Një treg ende i papërgatitur për të pritur punonjës të huaj - Business Magazine Albania

Një treg ende i papërgatitur për të pritur punonjës të huaj

punonjës

Në Shqipëri po mungojnë edhe punonjësit e pakualifikuar. “Avantazhi” i pagave të ulëta për 30 vite dhe pak vëmendje tek burimet njerëzore, po bëjnë që vendi të paguajë kosto të larta. 

Punësimi është kthyer në një problem serioz për kompanitë shqiptare. Mungesa e stafit dhe punonjësve të kualifikuar ka nisur të shfaqet me kohë në vendin tonë, por tashmë shqetësimi është shtrirë në të gjithë sektorët dhe vështirësitë hasen edhe në gjetjen e punonjësve të pakualifikuar. 

Bizneset po vuajnë për të gjetur punonjës të profesioneve bazike si pjatalarës, pastrues, kamarierë, banakierë dhe të tjerë. Në faqen e Zyrës së Punës, çdo muaj shtohen kërkesat për punonjës, ndërsa papunësia në vend është në nivelin 11.3%. Fenomeni i lëvizjes së një punonjësi po njihet në SHBA dhe Europë me termin “Epoka e Dorëheqjeve”, ku shumë punëtorë kanë dhënë dorëheqjen pas ndryshimeve drastike që solli në mendësinë e tyre izolimi gjatë pandemisë. Por, në Shqipëri arsyet janë më të thella. Shumë biznese, u detyruan t’i pushojnë punonjësit për të ulur kostot, ndërsa mbështetja me paga lufte e qeverisë ishte modeste. Nga krahu tjetër, emigracioni ka “gërryer” rreth 2 milionë shqiptarë gjatë 20 viteve të fundit. Impakti po ndihet menjëherë tek bizneset, sidomos ato të shërbimit dhe turizmit.

Edvin Dule është menaxher i “Resort Eter” në Golem të Kavajës. Ai shprehet se, kjo mungesë e fuqisë punëtore po pengon bizneset të operojnë. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Sipas Dules, problemet me stafin kulmojnë në sezonin e verës, pasi edhe pse është bërë lidhja me agjencitë e punësimit, shumë prej punonjësve që pranojnë të vijnë, tërhiqen në moment të fundit. “Ata zgjedhin më shumë të punojnë në pjesën jugore të vendit, ndërsa shpresh ikin edhe në Europë apo në vendet fqinje, ku gjejnë paga më të mira”, sipas tij. 

Mbajtja e stafit të kualifikuar bëhet më e vështirë në dimrit, sipas z. Dule. “Profesioni i shërbimit njihet si zgjidhje afatshkurtër për të bërë para të shpejta dhe më pas largohen drejt profesioneve të reja ose largohen përfundimisht nga vendi”. 

Në kushtet e kësaj krize, sipas z. Dule po mendohet edhe ideja për të afruar punonjësit e huaj: 

“Kemi vështirësi me gjetjen e stafit dhe në këto kushte po mendojmë seriozisht për të marrë staf të huaj, duke parë edhe nga biznest e tjera përreth nesh që po veprojnë në të njëjtën mënyrë. Kemi filluar të interesohemi për të parë se cilat janë tregjet nga ku mund të marrim punëtorë dhe deri më tani na janë shprehur se punonjësit nga Filipinet janë më të përshtatshëm në sektorin e shërbimit. Ne po mendojmë të lidhemi me disa agjenci në mënyrë që të kryejmë këtë procedurë”. 

Por, hezitimi sipas tij është ende i madh, sepse punonjësit e huaj e shohin vendin tonë si tranzit drejt Europës. “Ka raste kur janë larguar, pasi kanë ndenjtur një kohë të shkurtër. Ne i druhemi kësaj, ndaj po përpiqemi të funksionojmë me stafin që gjejmë në zonat përrreth si dhe vazhdojmë kontaktin e përditshëm me agjencitë e punësimit për të rekrutuar të rinj”.

Artikulli u publikua më parë në faqen 35 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Pak vëmendje tek formimi. ekspertët: po paguajmë kostot

Erion Muça, profesori dhe eksperti i punësimit tha për Businessmag se, Shqipëria po paguan sot koston e lartë të neglizhencës së sipërmarrësve ndaj burimeve njerëzore. Njerëzit janë konsideruar gjithmonë dorë e dytë në operacionet e një biznesi, sipas tij. E ndërthurur edhe me mungesën e produktivitetit në ekonominë tonë dhe thellimin e pabarazisë ndër vite, ka bërë që Shqipëria të gjendet në një situatë kritike për fuqi punëtore. 

Si e parashikoni të ardhmen e kësaj situate?

Mungesa e të pakualifikuarve, (zanatçinjtë me arsim elementar deri të mesëm) do të rritet në vijim, falë ofertës më të mirë nga vendeve europiane. Ato po liberalizojnë mundësitë e vizave dhe kontratave të punës për profilet që nuk duan t’i bëjnë vendasit. Plakja e popullsisë dhe nevoja për këta punonjës kthehet në emergjencë. Tjetër arsye është bindja e të rinjve për të mos iu nënshtruar punëve elementare në përputhje me formimin dhe arsimin që kanë, por të gjurmojnë punë të cilat ofrojnë një marzh më të lartë të ardhurash në një periudhë më të shkurtër, duke braktisur punë me një stërmundim të lartë fiziko-mendor. Arsyeja tjetër, mendoj se është mospërshtatja dhe shpërfillja e rëndësisë së trajnimeve dhe kualifikimit të vazhdueshëm të punonjësve me nevojat specifike që kërkojnë kompanitë. 

Shërbimi dhe ndërtimi janë dy prej sektorëve që po vuajnë më shumë mungesën e fuqisë punëtore. Jo vetëm Europa, por edhe rajoni është duke thithur forcën tonë punëtore. Si arritëm deri këtu? 

Sipërmarrja shqiptare vetëm tani po ndjen efektet negative të drejtimit dhe menaxhimit të gabuar lidhur me burimet njerëzore. Mungesa e kulturës dhe konceptit të marrëdhënies njerëzore dhe profesionale dhe trajtimit të punonjësve si aset i çmuar ka ndërtuar fatkeqësisht perceptimin dhe stereotipin në treg të fuqisë punëtore, se punëdhënësi është ende i prapambetur në filozofinë e drejtimit dhe kërkon të shfrytëzojë dhe jo të ndërtojë partneritet me punonjësin e vet. Ne arritëm në këtë pikë se të drejtat e punonjësve kanë qenë inekzistente dhe se ende sipërmarrësit kanë probleme të mëdha në organizimin e brendshëm, duke sjellë si pasojë një indiferencë, shpërfillje dhe përbuzje ndaj punonjësve të tyre, duke mos i mbështetur dhe stimuluar ata, jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht. Ne kemi arritur deri këtu se të gjithë stresin dhe depresionin nga konkurenca e egër dhe e pandershme, sipërmarrësit e kanë transferuar tek presioni dhe sforcimi i punonjësve për të arritur objektiva të paarritshme, duke marrë peshën e përgjegjësisë edhe të gabimeve të sipërmarrësit. Pavarësisht rritjes së produktivitetit në ekonomi, rritja e të ardhurave të kompanive dhe bizneseve nuk u shoqërua me shpërndarje në rritje pagash, duke sjellë një zhgënjim në masë për punonjësit e angazhuar. 

Si mendoni se do të reagojnë bizneset ndaj kësaj situate?

Do reagojnë duke rritur pagat dhe përmirësuar kushtet e punës. Bizneset do të jenë më të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj punonjësve të tyre dhe do bëhen më analitikë për të shqyrtuar me kujdes çdo kërkesë dhe problem të tyre. Ata do të duhet të jenë më të interesuar të krijojnë klimën e duhur dhe mjedisin e përshtatshëm për punonjësit që të ndihen mirë dhe ta bëjnë me dëshirë punën e të jenë tolerantë ndaj raportit midis punës dhe jetës sociale të punonjësit të tyre. Po ashtu, ato do të duhet të ndërtojnë sistemet dhe mekanizmat e duhur të vlerësimit dhe motivimit të punonjësve bazuar në angazhim, efiçencë, performancë dhe rezultate në punë.

Ka tentativa nga bizneset për të zëvendësuar forcën vendase me punëtorë të huaj. Si e shikoni këtë trend?

