“Parapagim”! Çfarë po ndodh me tatimin e biznesit të vogël? - Business Magazine Albania

“Parapagim”! Çfarë po ndodh me tatimin e biznesit të vogël?

Shkruar nga Artan Gjergji, ekspert

Këto ditë shumë prej bizneseve të vogla janë çuditur kur financierët i kanë njoftuar se duhet të kryejnë ‘Parapagimin e Këstit të Tatim Fitimit’. Të surprizuar pa masë, sepse kurrë nuk kanë paguar deri më sot, për shkak të xhiros së ulët (nën 14 milionë lekë të reja), por akoma më shumë të llahtarisur nga fjala “parapagim” i një fitimi që nuk është ende real, janë irrituar dhe janë përpjekur të komunikojnë e të interesohen për të mësuar se ç’po ndodh.ÇFARË PO NDODH ?

Në fakt, kjo është një procedurë krejt normale për biznesin e madh, por aspak normale për biznesin e vogël, i cili deri më sot ka paguar vetëm detyrimet tatimore në nivel të pushtetit vendor, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, apo tatim mbi qiranë për ambjentet e përdorura. Ndryshimet e para disa muajve që ndodhën në legjislacionin “Për Tatitmin mbi të Ardhurat”, kanë sjellë një sërë ndryshimesh radikale në procedurën e përllogaritjes së detyrimeve, ashtu edhe në procedurën administrative të vjeljes së detyrimeve tatimore.

E thënë thjesht këto ditë sistemi tatimor u ka gjeneruar bizneseve të vogla Këstin e Parapagimit të Tatim Fitimit. Që do të thotë, se institucionet tatimore kanë marrë për bazë xhiron e deklaruar nga vetë biznesi në vitin paraardhës 2023 (si person fizik, ose biznes i vogël), dhe përllogarisin tatimin që supozohet të paguash në vitin 2024, duke  e ndarë në katër këste. Në Marsin e vitit që vjen, pasi financierët e bizneseve të vogla të përgatitin Bilancin e vitit 2024, do të bëhet krahasimi sa është parapaguar dhe sa duhet realisht të paguhet nga biznesi. Nëse biznesi do të ketë parapaguar më pak (sepse xhiro në vitin 2023 ka qenë ndoshta më e vogël se xhiro në vitin 2024), ateherë biznesi do të paguajë shtese diferencen. Nëse bizneset kanë paguar më shumë, Drejtoria e Tatimeve nuk ua kthen diferencën e detyrimit në llogaritë e tyre, por ua njeh si detyrim të saj ndaj bizneseve, duke reduktuar detyrimet tatimore në të ardhmen. Me fjalë të tjera, u mbetet borxh bizneseve deri në periudhën e vitit të ardhshëm tatimor.

Lexo: Bill Gates rrëfehet për humbjet. Ja për çfarë e ka fjalën ai

A ËSHTË KJO DIÇKA NORMALE

Nga pikëpamja e administrimit të procesit tatimor, është një element krejtësisht normal. Organet tatimore janë agjenti kryesor i Arkës së Shtetit (buxhetit) dhe për rrjedhojë, duke qenë se shpenzimet buxhetore janë të përditshme e të përmuajshme, edhe të ardhurat duhet të gjenerohen në çdo kohë, në mënyrë që Buxheti i Shtetit të jetë i aftë të realizojë këto shpenzime në çdo kohë. Kështu mundësohet një funksionim sa më normal i organeve shtetërore dhe u shërbehet në mënyrë më cilësore qyetarëve, nëpërmjet shpërndarjes efikase të financave publike.

Që në fillim të herës duhet thënë që sistemet tatimore në përgjithësi tentojnë të jenë përfshirës, çka dmth se në llogjikë, çdo e ardhur e gjeneruar nga biznesi dhe individët duhet përfshirë në detyrimet tatimore. Pavarësisht këtij elementi, shpeshherë dhe në të shumtën e rasteve bëhen përjashtime, zbritje, apo falje detyrimesh tatimore për grupime të caktuara. Arsyet për këtë vepim janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga aspekti social i mbrojtjes dhe mbështetjes së grupeve në nevojë, tek nxitja e hapjes së vendeve të punës, nxitja e sektorëve të caktuar të ekonomisë etj.

