Post Startup Grind, Ardit Gjebrea: “Nuk duhet të jesh Një Ndër… Ti duhet të jesh Ti.”


Eventi i parë i Startup Grind Tirana për vitin 2017 u bë më 19 Janar në Protik Innovation Center dhe i ftuar ishte Ardit Gjebrea. Në këtë event morën pjesë mbi 70 pjesëmarrës me qëllimin dhe dëshirën për të dëgjuar të gjithë eksperiencën e tij si personazh i suksesshëm dhe si sipërmarrës.

Ne si staf i Business Magazine Albania ishim pjesë e këtij eventi, ashtu siç do të jemi edhe në të gjitha eventet e tjera të organizuara nga Startup Grind Tirana, jo vetëm si partner mediatik por edhe për të mësuar më shumë mbi botën e sipërmarrjes. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startup-et por për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Ardit Gjebrea është i mirënjohur si një artist me një karrierë si këngëtar, kompozitor, autor programesh, prezantues, drejtues shfaqjesh dhe producent.

Të gjitha projektet e tij kanë rezultuar në shfaqje të suksesshme në aspektin e përmbajtjes cilësore në TV dhe në numrin e audiencës.

I ftuar nga komuniteti i Startup Grind Tirana, në një intervistë me Gerti Boshnjaku, ai ndau me të pranishmit momente domethënëse të karrierës së tij dhe përcolli mesazhe të rëndësishme dhe plot vlera për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen dikush në jetë.

Çfarë ndodhi në Startup Grind me Ardit Gjebrea po i shtjellojmë duke prezantuar disa nga thëniet më të komentuara pas intervistës mes pjesëmarrësve.

“Nga vjen suksesi, si vjen suksesi dhe si mund t’a menaxhojmë atë?” – ishte pikënisja e intervistës.

“Ne nuk kemi në dorë atë që do të na sjellë në jetë por kemi në dorë atë që do të ndërtojmë në jetë” – u shpreh ai në lidhje me historinë e prindërve të tij dhe shtysën që ata i kanë dhënë.

“Prindërit janë hapi i parë i suksesit.”

“Ajo çfarë kam kuptuar është që koha nuk duhet të harxhohet kot. Është një kohë e humbur nëse shkon në një kafe dhe flet për gjëra pa rëndësi.”

“Jeta mund të duket shumë e gjatë por në të vërtetë është shumë e shkurtër dhe nuk duhet të shpenzohet me gjëra të kota.”

“Momentet e para kur unë mësova mbi sipërmarrjen ishin kur punoja per Albanon në Itali duke menaxhuar turne-të e tij. Ai më ftoi të punoja për të, ndërsa unë edhe pse nuk ja kisha idenë, pasi ishta thjesht një artist me ëndrra, i thashë PO.” – u përgjigj ai i pyetur për përvojat e para mbi sipërmarrjen dhe jetesën në Itali.

“Unë plane kam patur gjithmonë. Duhet të dish të projektosh.”

Në periudhën kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria, ai u kthye me plane të mëdha, të cilat falë përpjekjeve dhe këmbënguljes së tij u bënë të mundura. Përmendim këtu suksesin e tij në fushën e muzikës, koncertet e dhëna në ato vite si dhe realizmin e festivalit “Kënga Magjike” për herë të parë në vitin 1999.

“Ti duhet të jesh i bindur në atë që kërkon dhe disa rregulla duhet të thyhen ndonjëherë.”

“Nëse ti beson në atë që ke, në atë që do dhe në atë që dashuron atëherë e arrin falë vullnetit që ti ke.”

Një pikë e rëndësishme të cilës ai i dha rëndësi është përzgjedhja dhe manaxhimi i stafit.

“Nëse do të kesh sukses duhet të zgjedhësh stafin. Ti duhet t’i bësh ata të besojnë në atë që ti do të bësh dhe në targetin që do të arrish. Ti duhet t’a bësh stafin të mendojë se kjo është më e mira.

Ai foli gjatë për mungesën e balancës midis kohës që shpenzonte në punë dhe në shtëpi.

“Ne e shpenzojmë jetën në punë dhe jo me familjen. Është një gënjeshtër që ne i themi vetes çdo ditë.”

“Një nga parimet e mia të jetës është që të jem mirënjohës për kohën që më jep personi tjetër. Unë mund të të jap gjithçka por nuk mund të të kthej kohën që ke shpenzuar për mua.

“Unë nuk e bëj sepse dua të kem sukses. Unë e bëj sepse e besoj atë që bëj.”

“Ti nuk duhet të jesh 1 ndër. Ti duhet të jesh ti. Arditi duhet të jetë Arditi.” – e përmbylli ai intervistën.

Në fund, si çdo rradhë u bënë pyetje nga pjesëmarrësit, dukë mësuar edhe më shumë prej tij. Me dashamirësi Ardit Gjebrea u takua me të gjithë të pranishmit me të cilët diskutuan për idetë e tyre.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 200 qytete dhe 85 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.

BusinessMag ju fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe ti ndiqni KËTU.

Must watch
Business Mag Nr. #22 - Dhjetor 2019

Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në ekonomi, e në veçanti ata që ne i quajmë gjeneratorët e kësaj ekonomie, sipërmarrësit privatë. Padyshim që sfidat janë të mëdha. Tregje të pa konsoliduara, konkurrencë e pandershme në shumë sektorë, pak mundësi për financim dhe investime në projekte të reja, Por ne kemi vërejtur gjithashtu një dinamikë e dëshirë të madhe për të ecur përpara.

Në Numrin 22 të Revistës së Businessmag, ju do të gjeni sipërmarrës të dhjetëvjeçarit të fundit, të cilët po shënojnë historinë e tyre të suksesit pa u ndier. Aktivë, energjikë, vizionarë dhe shumë të thjeshtë, ata mund të jenë një model shumë i mirë për t’u ndjekur. I tillë është Urani. Pasioni për perfeksionizëm e siguri nuk ia ul ritmin marramendës të ngritjes dhe zhvillimit të një biznesi. Ai sot ka ngritur një rrjet biznesesh të tija dhe administron edhe sipërmarrje të tjera.

Në brendësi të revistës do të gjeni edhe sipërmarrës të tjerë, nga Shqipëria dhe Kosova.

Ky numër u është dedikuar personazheve të suksesshshëm dhe zhvillimit të aftësive në shërbim të tregut. Ndaj i kemi dedkuar një paketë speciale artikujsh kapitalit njerëzor, rëndësisë së tij, sfidave dhe projekteve të vitit të arshshëm, të prezantuara në Shkollën Verore organizuar nga projekti zviceran “Aftësi për Punë”.

Mes personazheve ju sjellim Brizida Delvina, administratore e një hoteli në Tiranë, Ajo ka zhvilluar një karrierë ideale në fushën e hoteleri-turizmit. Edhe pse Brizida pëlqen të rrijë larg vëmendjes, ajo është një model frymëzues dhe një mentore e mundshme, tashmë edhe për ju që do …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale