Raporti/ Rritet rreziku i pastrimit të parave. Skemat që përdoren nga abuzuesit - Business Magazine Albania

Raporti/ Rritet rreziku i pastrimit të parave. Skemat që përdoren nga abuzuesit

Rritet rreziku i pastrimit të parave në Shqipëri. Rreth 1600 raste të aktivitetit të dyshimtë janë raportuar nga institucionet pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave vitin që lamë pas, gati 200 raste më shumë se në 2020-ën. Raportimet nga sistemi bankar kryesojnë listën me më shumë raste, por ajo që vihet re është një rritje e tyre nga noterët, Kadastra dhe institucionet e mikrokredisë.

50 raste të dyshimta për pastrim parash janë raportuar në Prokurori, mbi gjysma e tyre në Prokurorinë e Posaçme, në Polici numërohen 208 të tilla, ndërsa në Tatime janë referuar 24 raste me dyshime për evazion fiskal e fshehje të ardhurash.

Për pjesën më të madhe të rasteve të dërguara në organet e drejtësisë nuk dihet vepra e origjinës, ndërsa pjesa tjetër dominohet nga krimet në fushën e narkotikëve në rritje me vitin paraardhës.

Shqetësuese paraqiten shifrat për mashtrimet financiare e kompjuterike me 21 të tilla si dhe ato të investimeve nga grupet kriminale e rritje rastesh konstatohet edhe për shpërdorim detyre e korrupsion.

Lexo edhe: Shqipëria nuk ka bërë ndonjë përmirësim të dukshëm kundër pastrimit të parave

Por, cilat janë skemat më të përdorura nga individët e subjektet për pastrimin e parave?

Një nga tipologjitë lidhet me investimet e mëdha në prona e pasuri të paluajtshme me fonde nga të cilat nuk bëhet i ditur burimi i tyre, përfshirja e personave me precedentë penale në shoqëri ndërtimi apo blerje e pronave nën çmimin e tregut dhe rivlerësim i tyre brenda një kohe të shkurtër.

Një tjetër praktikë e përdorur është edhe përfshirja e personave të tretë në fushën e ndërtimit, përdorimi i kredive si mjet me qëllim mbulimin e burimit real të fondeve apo këmbimi i pronave nën çmimin real të tregut duke e bërë kështu sektorin një ndër më me risk në pastrimin e parave.

Të tjerë për të zhbërë veprat penale, përdorin transfertat e dyshimta me përfshirjen e bizneseve apo shtetasve të huaj pa dokumente mbështetëse, bëjnë dhurime apo japin hua për palë të treta që nuk justifikojnë transaksionet.

Investimet në mallrat e luksit si makina të shtrenjta apo mallra të tjera që nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të fondeve janë një tjetër metodë që përdorin personat për formalizimin e parave të tyre të pista.

Pjesë e skemave më të përdorura janë edhe transfertat e dyshimta me vendet e konsideruara me risk apo transaksionet nga profesionistë të lirë për përfitime të dyshuara si të paligjshme.

Përpjekjet me hartimin e ligjeve kundër pastrimit të parave janë të shumta, por rritja e rasteve të dyshimta tregon se janë të pamjaftueshme edhe për ta nxjerrë vendin nga e ashtuquajtura lista gri e pastrimit të parave në të cilën iu rikthye në vitin 2020.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0