Në rastin aktual të biznesit të vogël, ai konsiderohet si shtylla kurrizore ku mbështetet ekonomia e vendit pasi prodhon më shumë se 60% e PPB-së së vendit, ndërsa është kontribues në më shumë se 98% të punësimit në vend. Dhe kjo tabllo është pak a shumë e ngjashme në çdo ekonomi në zhvillim si ajo e Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye Qeveritë, në përgjithësi synojnë ta mbështesin fuqimisht biznesin e vogël sepse ul në maksimum problemet sociale dhe krijon punëzënie.

Instrumentat tatimorë që zgjedhin Qeveritë për të nxitur zhvillimin e biznesit të vogël janë të shumtë, por dy janë kryesorët:

  1. Pragu i Xhiros së Aktivitetit– siç ndoshtA në Shqipëri deri në 31 Dhjetor 2023, bizneset me një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja përjashtoheshin nga tatim-fitimi (paguanin vetëm taksat bashkiake)
  2. Norma Tatimore me Fasha më të Ulëta– sipas së cilës asnjë biznes nuk përjashtohet nga skema e detyrimeve tatimore. Thjesht biznesi i vogël ka një normë më të ulët (psh në Italinë fqinje çdo biznes i vogël në 5 vitet e para të aktivitetit të tij paguan 5% tatim fitimi, kur bizneset e mëdha paguajnë nga 35% e sipër).

Pikërisht pas 1 Janarit 2023, Shqipëria ka kaluar nga modeli A tek modeli B, por pa “mbajtur me hatër” biznesin e vogël me një normë tatimore më preferenciale.

ÇFARË NUK SHKON?

Pikëkrisht ky ndryshim radikal i sjelljes së administrimit tatimor ka shkaktuar një problematikë të dukshme mes tatimpaguesve për disa arsye:

▪ Nuk krijon mbështetje aspak për biznesin e vogël. Nga modeli me fasha xhiroje, u kalua në ekstremin tjetër të tatimit njëlloj si biznesi i madh.

▪ Nuk është plotësuar kuadri rregullativ mbështetës, për të sheshuar paqartësitë dhe reduktuar abuzimin e administratës tatimore,

▪ Nuk iu dha koha e duhur biznesit që të kalohej në mënyrë të përshkallëzuar nga njëri model në modelin tjetër.

▪ Parapagimi i Këstit të Tatim Fitimit për vitin e parë 2024 merr për bazë një xhiro të viti 2023 e cila është përllogaritur krejtësisht mbi një tjetër model e filozofi të të bërit biznes, e për rrjedhojë mbi një qasje tatimore krejtësisht tjetër (p.sh. shumë biznese kanë deklaruar vetëm të ardhurat dhe nuk kanë deklaruar shpenzimet e vitit 2023, meqë gjithësesi nuk paguanin tatim-fitimi, e kjo u ka rritur në mënyrë fiktive xhiron, tek e cila bazohet detyrimi për vitin 2024 etj.),

▪ Nuk u realizua edukimi i publikut aq i nevojshëm në reforma të tilla radikale.

A KANË ZGJIDHJE BIZNESET NË KËTË REALITET TË RI?

Për fat të keq nuk ka shumë për të bërë. Edhe nëse biznesi do tentojë të ankimojë procedurat tatimore në fuqi, duhet të jetë shumë mirë i organizuar si zë i unifikuar nëpër shoqata biznesi. Në të kundërt, në shumicën e rasteve do të jenë raste humbëse përballë procedurave tatimore. Komuniteti i biznesit duhej të kishte qenë shumë më i organizuar gjatë fazës kur draft-ligji qarkullonte për mendim, por kjo nuk ka ndodhur. Për këtë arsye, është mirë që ky fenomen të bëhet një mësim i vyer për reformat e ardhshme fiskale që mund të aplikohen nga Qeveria.

Një tjetër gjë që duhet të bëjnë bizneset është punësimi apo kontraktimi në distancë (outsource) i financiarëve të mirëfilltë profesionistë që njohin mjaftueshëm legjislacionin e ri, dhe të përpiqen që të deklarojnë në mënyrë sa më rigoroze e korrekte të ardhura-shpenzimet e vitin 2024, në mënyrë që të mos penalizohet për vitet që vijnë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0