trump eklipson vitin 2024.
Trump dominon zgjedhjet paraprake republikane. Disa sondazhe e nxjerrin atë përpara Presidentit Joe Biden në shtetet e lëkundura. Për New York Times, 59% e votuesve i besojnë atij për situatën ekonomike, krahasuar me vetëm 37% për zotin Biden.
Në zgjedhjet primare, duket se paditë civile dhe ndjekjet penale vetëm sa e kanë forcuar ish-presidentin Trump. Për dekada demokratët janë mbështetur tek votuesit afro-amerikanë dhe hispanikë, por një numër domethënës i tyre po e braktisin partinë.
Ky është një moment i rrezikshëm që një njeri si Trump të kthehet duke trokitur në derën e Zyrës Ovale. Demokracia është në telashe në “shtëpinë e saj”. Pretendimi i zotit Trump se kishte fituar zgjedhjet në vitin 2020 ishte më shumë se një gënjeshtër: ishte një bast cinik se ai mund të manipulonte dhe frikësonte bashkatdhetarët e tij, dhe ka funksionuar. Amerika po përballet me armiqësi në rritje jashtë vendit, e sfiduar nga Rusia në Ukrainë, nga Irani dhe milicitë aleate të tij në Lindjen e Mesme dhe nga Kina përtej ngushticës së Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore. Këto tre vende koordinojnë lirshëm përpjekjet e tyre dhe ndajnë një vizion të një rendi të ri ndërkombëtar në të cilin autokratët janë të sigurt.
Për shkak se republikanët maga kanë planifikuar mandatin e tij të dytë prej muajsh, Trump 2 do të ishte më i organizuar se Trump 1.
“Besnikët e vërtetë” do të zinin pozicionet më të rëndësishme. Trump do të vijonte me idetë e tij të proteksionizmit ekonomik dhe marrëveshjeve teatrale dhe ekstravagante.
Nuk është çudi që perspektiva e një mandati të dytë të Trump mbush parlamentet dhe sallat e bordeve të botës me dëshpërim. Por dëshpërimi nuk është një plan.
Kërcënimi më i madh që paraqet zoti Trump është për vendin e tij. Pasi rifitoi pushtetin për shkak të mohimit të zgjedhjeve në vitin 2020, ai me siguri do të afirmohej në ndjenjën e tij të thellë se vetëm humbësit e lejojnë veten të jenë të kufizuar nga normat e një kombi. Në ndjekjen e armiqve të tij, Trump do të luftojë çdo institucion që e pengon, përfshirë gjykatat dhe Departamentin e Drejtësisë.
Megjithatë, një fitore e Trump vitin e ardhshëm do të kishte gjithashtu një efekt të thellë jashtë vendit. Kina dhe miqtë e saj do të gëzoheshin për provat se demokracia amerikane është jofunksionale. Nëse Trump shkelte procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, diplomatët e tij nuk mund t’i promovonin ato jashtë vendit.
Instinktet proteksioniste të Trump do të ishin gjithashtu të pakufizuara. Në mandatin e tij të parë ekonomia lulëzoi pavarësisht tarifave të tij ndaj Kinës. Planet e tij për një mandat të dytë do të ishin më të dëmshme. Ai dhe togerët e tij po mendojnë një taksë universale prej 10% mbi importet, më shumë se trefishi i nivelit sot. Edhe nëse Senati e frenon atë, proteksionizmi i justifikuar nga një këndvështrim i gjerë i sigurisë kombëtare do të rriste çmimet për amerikanët.
Trump gjithashtu ndezi ekonominë në mandatin e tij të parë duke ulur taksat dhe duke shpërndarë pagesat për Covid-19. Këtë herë, Amerika ka deficite buxhetore në një shkallë të parë vetëm në luftë dhe kostoja e shërbimit të borxheve është më e lartë. Uljet e taksave do të ushqente inflacionin, jo rritjen ekonomike.
Jashtë vendit, mandati i parë i Trump ishte më i mirë se sa pritej. Administrata e tij i dha armë Ukrainës, ndoqi një marrëveshje paqeje midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit dhe i detyroi vendet evropiane për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Politika e Amerikës ndaj Kinës u bë më e ashpër.
Indiferenca e Trump ndaj të drejtave të njeriut mund të forcojë marrëdhëniet me qeverinë e Narendra Modit në Indi dhe qeverinë Saudite.
Por një mandat i dytë do të ishte ndryshe, sepse bota ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të keqe që vendet të jenë transaksionale: ata janë të detyruar të vënë interesat e tyre në radhë të parë. Megjithatë, epshi i zotit Trump për marrëveshje dhe ndjenja e tij për interesat e Amerikës janë të pakufizuara nga realiteti dhe të paankoruara nga vlerat.
Trump gjykon se që Amerika nuk mund të shpenzojë gjak dhe para në Evropë.
Por duke e ditur se Amerika do të braktiste Evropën, Putin do të kishte një nxitje për të luftuar në Ukrainë dhe për të zgjeruar konfliktin në ish vendet sovjetike si Moldavia apo shtetet baltike. Pa presionin amerikan, Izraeli nuk ka gjasa të krijojë një konsensus të brendshëm për bisedimet e paqes me palestinezët. Duke llogaritur se zoti Trump nuk qëndron përkrah aleatëve të tij, Japonia dhe Koreja e Jugut mund të kenë armë bërthamore. Duke pohuar se Amerika nuk ka përgjegjësi globale për të ndihmuar në trajtimin e ndryshimeve klimatike, zoti Trump do të shtypte përpjekjet për ta ngadalësuar atë. Dhe ai është i rrethuar nga “skifterët kinezë” që besojnë se konfrontimi është mënyra e vetme për të ruajtur dominimin amerikan. E kapur mes një presidenti që bën marrëveshje dhe zyrtarëve të tij luftënxitës, Kina mund të bëjë llogaritjen e gabuar mbi Tajvanin, me pasoja katastrofike.
Zgjedhjet që kanë rëndësi
Një mandat i dytë i Trumpit do të kishte një pikënisje, të cilin i pari nuk e kishte Fitorja do të konfirmonte instinktet e tij më shkatërruese për pushtetin. Planet e tij do të hasnin më pak rezistencë. Dhe për shkak se Amerika do ta ketë votuar atë duke ditur “më të keqen”, autoriteti i saj moral do të binte. Zgjedhjet do të vendosen nga dhjetëra mijëra votues në vetëm një pjesë të vogël të shteteve. Në vitin 2024, fati i botës do të varet nga votat e tyre./ Marrë nga The Economist
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.