Emigracioni, kurba që nuk ulet - Business Magazine Albania

Emigracioni, kurba që nuk ulet

Emigracioni

Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qenë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT në 30 vitet e fundit, emigrantët jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend. Ku po shkon sot kurba e largimit?

INSTAT: Emigracioni dëmton forcën punëtore

INSTAT raportoi se popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) u tkurr me 16.2 mijë persona gjatë  2020 (gati -1%). Por, në grupet e reja, rënia ishte më e fortë. Kjo lidhet me dy faktorë themelorë: rënia drastike e lindjeve pas vitit 2000 dhe niveli i lartë i emigracionit në moshat e reja. Vitin e kaluar, INSTAT raportoi se emigruan nga vendi rreth 24 mijë persona. 

Rënia e popullsisë po ushtron presion tek forca e punës, e cila është në një cikël tkurrës pa kthim, për shkak të lindshmërisë së ulët dhe emigracionit të lartë.

Bizneset ankohen se forca e punës në grup-moshat e reja po tkurret me shpejtësi. Njësitë e shërbimeve, hotele dhe restorante në të gjithë vendin, sidomos në zonat turistike, sektori fason dhe call center po ndjejnë mangësitë. Kriza pandemike pritet të ketë ndikim shtesë negativ në treguesit demografikë. 

Ilir Gëdeshi, ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, tha se krizat ekonomike në Shqipëri janë pasuar nga valë emigracioni. Krizat e vitit 1990, 1997 dhe 2008 e kanë vërtetuar këtë fakt. Edhe kriza pandemike, sipas zotit Gëdeshi, rrezikon të përshkallëzojë emigracionin në vend. Vitet e ardhshme do të tentojë të ikë pjesa që kishte planifikuar dhe nuk emigroi gjatë pandemisë. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 35 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaJu mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Përkeqësimi i kushteve të ekonomisë mund të nxisë të tjerë emigrantë që para pandemisë nuk kishin planifikuar të largoheshin, tha zoti Gëdeshi. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kriza e pandemisë ka kthyer tendencat e vjetra të emigracionit. Në planin afatshkurtër, pandemia mbylli kufijtë dhe kufizoi udhëtimet, duke ulur përkohësisht emigrimit. Sidoqoftë, goditjet që pandemia ka dhënë në ekonominë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim, lajmërojnë valë të reja emigracioni.

Shifrat ekstreme, por a ka kthime?

Emigracioni i vazhdueshëm dhe në nivele të larta po vë në pikëpyetje të ardhmen e një zhvillimi të qëndrueshëm të Shqipërisë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se nga viti 2011, kur raportohen për herë të parë të dhënat, deri në 2020-ën, janë larguar nga vendi 423.7 mijë persona (emigrantë). Për të njëjtën periudhë, u kthyen 242.8 mijë imigrantë, duke bërë që migracioni neto për këtë periudhë të jetë -181 mijë persona. 

Lexo: McDonald’s dhe Burger King paditen për përdorimin e kimikateve në produktet e tyre

Gjatë vitit 2020, edhe pse pati kufizime të lëvizjeve, emigracioni neto (diferenca ndërmjet të larguarve dhe të kthyerve në vend) ishte 16 mijë e 684 persona. (Ikën 23.854 persona dhe u rikthyen vetëm 7.171).

Në një raport për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës përllogariti se gjatë 2010-2019 ikën nga Shqipëria 499 mijë persona. Të dhënat u morën nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende joanëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende.

Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë, sipas Bankës Botërore. Për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Bie numri i familjeve

Edhe numri i familjeve në vend ra për të dytin vit radhazi, duke reflektuar plakjen graduale të popullsisë dhe ritmet e larta të emigracionit. Pikërisht, përshpejtimi vitet e fundit bëri që të kemi edhe largime familjare.

Në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, ndaj një viti më parë. Anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje gjatë Prill-Korrik 2019 zbuloi faktin e frikshëm të dekadës së kaluar: fenomeni është zgjeruar në emigrimin e të gjithë familjes. Në 10-vjeçarin e fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare. Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug. Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. 

Por, krahas faktorëve bazë, shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Faktorë si, mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit, renditen gjithashtu tek argumentat pro emigracionit. 

Call center dhe IT ,sektorët që preken nga ikja e të rinjve

Emigracioni masiv i të rinjve ka prekur rëndë shërbimin call center, që konsiderohet si oaz i punësimit të tyre. 

Lorenc Goga, administrator i “Facile.it” thekson se prej 2-3 vitesh, kompania po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të rinj. Kësaj plage, i shtohen edhe rekrutimet e reja dhe konkurrenca e pandershme nga lulëzimi i platformave të paligjshme Forex. 

“Parashikojmë për vitin 2022 të rrisim numrin e punonjësve, nëse oferta e tregut për burime njerëzore do të arrijë të plotësojë kërkesën tonë. Prej gati 3 vitesh, sektori call center po vuan gjetjen e punonjësve të rinj. Nevojat e kompanisë nuk janë për 2-3 punonjës më shumë në muaj, por për 20 rekrutime të reja. Vitet e fundit, shumë të rinj janë larguar nga Shqipëria, ndërsa shumica e të rinjve që intervistojmë nuk njohin gjuhën italiane, kur 90% e tregut call center kërkon domosdoshmërisht njohjen e kësaj gjuhe. Në Shqipëri, mungon gjenerata e të rinjve që ishin pas viteve ’90, të cilët mësuan italisht në mënyrë autodidakte nga televizioni”,- thotë z. Goga.

Edhe për Gjergji Robo, menaxher ekzekutiv i kompanisë “Smart Work”, emigracioni lë pak forcë punëtore efikasë për sektorin që operon dhe kjo e bën më të vështirë gjurmimin e talenteve të reja. Megjithatë, ai thotë për Business Mag se, duke marrë shkas nga ky fakt, kanë ndërmarrë një iniciativë të re.

Lexo: Twitter bën hapin e radhës për të lejuar krijuesit të marrin pagesa në kriptomonedha

Ne po orientohemi drejt punës digjitale dhe nuk përbën shqetësim vendi ku është punonjësi. Ndaj, kemi hasur shpesh profesionistë të rinj, të cilët kryejnë punët e tyre on remote nga Shqipëria për kompani botërore. Në tregun e ICT, kompetitorë janë kompani nga e gjithë bota. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 35 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0