Mendoni për markën ose biznesin tuaj të preferuar. Pavarësisht nëse është Apple, Nike, Shopify, Twitter ose McDonald’s, kompania ka një hendek rreth biznesit që e mbron atë nga konkurrenca dhe është pikërisht ky hendek që e bën biznesin të lulëzojë dhe të rritet.
Por, çfarë është një hendek biznesi?
Një hendek biznesi ështe një karakteristikë e brendshme, që i jep biznesit një avantazh të qëndrueshëm konkurrues.
Një karakteristikë e brendshme është ajo që është në thelb të biznesit. Nuk mund të hiqet pa e shkatërruar kompaninë.
Për shembull, Coca-Cola ka një recetë sekrete shurupi për cola-n e saj, që është thelbësore për kompaninë. Nëse e hiqni shurupin, Coca Cola nuk është më Coca-Cola.
Një avantazh i qëndrueshëm konkurrues është një avantazh që e lejon kompaninë të mbijetojë (dhe të lulëzojë) pavarësisht se bizneset konkurruese përpiqen të fitojnë para në të njëjtën mënyrë.
Ka shumë konkurrentë të Coca Cola-s, më i famshmi është Pepsi. Por, receta sekrete e Coca Cola-s (hendek i fortë i markës) e ka mbajtur atë në biznes për 125+ vjet.
Më poshtë do të paraqesim një listë të Hendeqeve të Biznesit. Pasi t’i mësoni këto, do të filloni t’i shihni kudo.
- Hendeku i sekreteve.
Ky është një sekret që ka kompania që i jep asaj një avantazh konkurrues.
Shembujt përfshijnë recetën e shurupit të Coca Cola-s, kodin për algoritmin e kërkimit të Google ose një patentë për një ilaç të ri.
- Hendeku i markës.
Apple na vjen në mendje menjëherë. Është një markë kryesore e ndërtuar rreth produkteve që ofron Apple.
Marka është një aktiv jo-material që është krijuar me kalimin e kohës dhe ka vlerë për klientin.
Një markë e fortë do të thotë që konsumatori do të marrë saktësisht atë që pret, çdo herë.
- Hendeku i efekteve të rrjetit.
Ka një gjë që Facebook, Twitter, TikTok dhe të gjitha aplikacionet e tjera të mediave sociale kanë të përbashkët: efektet e rrjetit.
Një biznes ka një hendek të efektit të rrjetit kur çdo përdorues i ri shton vlerën për përdoruesit ekzistues.
- Zero kosto marxhinale e hendekut të riprodhimit.
Mediat dhe programet kompjuterike digjitale janë të shkallëzueshme, sepse kanë zero kosto për përsëritjen. Nëse nuk ka kosto që lidhet me riprodhimin ose rishpërndarjen e punës, themi se produkti ka zero kosto marxhinale të riprodhimit. Nëse krijimi i një kopjeje tjetër është falas, puna juaj mbetet e njëjtë ndërsa shpërndarja juaj rritet.
Lexo: Kush qëndron pas “House of Zana”, marka e cila mundi Zara-n në një gjyq për markën tregtare
Kompanitë e teknologjisë përfitojnë nga ky hendek më shumë se çdo gjë tjetër. Kur hartojmë një email për buletinin tonë javor, bëjmë të njëjtën sasi pune nëse ia dërgojmë atë email një personi apo disa personave në listën tonë të emaileve.
Nëse dikush regjistron një episod podcast, ai bën të njëjtën sasi pune nëse një person e dëgjon atë ose nëse e dëgjojnë 100 milionë njerëz. E njëjta gjë është e vërtetë për videot në YouTube, tweet-et, produktet softuerike, etj.
Pavarësisht se sa njerëz e konsumojnë atë, ju keni bërë të njëjtën sasi pune.
- Hendeku i prodhuesit me kosto të ulët.
Kur një biznes krijon një produkt për një çmim më të ulët se çdo kompani tjetër, ai ka një hendek prodhues me kosto të ulët. Këto kompani në përgjithësi përdorin ekonomitë e shkallës për të mbajtur kostot e tyre të ulëta, si dhe koston marxhinale të riprodhimit zero .
- Hendeku i ndërrimit.
Një biznes ofron një shërbim që hyn aq thellë në jetën tuaj të përditshme, saqë bëhet e vështirë, në mos e pamundur për ta ndryshuar. Si psh: përdorimi i chatit në Gmail apo Slack.
- Hendeku i Monopolit.
Një biznes që ka një hendek monopol është i vetmi ofrues i një shërbimi të caktuar.
Kompania juaj e gazit natyror është një shembull i mirë. Ju nuk mund të merrni gaz natyror në shtëpinë ose apartamentin tuaj nga ndonjë kompani tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për kompanitë e energjisë elektrike dhe shërbimet hekurudhore.
- Hendeqet personale.
Hendeqet nuk janë vetëm unike për kompanitë. Ju gjithashtu mund të keni një hendek personal si individ.
Një hendek personal është aftësia për të vonuar kënaqësinë, duke u fokusuar në një detyrë për një periudhë të gjatë, e cila më pas do sjellë suksesin e dëshiruar.
Përkthei: Sabina Iskurti
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.