Të heqësh dorë nga emri yt, për të krijuar një emër më të madh - Business Magazine Albania

Të heqësh dorë nga emri yt, për të krijuar një emër më të madh

Le Bon

Historia e Le Bon, përmes transformimit të brandit

Shkruar nga Geri Kolgega

LeBon është një nga bizneset jo të zakonshme në Tiranë. Formati i saj bie në sy të konsumatorit, duke përmbushur mesazhin francez që ajo ka vendosur ta ketë si emër, “Le Bon” përkthyer shqip “E Mira.” 

Por jo gjithmonë Le Bon ka qenë ashtu siç paraqitet sot, një kompani e strukturuar dhe që funksionon si një fizarmonikë. Sipërmarrësit e kanë nisur me një biznes familjar, një furrë buke, ndërsa për shumë vite u morën me ofrimin e produktit më jetik dhe që ndodhet në tavolinën e çdo shqiptari, si buka. Por, edhe në këtë sipërmarrje, ata siguroheshin që të ofronin gjithmonë varietete, duke u bërë ndër të parët  që eksperimentonin me modele nga më të ndryshmet dhe duke u diferencuar nga konkurrenca. 

Të quajtur “Furra e Bukës Durrësi”, tre vëllezër Ledio, Andi dhe Gerti Peshkopia, bashkë me prindërit e tyre arritën që biznesin ta shtrinin në disa pika nëpër Tiranë, por kuptuan që herët a vonë, për të mbijetuar në treg, duhej të hiqnin dorë nga personifikimi me emra qytetesh apo emra personalë dhe të krijonin një brand të ri në treg, një markë e cila do t’u siguronte jetëgjatësi. Ajo solli krijimin e një kompanie, që do të funksiononte pa pasur nevojë për mbikëyqrjen e tyre të përditshme. 

Në këtë mënyrë nisi një aventurë e re për ta, aventura e jetës së tyre dhe lindja e LeBon. 

Fillimisht tre vëllezërit morën me qira një ambient pranë Zogut të Zi. Arsyet ishin të qarta: 1- ajo ishte një rrugë ku kishte shumë qarkullim, pasi ndodhet në hyrje të Tiranës. 2- prania e shumë bizneseve në zonë e bënte të domosdoshme ofrimin e shërbimeve të kafeterisë apo ushqimit dhe 3- ata gjetën sipërfaqen e nevojshme. Sipas filozofisë së sipërmarrjes së tyre, asnjë dyqan në pronësi të LeBon nuk duhet të jetë më i vogël se 300 metra katrorë. Pra, pasi konsoliduan këto faktorë, djemtë tashmë menduan për atë që do të ofronin në dyqanin e tyre.

“Ofrimi i kafes dhe pijeve jo-alkoolike ishte diçka e natyrshme që na erdhi në mendjen” thotë Gerti, njëri prej vëllezërve. Ai thekson se, tradita në Shqipëri është e tillë ku ne konsumojmë pamjaftueshëmrisht kafe si popull. 

“Ishte një produkt, që nuk e menduam dy herë. Do ta ofronim në biznesin tonë. Nga ana tjetër, kishim shumë vite në treg që punonim me furrën e bukës, ndërsa me kalimin e viteve, mamaja jonë kishte sugjeruar të fusnim edhe produktet e pastiçerisë. Një formulë që rezultoi e suksesshme për ne, pas disa kohësh eksperimentimi. Ndërkohë, donim që për herë të parë të mos ishim vetëm në këtë kuadër, por të shtriheshim edhe tek kuzhina. Kjo ishte pjesa më e vështirë për ne. Dihet nga të gjithë se sa e vështirë është të ruash dorën kur vjen puna tek kuzhina, të ofrosh produkte që janë të freskëta dhe të jenë gatime që t’u pëlqejnë njerëzve. Për më tepër, ishte një industri që nuk e njihnim fare. Dukej gati e pamundur të bësh bashkë: kafen, pastiçerinë dhe kuzhinën. Por, nuk u dorëzuam. Morëm shefat më të mirë që mund të gjenim, përgatitëm qindra receta, siguruam furnitorët më të mirë edhe pse me frikë se ushqimet nuk do të pëlqeheshin.” 

Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Krahas diskutimit për ndërlidhjen e tre sektorëve në një dyqan, ishte edhe pjesa e shërbimit. Djemtë vendosën që LeBon të ishte me vetëshërbim. Një zgjedhje e frymëzuar nga vetë koncepti i dyqanit. 

“Rrugës dolën vështirësi dhe lindën pikëpyetje: dikush që merrte ushqim, a mund të ulej edhe tek zona e kafesë apo e anasjellta?”. 

Por, LeBon po përgatitej që të bënte një revolucion të vërtetë në sektorin e shërbimit në Shqipëri dhe për këtë duhej një investim i madh, jo vetëm zgjidhje për pyetjet e vështira.

Mjaft avangardë për kohën, ata vendosin që për të gjithë projektin arkitekturor të dyqanit të tyre dhe krijimin e një ambienti të këndshëm të punësojnë një studio greke, ndër më të mirat në Ballkan dhe Europë. Bashkëpunimi me këtë studio solli në jetë konceptin e LeBon, me vitrinat, vetë-shërbimin dhe arredimin që të jep ngrohtësi që në kontaktin e parë. 

Lexo: Mëso Falas”, startup-i më i ri që ofron një platformë edukimi falas për të gjithë

“Nëse dikush hyn në dyqan dhe do të blejë një bukë, një ëmbëlsirë apo kërkon të ushqehet, ka hapësirën e tij, banakët e dedikuar dhe gjithmonë do ta marrë në kohë atë që kërkon. Ne donim që njerëzit të ishin të lirë dhe të vinin në një ambient ku edhe mund të hynin, të shikonin diçka dhe të dilnin pa i shqetësuar askush, tamam si një ekspozitë.” 

Investimi në arredimin e LeBon plotësohet me vendosjen e emrit. Tek vendosja e emrit të një biznesi, ashtu si te një fëmijë ndodh që të vjen menjëherë, por në shumë raste, duhet të përpiqesh shumë që të gjesh diçka që të pëlqen. Ata shprehen se kanë eksperimentuar shumë, por emri LeBon ishte vërtet një frymëzim momental për ta dhe diçka që ngjiti në mënyrën se si tingëllonte.

Kështu nisi punën LeBon, me dyqanin e parë në Zog të Zi, ndërsa tashmë i shtrirë në 5 pika të Tiranës. 

Edhe pse kanë kaluar shumë vite “LeBon” vazhdon të ruajë të njëjtën cilësi tek të gjitha produktet e tyre. Ky ishte dhe kurioziteti im, si e kanë arritur ata diçka të tillë. 

“Kur vjen puna tek ëmbëlsirat, është vetëm çështje matematike. Duhet të llogarisësh në masën e duhur dhe të zgjedhësh me kujdes të gjithë përbërësit. Nëse diçka nuk shkon me shijen e tyre kuptohet menjëherë dhe fatmirësisht njëri prej nesh është me një talent të lindur në këtë pjesë. Ai gjithmonë bën kontrollin e cilësisë te produktet e ëmbëlsirës. Ne gjithashtu sigurohemi që nëse një produkt nuk shitet gjatë ditës, ta heqim nga qarkullimi dhe të bëjmë një analizë çdo natë, se cilat produkte janë shitur dhe cilat jo, për të vendosur më pas cilat do të shkojnë në prodhim. Në kuzhinë kemi nga një shef në krye të çdo pike. Atyre u kemi lënë dorë të lirë dhe u kemi dhënë të gjitha mjetet në dispozicion që të ruajnë cilësinë. Një faktor kyç është fakti se nuk i kemi ndryshuar furnitorët tanë, pavarësisht çmimit të lëndës së parë. Është shumë e rëndësishme për ne që lënda e parë, me të cilën kemi gjetur cilësinë e duhur të mos ndryshojë”. 

