Sipas Richard Branson, kjo është "receta" e suksesit edhe për ty! - Business Magazine Albania

Sipas Richard Branson, kjo është “receta” e suksesit edhe për ty!


John Lennon ka thënë: “Kur isha 5 vjeç, nëna ime gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi në jetë. Kur shkoja në shkollë, më pyesnin se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Unë shkruaja “i lumtur”. Ata më thonin se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u tregoja atyre se ata nuk e kishin kuptuar jetën.” Këtë ndjenjë e gjej jashtëzakonisht kaq të vërtetë dhe të fuqishme.
Shumë njerëz masin se sa të suksesshëm janë me sa para bëjnë ose me njerëz me të cilët shoqërohen. Në opinionin tim, suksesi i vërtetë duhet të matet me pyetjen: Sa i lumtur je?

Mund të të duket e çuditshme tё dish se disa nga periudhat më të këqija të jetës sime kanë korresponduar me momente kur kisha bërë shumë para. Nuk mund ta shlyej nga mendja keqardhjen që kam ndjerë kur shitëm Virgin Records. Vrapova drejt Ladbroke Grove në Londër me lotët që më rridhnin në fytyrë. Ne duhet ta shisnim për të mbajtur në sipërfaqe Virgin Atlantic. Në atë moment, pavarësisht se me një çek miliarda dollarësh në xhepin tim, jam ndjerë shumë i trishtuar. Kur e ndërton diçka nga hiçi dhe mëson aq shumë rrugës, duke u rritur dhe duke qeshur me njerëzit që të kanë ndihmuar që ta kthesh biznesin në diçka të jashtëzakonshme, nuk ka asnjё shumë parash që të bën të lumtur se po e shet. Gjithsesi, këto para mund të përdoren për të financuar projekte të reja emocionuese dhe për të rritur më tej markën, diçka për të cilën kam folur pas marrëveshjes së Virgin America’s me Alaska Airlines.

Është rëndom një ide e gabuar se paratë janë treguesi i çdo sipërmarrësi për sukses. Kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, por as nuk duhet të jetë. Nuk kam bërë kurrë biznes për të bërë para. Çdo produkt dhe shërbim i Virgin është bërë realitet për të bërë një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve. Dhe duke u fokusuar në lumturinë e konsumatorëve tanë, kemi qenë të aftë të ndërtojmë një grup të suksesshëm të kompanive. Fakti i thjeshtë është se, nëse bën mirë dhe argëtohesh, paratë do të vijnë.
Po ashtu, nuk jam ndjerë kurrë i suksesshëm për shkak të takimeve me fytyra dhe emra të famshëm. Ndërsa jam jashtëzakonisht mirënjohës që njoh njerëz të mrekullueshëm dhe njerëz që bëjnë ndryshim real, nuk ka vend në botë ku ndihem i kënaqur dhe i lumtur se sa me familjen time. Familja ime është arritja ime më e madhe. Kur ata janë të lumtur, jam edhe unë i lumtur, dhe kjo më bën të ndihem jashtëzakonisht të suskesshëm.

E di se kam fatin të jetoj një jetë jo të zakonshme- më kanë dhënë titullin “Kalorës”, kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm dhe kam qenë i pranishëm në ngjarjet më spektakolare, por nuk ka patur kurrë asnjë pikë në karrierën time në të cilën jam ndjerë se “Ia dola mbanë”. Nuk kam menduar kurrë për punën si punë dhe lojën si lojë, për mua gjithçka është të jetosh dhe të mësosh. Mënyra se si e shoh unë, në jetë bëhet fjalë për luftim dhe rritje. Nuk kam dashur kurrë “t’ia kisha dalë mbanë”, dua të vazhdoj t’ia dal mbanë!

Një nga gjërat që më bën shumë të lumtur është aftësia për të dhënë, që është edhe arsyeja se përse nisëm fondacionin jofitimprurës, Virgin Unite, për të mbështetur gjeneratën e ardhshme të sipërmarrësve dhe për të sjellё ndryshim të vërtetë që do të zgjasë në botë. Kjo është arsyeja se përse bashkëshortja ime dhe unë, iu bashkuam Bill Gates dhe Warren Buffet në iniciativën e tyre “Giving Pledge”, për t’ia dedikuar pjesën më të madhe të pasurisë sonë kauzave të mira. Lumturia nuk është mënyra se si mas suksesin; është çelësi drejt tij. Shumë njerëz do të thoshin se suksesi i biznesit tim dhe pasuria që vjen prej tij më kanë sjellë lumturinë. Por unë e di që jam i suksesshëm, i pasur dhe me lidhje sepse jam i lumtur. Besoj me gjithë zemër se lumturia duhet të jetë qëllimi i çdokujt.

Jeta është shumë e shkurtër për të humbur kohën me gjëra që nuk ju ndezin pasionin brenda vetes. Nëse nuk kënaqesh me atë që bën, ose nuk të argëton shumë, pavarësisht faktit se po bën para me shumicë ose rreh shpatullat me të pasur e të famshëm, është momenti që të shkosh te ajo që të bën të lumtur.

 

/Marrë nga blogu personal i Richard Branson, themelues dhe CEO i “Virgin Group.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0