Pizza nga Celulari! Pomodoro- Platforma e parë mobile-based për porositjen e pizza-ve - Business Magazine Albania

Pizza nga Celulari! Pomodoro- Platforma e parë mobile-based për porositjen e pizza-ve


Pizza nga Celulari!

Njihuni me Pomodoro – Platforma e parë mobile-based për porositjen e pizza-ve

1. Kush është Kristi Kristo?

kristi-kristo-intervista-businessmag-shqip-2016

Përshëndetje! Më quajnë Kristi dhe jam 24 vjeç. Jam i lindur dhe rritur në Tiranë, dhe studimet universitare i kam kryer në universitetin amerikan në Bullgari, në degën e Teknologjive të Informacionit dhe Shkencave Kompjuterike.

Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me teknologjinë, e cila daton që në moshën 11-12 vjeçare, kur menaxhoja faqen time të parë web (portal). Duke ecur 4-5 vite në kohë, në moshën 16-17 vjeçare, u fokusova në marketing dixhital. Duke parë mundësinë e një të ardhmeje të lidhur ngushtë me teknologjinë, vendosa të ndjek studimet në këtë drejtim. Sipërmarrja ime e parë ishte një kompani e themeluar gjatë vitit të parë universitar. Do të thoja që fatkeqësisht, por edhe fatmirësisht njëkohësisht, isha i detyruar të shkëputesha dhe të hiqja dorë, në mënyrë që të vazhdoja studimet e sapo-nisura. Një vendim i vështirë, por i duhuri.

Vendosa t’i përkushtohem zhvillimit të aftësive, duke u ndihmuar nga shkolla, por edhe nga projektet e panumërta qё kam zhvilluar gjatë viteve universitare. Si pasojë e këmbënguljes dhe vendosmërisë sime, arrita të fitoj kontratën time të parë të punës gjatë vitit tim të fundit universitar. Pas përfundimit të kontratës së parë, u kontraktova nga një “startup” amerikan në industrinë e “US health-care”, ku punova rreth 1 viti e 8 muaj në rolin e “mobile engineer”. Kjo u pasua me një kontratë tjetër në një “startup” të bazuar në Londër, në rolin e “Lead Mobile Engineer”.

Ëndrra dhe qëllimi im gjatë tërë periudhës ka qënë të bëhem një sipërmarrës në industrinë e teknologjisë. Eksperienca e jashtëzakonshme nëpër “startups” të ndryshëm është një nga përfitimet e mëdha që më ka ndihmuar dhe vazhdon të më ndihmojë në rrugëtimin e sipërmarrjes. Do të mund të vazhdoja të flisja shumë për veten, por po i lë rradhën pyetjeve të tjera.

2. Si lindi idea për të zhvilluar “Pomodoro”? A mund të na flisni pak më shumë për produktin tuaj?

Ideja për zhvillimin e “Pomodoro”-s, daton rreth 1 vit e gjysmё më përpara, kur më vjen një mesazh në inbox-in e Facebook, nga një ish-student i të njëjtit gjimnaz ku kisha studiuar dhe unë. Më tregoi që kishte një ide dhe donte ta diskutonim më shumë. Pasi u ktheva në Shqipëri, u takuam dhe diskutuam rreth idesë, zhvillimit të saj, edhe dolëm në përfundimin e krijimit të Pomodoro-s.

Pomodoro është platforma e parë mobile-based për porositjen e pizza-ve. Kemi vendosur që do të ndryshojmë dhe rregullojmë tregun e “delivery-shpërndarjes”, duke u munduar të zgjidhim problemet që ky treg ka dhe të vendosim një lloj standarti bashkëkohor për porositjen e produkteve si pizza etj.

3. Aplikacioni “Pomodoro” është ndër aplikacionet më të mira që përdoren sot në Shqipëri. Kush e ka zhvilluar këtë aplikacion?

Aspekti teknologjik i Pomodoros është departamenti i menaxhuar nga unë, pasi roli im në kompani është CTO. Aplikacioni i Pomodoros për iOS, Android, infrastruktura e back-end, si edhe sistemet e brendshme për menaxhim, pika e shitjes etj, janë të gjitha të zhvilluara in-house nga Pomodoro. Momentalisht, jemi lidhur edhe me një kontraktor part-time që kujdeset për versionin e Android. Pjesa tjetër e sistemit menaxhohet, monitorohet dhe zhvillohet nga vetë unë. Së shpejti, kemi në plan të zgjerojmë departamentin e IT, kështu që, nëse ka ndonjë të interesuar, mund të më dërgojë CV-në në adresën info@pomodoro.al.

