José Pinto ka më shumë se 45 vite karrierë në rrjetin e hoteleve Sheraton dhe Marriott International Hotels në të gjithë botën. Gjatë 3 viteve të fundit ai ka qenë Menaxher i përgjithshëm i Sheraton Tirana. José ka një eksperiencë të gjerë me Menaxherët, Pronarët, Bordin e Drejtorëve që vijnë nga kultura të ndryshme deri tek Anëtarët e Qeverisë, Pronarët e Pasurive të Paluajtshme dhe Pronarët e Kapitalit Privat.
I ftuar nga komuniteti i Startup Grind Tirana, në një intervistë me Aneida Bajraktari, Jose ndau me të pranishmit momente domethënëse të karrierës së tij dhe përcolli mesazhe mjaft të rëndësishme dhe plot vlera për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen dikush në jetë.
BusinessMag në këtë artikull do iu njohë me momentet dhe mesazhet kyçe të këtij takimi të Startup Grind Tirana.
Jose lindi në vitin 1953, në një ishull të quajtur Madeira pranë Portugalisë, në veri të oqeanit Atlantik, në kohëra të vështira, pak vite nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore në një vend të ngjashëm me Shqipërinë.
Ai shprehet se në atë kohë nuk kishte shkolla dhe çdo gjë mësohej në shtëpi. Jose tregon se në fillimet e tij ai bënte punë të ndryshme brenda hotelit larg nga të qenit një menaxher. Ai thotë se shkolla e tij e vërtetë ishte brenda Sheratonit, aty ku ai mori trajnimet dhe specializimet e duhura.
Këshilla e tij për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen menaxherë është:
“Nëse doni të bëheni një menaxher, duhet të filloni nga punët më bazike, të lani dyshemetë, pjatat dhe të pastroni. Duhet të keni durimin dhe pasionin e duhur. Mësoni sa më shumë që të mundeni, dedikojuni me shpirt gjithçkaje që bëni.”
Ndërsa për industrinë e hoteleve ai thotë se është pikërisht si në vitin 1987, pasi nuk kanë konsistencë. Për të patur konsistencë të plotë duhet të keni njerëz të trajnuar dhe me aftësi.
“Nëse nuk i përkushtoheni punës me shpirt, nuk është e mjaftueshme që thjesht të punoni vetëm për të marrë rrogën në fund të muajit, duhet ta duash atë që bën dhe të besosh në të.”
Me një eksperiencë në 5 kontinente, ai madje tregon se ka punuar në Irak, në kohën e luftës midis Iran-Irak, një mundësi për të cilën ai është mirënjohës që e pranoi. Për këtë eksperiencë ai thotë: “Easy places don’t give you a fully return.”
I pyetur për strategjinë e marketingut të ndjekur gjatë kohës si menaxher Jose shprehet, “Kujdesuni për klientët tuaj, ky është marketingu më i mirë, nëse nuk kujdeseni për klientët tuaj, atëherë ju nuk keni asgjë.”
Sekreti i suksesit për Jose: “Punoni fort, punoni me zemër, përkushtojuni asaj që bëni, kujdesuni për individin, mos i merrni gjërat si të mirëqena, mos fajësoni askënd për problemet që mund t’ju dalin rrugës, vetëm kështu do të arrini suksesin që dëshironi.”
“Dilni përtej kufijve tuaj, kapni mundësitë që ju vijnë në jetë, jepni më të mirën. Mos mendoni se do të vijë dikush tjetër të kapi atë mundësi që iu është dhënë juve, jeni ju ai që duhet të bëni ndryshimin.”
“Duhet të investoni në stafin që keni, ai është aseti më i madh brenda një sipërmarrjeje. Njerëzit e harrojnë dhe e vendosin këtë aset të fundit. Punonjësit janë si një brand për biznesin tuaj. Investoni në këta njerëz,” shprehet Jose për burimet njerëzore.
Nëse po mendonit se si të zgjidhni stafin tuaj ai thotë, “Zgjidhni dikë që është i përulur, modest sepse janë pikërisht këta persona që bëhen shumë të suksesshëm. Ata që janë shumë krenarë, mund të arrijnë atë që duan me çdo mënyrë apo mjet, por nuk do të qëndrojnë gjatë aty.”
Në fund, si çdo takim u bënë shumë pyetje nga pjesëmarrësit, duke mësuar edhe më shumë prej tij. Me dashamirësi Jose Pinto u takua me të gjithë të pranishmit me të cilët diskutoi për idetë e tyre.
Ne si staf i Business Magazine Albania ishim pjesë e këtij eventi, ashtu siç do të jemi edhe në të gjitha eventet e tjera të organizuara nga Startup Grind Tirana, jo vetëm si partner mediatik, por edhe për të mësuar më shumë mbi botën e sipërmarrjes. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet, por për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.
Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 250 qytete dhe 100 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.
Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për netëorking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.
BusinessMag iu fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.
Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.