Marrja e punonjësve të huaj ka funksionuar shumë pak dhe për sektorë specifikë. Në masë ka dështuar. Para këtij procesi duhej ndërtuar strategjia dhe politikat përshtatëse të tyre. Duheshin analizuar nevojat e bizneseve shqiptare, vlerësuar paketa e benefiteve të ofruara dhe matur aspekti i zvogëlimit të burokracive proceduriale të dokumentacionit, pa të cilat, vullneti për ta vlerësuar si alternativë nuk do të kishte sens. Diferencat sociale dhe kulturore si dhe synimet e kundërta midis interesit të bizneseve dhe synimit të tyre duhet të kishin plane dhe platforma konkrete sesi të trajtoheshin, për të krijuar terrenin e duhur të një qëndrueshmërie afatgjatë të punonjësve të huaj në Shqipëri.

Nëse ky trend nuk funksionon, atëherë bizneset duhet të rrisin dhe standardizojnë ofertën e tyre për punë, duke përmirësuar dhe rritur mundësitë për paga të larta, mundësi për zhvillim të brendshëm dhe promovim në karrierë, duke konkuruar brenda tregut me një gamë të diversifikuar të opsioneve profesionale për punonjësit. 

Lexo: Raporti/ Rritet rreziku i pastrimit të parave. Skemat që përdoren nga abuzuesit

Cila duhet të jetë axhenda e ardhshme e qeverisë për tregun e punës? 

Informaliteti i lartë dhe paqartësia e statistikave për këtë fenomen, e bën më të vështirë.

Nevojiten politika publike për të parë urgjentisht hapësirat dhe alternativat për punë, formim dhe profesione, për të patur një ofertë sa më dinjitoze për të rinjtë, duke edukuar dhe informuar nxënësit në shkolla se për çfarë ka nevojë tregu dhe si të arsimohen në funksion të tij si dhe për të ndërtuar platforma dhe programe kombëtare efiçente për testimin, trajnimin dhe zhvillimin profesional të të papunëve në profilet dhe pozicionet e mundshme të punës në treg.

Marsel Kalemi: Kompanitë të fokusohen tek rritja e pagave dhe formimi

Pasojat e këtij fenomeni kanë filluar të ndihen që në 2018-2019, por do thellohen më shumë gjatë 2022. Në bisedat e sotme shprehja “nuk ka punë” është zëvendësuar nga “nuk ka punonjës”. 

Mungesa e punonjësve në treg do të bëjë që kompanitë nuk do të konkurrojnë më për klientë, por për punonjës: paga më të larta, incentiva, trajnime dhe zhvillim të punonjësve. 

Ajo kompani që gjen punonjësit më të mirë dhe është e aftë t’i mbajë, do të jetë e suksesshme nesër. Shprehja “kaq mundësi kam të të paguaj” do të zëvendësohet me “sa e dëshiron pagën?”. 

Së bashku me vëllain tim Ervin Kalemi, themeluesin e “Publer”, besoj se jemi të parët që filluam një lëvizje sfiduese në tregun e punës: të dyja kompanitë “Publer” dhe “Kalemi Travel”, për herë të parë bëmë publike pagat e ofruara në njoftimet e punës. Reagimi ishte i menjëhershëm. Punëkërkuesit e mirëpritën këtë dhe brenda 7 ditësh, u shfaqën njoftimet e para të punës nga kompani të tjera me paga publike.

Lexo: Si e zhvilloi rrjetin më të madh francise në Shqipëri dhe Rajonin e Ballkanit

Publikimi i pagave dhe rritja e tyre është vetëm hapi i parë për një ndryshim thelbësor në tregun e punës, pasi është lëvizja që kërkon më pak energji dhe kohë për të tërhequr punonjës të mirë. Më pas, konkurrenca e kompanive do të vazhdojë me zhvillimin e punonjësve të tyre. Do të ketë pensione private, sigurime shëndetësore, ndoshta edhe pushime të paguara. Me pak fjalë, do jetë një garë e vërtetë midis bizneseve për të mbajtur punonjësit më të mirë.  Mendoj se me këto oferta pune, shqiptarët do e rimendojnë emigrimin. Gjithashtu, shërbimi dhe kujdesi ndaj klientit do të përmirësohet ndjeshëm, sepse punonjësit do të jenë të trajnuar, por mbi të gjitha nuk do “punojnë më për tjetrin”, por do punojnë për veten e tyre, do trajnohen, do zhvillohen, do mirëpaguhen. 

E gjithë kjo lëvizje do të këtë edhe anën negative, pasi pagat, pensionet, zhvillimi, trajnimi përkthehen në kosto të shtuar. Kjo do të çojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.  Pra, në vitet në vazhdim mendoj që do të ketë një përmirësim të dukshëm të pagave dhe zhvillimin profesional të punonjësve, e cila do përkthehet në çmime më të shtrenjta për konsumatorët.