Më tej pyetja që shtroj është për procesin e vendimmarrjes në hapjen e një dyqani të ri: 

“Tek kjo pjesë kemi metodën tonë, e cila funksionon në mënyrë të tillë. E para, ne duam që dyqanet LeBon t’i blejmë dhe jo të paguajmë qera. Kështu kemi funksionuar gjithmonë. Së dyti, nuk duhet të jetë me vogël se 300 metra katrorë dhe së treti, ne bëjmë një matje speciale për vendin ku duam të hapim dyqanin. Kështu, llogarisim se sa këmbë njerëzish shkelin para dyqanit, në këtë mënyrë nëse numri është i lartë, për ne është e sigurtë që edhe dyqani do të ketë xhiro. Këtë e kemi mësuar nga një biznes austriak.” 

Lexo: A munden kriptovalutat të sfidojnë dominimin global të dollarit?

Të gjitha këto metoda dhe teknika që vëllezërit kanë implementuar në biznesin e tyre e kanë bërë padyshim LeBon një histori suksesi. Të tre vëllezërit, i kanë ndarë funksionet kryesore të menaxhimit të biznesit sipas pikave ku ata ndihen më të fortë. Njëri prej tyre është më i aftë më çështjet ekonomike, tjetri me procedurat ligjore dhe përballjen me institucionet shtetërore, ndërsa një tjetër merret me menaxhimin e burimeve njerëzore. 

Kjo tërhoqi edhe vëmendjen time. Sot, Shqipëria padyshim ndodhet në një krizë sa i përket burimeve njerëzore dhe fuqisë punëtore, që gjithmonë e më shumë është duke u larguar. Por ai theksoi se, “Stafi merr vëmendjen dhe prioritetin po aq sa cilësia e produkteve, pasi e kemi kuptuar sa e vështirë është të gjesh njerëz të kualifikuar”. Le Bon punëson studentë dhe shpesh haset para sfidave të orareve të shkollës, të cilat janë shumë të çrregullta dhe janë bërë shpesh burim që të largohen nga puna. “Nga krahu tjetër, shohim që nxënësit që  vijnë nga shkollat e mesme profesionale apo studentë të fushës së kulinarisë kanë koncepte të gabuara dhe na duhet t’i trajnojmë nga e para”, thotë një prej sipërmarrësve të Le Bon. 

Standardi është gjithashtu një term i rëndësishëm dhe për të cilën investohet shumë në LeBon 

“Për ne fjala standart është shumë e rëndësishme, sepse kur shkon tek LeBon njerëzit duhet ta presin se çfarë do të marrin dhe kjo duhet të ndodhë çdo herë që një klient blen një produkt tonin. Prandaj nga zinxhiri i furnitorëve tek trajnimi i punonjësve ne duam që të jemi sa më konsistentë për të përcjellë vlerat dhe mësimet që kemi marrë nga eksperienca”. 

Modeli i biznesit të LeBon frymëzon. 

Mënyra se si sipërmarrësit hoqën dorë nga personalizimi i emrit të kompanisë, përpjekja për ta futur kompaninë në shinat e standardit, ndjekja rigoroze e disa rregullave i ka bërë ata padyshim të diferencohen në treg, në mënyrën se si ofrojnë shërbime që janë pjesë e përditshmërisë sonë. 

LeBon kujdeset deri në detaje për krijimin e imazhit të saj. Stafi ka rregullore etike, të cilat ndiqen nga të gjithë në kompani. Këto rregullore përfshijnë nga pushimi i drekës për punonjësit, tek pirja e cigareve dhe tek moslejimi i asnjë familjari në banakët e biznesit. Jo më kot thonë që “djalli qëndron në detaje” dhe LeBon sigurisht është një Titanik; mund të shohim majën e suksesit të saj, por në thellësi qëndron një “armatë” e mbushur me strategji biznesi.

Artikulli u publikua më parë në faqen 74 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0