Suksesi është më i sigurt kur afër ke një mentor

Suksesi është më i sigurt kur afër ke një mentor


Ka njerëz, të cilët kanë më shumë eksperiencë, më shumë njohuri, të cilat ti ndoshta nuk i ke. Të bësh gjëra të mëdha është e vështirë. T’i bësh ato vetë, shpesh është e pamundur. Ja përse të gjithë drejtuesit e mëdhenj kanë mentorë dhe mentorojnë njerëz të tjerë. Nuk ka rëndësi sa ambicioz jeni, sidomos në hapat e parë të karrierës. Suksesi është një sport skuadre.

Steve Jobs kishte Bill Campbell si mentor; Mark Zuckerberg kishte Steve Jobs; Bill Gates kishte Warren Buffett. Që nga lashtësia mentori ka qenë një figurë e pranishme. Në veprën e Homerit, ai shfaqet për të ndihmuar Odisenë, duke u kujdesur për djalin e tij përpara se të nisej në Luftën e Trojës.

Sa më lart që ngjitesh në pozicione aq më i vetmuar fillon të ndjehesh dhe sa më shumë që fillon e jeton dhe mendon si një sipërmarrës aq më i shkëputur nga të tjerët bëhesh. “Për të patur një mentor duhet të duash të punosh për të ndërtuar veten, por përgatitu sepse ky ndryshim kërkon sakrificë dhe mos prit që njerëzit të të kuptojnë ose duartrokasin”, thotë Gerion Treska, Entrepreneurship Community Facilitator, Sipërmarrës.

Gjithçka nis me një marrëdhënie, mirëbesim, përkushtim e përgjegjshmëri gjatë gjithë kësaj marrëdhënieje.

Roli i mentorit lidhet me zhvillimin dhe qëndrueshmërinë gjatë gjithë jetës. Mentori nuk është si një aparat pijesh freskuese apo çokollatash që sa herë nevojitet një këshillë nga eksperienca apo njohuria e tij, ti fut monedhën dhe të del ajo që kërkon.

A mund ta konsiderojmë një profesion? “Nuk është një profesion, është diçka që ti dhuron dhe qëndron e lidhur fort si karakteristikë me karakterin tënd si person”, thotë z.Treska.

Karakteristika kryesore e një mentori është “dhënia”. Nëse dëshiron të dëgjosh të tjerët, të jesh empatik por edhe kritik, inkurajues, kërkues si dhe i përkushtuar, këto janë përbërësit e parë të mirë për të nisur si një mentor.

Por, ka dhe nga ato raste që nuk e shohin të rëndësishëm rolin e një mentori në jetën e tyre. Gary Vaynerchuk, një shembull suksesi, udhëzon: “Luaj këmbët, tundu, bëj gjërat të ndodhin, NUK të duhet një mentor”. Dhe mbase si Gary, ka plot raste njerëzish të suksesshëm që mund t’ia dalin edhe pa mentorë.

Pa shkuar shumë larg, mentorët mund t’i gjejmë në përditshmërinë tonë, në rrethin tonë të ngushtë. A mund të paguhet një mik që të dëgjon, sakrifikon për të qenë me ty dhe është i interesuar për zhvillimin tënd?! … Nuk presim një përgjigje për këtë.

Lexoni: 7 Mentorë që tashmë i keni, por nuk i dalloni!

“Në Shqipëri kemi njerëz të gatshëm të jenë mentorë, sidomos vitet e fundit. Madje nëse mbani mend historitë që nisin ‘ka qenë një plak që na këshillonte…’, po flasim për një MENTOR,” thotë për businessmag z. Treska, “Ajo çfarë duket më pak në shoqërinë tonë është nevoja, dëshira dhe kërkesa për të qenë i mentoruar”.

Treska, me përvojë në fushën e mentorimit, na tregon se mentori NUK DUHET të marrë vendime për ty. Ai/ajo është aty të të shoqërojë në procesin e vendimmarrjes përmes të dëgjuarit, pyetjeve, mbështetjes emocionale, eksperiencës dhe njohurive të veta. Është në dorën e të mentoruarit nëse vendos ose jo t’i ndjekë këshillat. 

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e një marrëdhënieje është diçka që kërkon kohë, energji dhe sakrificë, ndaj nëse nuk jeni gati për këto mund të jetë një fillim i mirë për t’u ndërtuar mbi këto elementë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0