4. Cila është veçantia e picave tuaja? A jeni të kënaqur me ecurinë e startup-it tuaj deri tani?

Shumë! Po e nis me pyetjen e dytë, pasi reagimi për përgjigjen e saj është i menjëhershëm. Gjatë këtyre 5 muajve, kemi pasur një ecuri shumë të mirë, nga të gjitha aspektet e biznesit. Të shpresojmë që fjala e urtë “fillimi i mbarë, gjysma e punës”, të përkufizojё në njëfarë mënyre dhe rrugëtimin tonё.

Artikulli u publikua më parë në faqen 14 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Të kthehemi te produkti që ne shesim. Jemi munduar të ofrojmë produkte sa më cilësore. Mendoj që pas shumё sfidash, kemi arritur të krijojmë një standard të lartë për produktet. Momentalisht, jemi duke punuar edhe me zgjerimin e gamës së produkteve. Pra, “Pomodoro – Pizza & More”, jo vetëm pizza.

5. Ku e shikoni biznesin tuaj pas 1 viti? A mendoni ta zgjeroni “Pomodoro” dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë?

Vizioni që ne kemi për Pomodoro-n, është që të ndryshojmë dhe rregullojmë jo vetëm tregun shqiptar të shpërndarjes, por edhe të dalim jashtë kufijve tanë. Sigurisht, që qëllimi jonë është të zgjerohemi, dhe plani 1-vjeçar ka zgjerimin në tregun e Tiranës, me 2-3 pika të tjera.

6. A mund të na përshkruani pak eksperiencën e zhvillimit të një startup-i në Shqipëri? Kush janë avantazhet dhe disavantazhet e themelimit të një startup-i në vendin tonë?

Do ta nis me një fjalë, edukuese! Është një eksperiencё goxha edukuese, sepse gjatë zhvillimit mëson jashtëzakonisht shumë, duke filluar nga ligjet, dhe duke kaluar në tregun, klientët, si edhe aftësitë menaxhuese. Janë një listë me mësime që t’i fiton gjatë rrugës, që të ndihmojnë në ecurinë tënde si sipërmarrës.

Duke kaluar në pjesën praktike, të themelosh një kompani në Shqiperi, nuk është proçes i vështirë, apo i shtrenjtë. Por do të cilësoja, që një nga disavantazhet e themelimit të një kompanie në vendin tonë, që ka një rëndësi të madhe, është marrja e investimeve.

7. Shumë startupe i drejtohen akseleratorëve ose përshpejtuesve të biznesit për të nisur rrugëtimin e tyre. A është bërë “Pomodoro” pjesë e ndonjë akseleratori? Çfarë mendimi keni për ekosistemin startup këtu në Tiranë?

Për një startup të themeluar nga të rinj, sigurisht që është e vështirë të nisësh rrugëtimin pa pasur një ndihmesë financiare. Kjo nuk ndodh vetëm këtu, por kudo nëpër botë. Akseleratorët janë një ndihmë kyçe në rrugën e një “startup”-i.

“Pomodoro” nuk është pjesë e asnjë akseleratori deri në këtë moment që ne po flasim, po di të them që jemi në bisedime me disa investitorë të huaj që kanë treguar interes ndaj kompanisë sonë.

Mesa jam në dijeni unë, akoma nuk ekziston një akselerator i mirëfilltë, që funksionon si një akselerator i huaj, edhe alokon fonde 25-30k seed funding për startup-et premtuese. Nëse kjo që di unë është realiteti, atëhere mendoj që është e nevojshme krijimi i një akseleratori, sepse shoh sinqerisht shumë të rinj, energjikё dhe të frymëzuar, që u mungon ajo ndihmesë nga një akselerator “to make their idea happen”.

8. Business Magazine Albania është një revistë që synon të frymëzojë të rinjtë drejt sipërmarrjes. Çfarë do t’u thonit atyre që duan të fillojnë këtë rrugëtim në Shqipëri?

E theksova disa herë dhe më përpara, është një rrugë edukuese, dhe e bukur në mënyrën e vet. Nëse mendoni që do të punoni 6 orë në ditë, nëse mendoni se do bëheni milionerё muajt e parë, nëse mendoni se është e lehtë, atëherё ka shumë mundësi që nuk do të gjesh veten në një startup.

Nëse beson tek ideja apo produkti, nëse të pëlqejnë sfidat, nëse je gati të kalosh një periudhë jo shumë të mirë financiare, nëse dëshiron të mësosh jashtëzakonisht shumë gjëra të reja në sektorё të ndryshёm, atëhere kjo ka për të qënë një eksperiencë e paharrueshme.

Gjithashtu, doja të citoja një thënie të Elon Musk: “If things are not failing, you are not innovating enough.”

Dua ta marr këtë mesazh, dhe ta vendos në kontekstin: Mos u ndaloni kur gjërat mund të mos jenë në favorin tuaj. Vendosmëria dhe këmbëngulja kanë për t’ju shtyrë përpara.

Suksese!

 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 20 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0