Çfarëdo që të mendoni për fenomenin e ashtuquajtur si “Dorëheqja e Madhe” – një trend që disa besojnë se në të vërtetë filloi shumë kohë përpara pandemisë, ndërsa disa të tjerë mendojnë se nuk ekziston fare shumë njerëz që punojnë janë duke planifikuar që të bëjnë një ndryshim në karrierë.
Për më tepër, sipas një artikulli të fundit nga Bloomberg, kjo do të ishte një lëvizje e mençur, pasi disa ekspertë sugjerojnë që vendi i punës duhet ndryshuar të paktën çdo 10 vjet.
Arsyetimi i tyre bazohet te “psikologjia bazë njerëzore”, e cila nxit nevojën për ndryshim, duke shtuar këtu edhe përfitimet që vijnë nga rivlerësimi i nevojave dhe qëllimeve tuaja, të cilat pësojnë ndryshime të natyrshme përgjatë një dekade.
Të tjerë mbështesin me ngulm idenë se ju “duhet” ta ndërroni punën tuaj sipas një afati të caktuar – veçanërisht nëse ky afat kohor bazohet te parimet më shumë se te çdo gjë tjetër. Ekspertët e karrierës Sharlyn Lauby, Jenny Foss dhe Dan Schawbel ofrojnë këshillat e tyre për të përcaktuar se sa kohë duhet të qëndroni në një punë të caktuar.
Nuk ka ndonjë numër magjik
Pavarësisht nga ajo që pretendojnë disa artikuj, shumë konsulentë për karrierën, si Foss, i konsiderojnë këto rregulla të ngurta si të rrezikshme.
“Gjatë 10 viteve, ju mund të jeni në një poizicion që evoluon vazhdimisht, zgjerohet, paraqet sfida të reja, etj., kështu që pse do të largoheshit nga puna nëse po merrni prej saj të gjitha sfidat dhe përfitimet që dëshironi?” thotë ajo.
Po kështu, Schawbel dhe Lauby bien dakord me faktin se çdo rregull që ju dikton se duhet të ndërroni punën tuaj pas një kohe të caktuar, ka të ngjarë të jetë thjesht një përgjithësim i ekzagjeruar. “Nëse ju pëlqen kompania, njerëzit, puna dhe paga, atëherë gjithçka është në rregull,” thotë Lauby. “Kjo është diçka që ndodh rrallë kur bëhet fjalë për punën.”
Më pas, ajo shton se nëse qëndroni në të njëjtën organizatë për vite e vite me radhë, atëherë ju nuk po fitoni aq shumë para sa do të fitonit nëse do të ndërronit kompaninë ku punoni herë pas here.
Dhjetë vite mund të mos jetë një periudhë kaq universale sa për t’u konsideruar si një shifër e pandryshueshme, por, një dekadë mbetet një sasi e konsiderueshme kohe, pa dyshim aq e gjatë saqë ia vlen të reflektoni në lidhje me kënaqësinë tuaj në punë. Pra, si mund ta dalloni se kur ka ardhur momenti për një ndryshim në karrierë?
Shenjat se mund të jetë koha e duhur për të gjetur një punë të re
Lauby thotë se shumica e njerëzve me të cilët haset në punën e saj si presidente e firmës ITM Group Inc., e cila ofron konsulencë në fushën e burimeve njerëzore, janë në kërkim të të njëjtave gjëra. “Ata duan të punojnë në një organizatë për të cilën mund të ndihen krenarë.
Ata duan të bëjnë punë sfiduese dhe që u ofron kënaqësi. Ata duan të punojnë me njerëz që i mbështesin. Dhe ata duan të paguhen në mënyrë të drejtë për punën që bëjnë”, thotë ajo. Nëse puna juaj nuk përmbush një ose më shumë nga këto kritere, atëherë mund të jetë koha për të kërkuar një vend të ri pune.
Schawbel përmend një shenjë tepër të fortë që tregon se mund të ketë ardhur koha për një ndryshim, dhe kjo është kur puna fillon t’ju duket si e njëjta gjë, që duhet bërë ditë pas dite.
Nëse ju intereson avancimi si profesionist, do t’ju duhet të jeni në gjendje të tregoni se dini si të përballoni sfidat e reja në punë. Mërzia që vjen në përditshmëri kur puna fillon t’ju duket sikur po bëni të njëjtën gjë gjithmonë, nënkupton se ju nuk po ndiheni mjaftueshëm të sfiduar nga puna.
Foss ndan të njëjtin mendim: Nëse mund ta bëni punën tuaj edhe në gjumë, kjo do të thotë se nuk po përmirësoheni. Ajo rendit edhe shenja të tjera që tregojnë se është koha për një ndryshim, të tilla si: shkëputja nga vlerat e kompanisë ose ekipi drejtues, ndjenja e ankthit ose e frikës që fillon t’ju shfaqet çdo të dielë në mbrëmje, ose frika se një ditë do të pendoheni që nuk keni bërë një ndryshim në punën tuaj.
Si të largoheni nga puna juaj aktuale
Mendimi për të lënë punën është njëra anë, por si mund ta bëni në praktikë këtë lëvizje? Foss këshillon që së pari të pyesni veten pse po vazhdoni të qëndroni në punën tuaj aktuale, pasi mund të ketë shumë arsye të logjikshme për këtë.
Sigurimi shëndetësor, stabiliteti i të ardhurave, balanca midis punës dhe jetës, si dhe shumë përfitime të tjera, janë të gjitha arsye të forta për të qëndruar në një punë, edhe kur ajo nuk ju bën të lumtur.
Nga ana tjetër, nëse gjëja kryesore që ju pengon për të ndryshuar punën është frika se do të largoheni nga zona juaj e komfortit, hapi i parë mund të jetë që të bisedoni me njerëz që punojnë në një pozicion ose industri për të cilën jeni vërtet të interesuar.
“Intervistat informative dhe eksperienca që njihet si ‘job shadowing’ mund të jenë mënyra shumë të mira për të kuptuar diçka të re për të cilën mund të jeni vërtet të interesuar për ta konsideruar”, thotë Foss.
Marrja e vendimeve në mënyrë impulsive nuk do t’ju ndihmojë në këto situata. Lauby thotë se ajo përballet me plot njerëz që duken shumë të vendosur për ta lënë punën e tyre aktuale, “ata kalojnë në një pozicion ose kompani tjetër, pa e menduar shumë mirë këtë vendim”.
Për të shmangur këto vendime të nxituara, Lauby sugjeron, “që të dini cilat janë gjërat e domosdoshme dhe gjërat që do të ishte mirë t’i kishit, përpara se të filloni kërkimin për një vend tjetër pune.”
Nuk është kurrë “tepër vonë” për të bërë një ndryshim në karrierë
Foss, Lauby dhe Schawbel e refuzojnë idenë se mund të vijë momenti që të jetë “tepër vonë” për të ndërruar punën. Për t’u frymëzuar, Foss rekomandon të lexoni histori të njerëzve që kanë bërë ndryshime të mëdha në jetë dhe në karrierë, në një moshë të madhe. “Lexoni rreth tyre, mësoni për ta, frymëzohuni prej tyre. Dhe pastaj filloni të bëni lëvizjen tuaj,” thotë ajo.
Nëse qëndroni në një kompani për shumë vite
Nuk ka asnjë rregull që thotë se duhet të ndryshoni punën tuaj pas një kohe të caktuar në mënyrë që të ndiheni të lumtur. Foss sugjeron që, nëse vendosni të qëndroni në të njëjtën kompani për më shumë se një dekadë, do të ishte në avantazhin tuaj që të “kërkoni sfida të reja, role të reja ose me përgjegjësi shtesë, apo mundësi të tjera për të mësuar dhe për t’u rritur profesionalisht”.
Pavarësisht nëse e ndryshoni karrierën tuaj ose jo, është gjithashtu në interesin tuaj që të jeni të përditësuar për sa i përket ndryshimeve që po ndodhin në industrinë ku bëni pjesë, përtej katër mureve të kompanisë suaj.
Këshilla kryesore për çdo punonjës është që të jeni të përditësuar me tendencat më të fundit dhe teknologjitë e reja në fushën tuaj, pavarësisht nëse po përpiqeni të bëheni një kandidat konkurrues në tregun e punës, ose nëse thjesht po përpiqeni të shmangni komfortin në pozicionin tuaj afatgjatë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.