Programe formimi po mbështesin tregun 

B4Students, nisur në Maj të vitit 2021, është ndër programet në vend që kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin profesional dhe integrimin e studentëve në tregun e punës. Ndërtuar në kuadër të përgjegjësisë sociale të Grupit BALFIN, programi jep një ndihmesë të konsiderueshme për studentët në Shqipëri, që kanë synim të aftësohen në profilin që studiojnë, nëpërmjet pjesëmarrjes në programin e Praktikës & Punësimit, si dhe aktivitete të tjera të B4Students, që lehtësojnë procesin e aftësimit profesional dhe punësimin të tyre sa më të hershëm, në shoqëri të Grupit BALFIN, por edhe më gjerë. 

Oltjon Valisi, drejtues i B4Students, tregon se programi në mënyrën se si është dizenjuar, nëpërmjet aktiviteteve të shumta e të shtrira përgjatë gjithë vitit, plotëson një spektër të gjerë të nevojave të të rinjve në mënyrë të vazhdueshme. 

Ndikuar edhe nga nevojat e tregut, krijuar edhe nga rrethana si tërmeti dhe pandemia, si dhe interesi shumë i lartë i studentëve për mundësi aftësimi dhe zhvillimi në karrierë, z. Valisi tregon se për këtë vit, programi ka dyfishuar kapacitetin e tij për të mundësuar një përfshirje sa më të lartë.

Albina Bardhi, përfaqësuese e Praktika.al thekson se, “trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve aktualë dhe potencialë, si dhe ekspozimi me të rejat e punës janë të domosdoshme”. 

Sipas saj, dallon numri relativisht i lartë i të rinjve të dekurajuar, që shpesh shohin emigrimin si zgjidhjen e vetme. Punonjësit jo gjithmonë kanë aftësitë që kërkojnë kompanitë dhe programet akademike u japin studentëve kryesisht njohuri teorike, por dështojnë në aplikimin e njohurive në praktikë. Nga ana tjetër, kompanitë kërkojnë punëtorë me aftësi praktike dhe kualifikime specifike që vetëm diploma nuk i siguron.

Shumë nga programet e disponueshme në Shqipëri, sipas Bardhit, synojnë të mbështesin kandidatët në kërkimin e punës në vend që të inkurajojnë punëdhënësit të ofrojnë kontrata praktike.

Nëse të rinjve u jepet akses në programet e praktikës profesionale, ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë, përvojën dhe besimin për të përmbushur pritshmëritë e punëdhënësit, duke mbyllur kështu hendekun në tregun tonë të punës. Këtë ofron Praktika.al

Albina tregon se, platforma krijon mundësi reale për praktika profesionale për të rinjtë, me qëllim rritjen e mundësive për punësim dhe rritje efikasiteti e produktiviteti të bizneseve. Ofron një mjedis që ndihmon planifikimin e karrierës dhe zhvillimin personal duke fituar dije dhe aftësi teknike dhe personale. 

Kompanitë mund të:

  • ndërtojnë profilin e tyre duke promovuar mjedisin dhe kulturën e punës, 
  • të shpallin njoftime për praktika dhe 
  • të kontaktojnë direkt kandidatë potencialë. 

Studentët dhe nxënësit po ashtu kanë mundësi 

  • të informohen mbi mundësitë që tregu i punës ofron, 
  • të praktikojnë aftësitë që marrin në shkollë, 
  • të orientohen drejt zgjedhjes së duhur të karrierës duke bërë të mundur edhe kalimin më të lehtë nga universiteti në tregun e punës.

Sipas saj, sfida sot është integrimi i të rinjve në tregun e punës dhe mbajtja e potencialit human brenda vendit.

 “Praktikat janë të disponueshme në shumë profesione, duke ofruar mundësinë për të fituar përvojë reale pune krahas studimeve akademike”, thekson ajo.

Nga ana tjetër, hapësira kohore dhe fizike për t’iu dedikuar procesit të transmetimit të aftësive ndonjëherë duket e kufizuar. Kjo i demotivon të rinjtë që shpesh e kanë të vështirë të përshtaten me mjedise të reja, sidomos në një mjedis ku u duhet të testojnë apo të gjejnë veten. Tregu sipas saj është dinamik, ndaj edhe modeli i praktikës profesionale duhet të jetë fleksibël dhe t’u përshtatet vazhdimisht ndryshimeve të tij.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0