Një rrëfim nga sfidat dhe sukseset e Iv Tases në botën e teknologjisë dhe inovacionit - Business Magazine Albania

Një rrëfim nga sfidat dhe sukseset e Iv Tases në botën e teknologjisë dhe inovacionit

Intervista me Iv Tase, themeluesin e Primespot Tour Make, ofron një pasqyrë të rrugëtimit të tij nga fusha e medias në atë të teknologjisë. Duke filluar nga karriera e tij në televizionin shqiptar dhe duke kaluar në krijimin e kompanisë PrimeSpot, Iv ndan historinë e suksesit të produktit kyç, Tourmake, një Interactive VR Tool i certifikuar nga Google.

Në këtë intervistë, Iv hedh dritë mbi origjinën e ideve, sfidat në zhvillimin e produkteve dixhitale, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe sfidat që përballet startup-i shqiptar në skenën botërore. Një rrugë e pasur e përvojës dhe suksesit, e pasqyruar në fjalët dhe vështrimet e vetë Iv Tases.

Kush është Iv Tase? 

Faleminderit për intervistën, une kam lindur  dhe jetuar në Tiranë. Vij nga një familje e cila është e njohur për kontributin e saj në Sport dhe Art në Shqipëri. Bashkëshortja ime quhet Erisa dhe kam një vajzë të vogël me emrin Petal.

Një karrierë e gjatë në fushën e mediave. Nga media dhe produksionet televizive çfarë ju lidhi me teknologjinë? Ishte ndonjë pasion, apo ishte një kalim i natyrshëm duke parë një oportunitet?

Pasi përfundova Universitetin e Arteve, hapi i parë në karrierën time që lidhej dhe me një nga pasionet e mia ishte televizoni. Për më shumë se 15 vite kam qenë regjisor i produksioneve më të mëdha në vend si: E Diela Shqiptare dhe Kënga Magjike. Ka qenë një shkollë dhe eksperiencë unike për t’u rritur profesionalisht. Paralelisht më ka tërhequr gjithmonë teknologjia, kam marrë leksione dhe trajnime si dhe gjithmonë eksploroja software dhe i shikoja se si mund të përputheshin me nevojat e televizonit. Një nga bashkëpunimet e para në këtë fushë ka qenë realizimi dhe menaxhimi i software-it të votimit të këngëtarëve te Kënga Magjike.

Sot jetojmë në kohën e teknologjisë dhe gjithashtu më ka tërhequr dhe mundësia e madhe që ajo ofron edhe nga ana e biznesit, por edhe nga ideja që nuk ka rëndësi ku ndodhesh për të krijuar diçka.

Ju jeni themelues i Primespot Tour Make dhe nëse shikojmë website-in tuaj kuptojmë që po flasim për një kompani me vendndodhje në disa vende si: SHBA, Londër dhe Itali. Si ka qenë ky rrugëtim? Nga filloi dhe si u shtritë në kaq shumë vende?

Në vitin 2016 krijova kompaninë PrimeSpot me qëllimin për të realizuar produkte mediatike, marketing dhe dixhitale. Baza e prodhimit ishte dhe vazhdon të jetë Shqipëria. Ishte e domosdoshme prania e PrimeSpot në këto vende për të fituar jo vetëm besimin, por edhe për të lehtësuar anën juridike të kontratave. Kemi bashkëpunuar me kompani të mëdha marketingu, të cilat kanë shitur produktet tona, e filluam me Anglinë në Londër, më pas në Itali dhe në ShBA.

Tashmë me sa kuptojmë produkti juaj kryesor është Tourmake. Një Interactive VR Tool, i cili është i certifikuar si Produkt VR nga gjigandi Google. Na trego pak më tepër cila ishte ideja fillestare për këtë produkt? Dhe si ka evoluar në formë nga koncepti fillestar? Çfarë do të thotë për ju ky partneritet me Google nga këndveshtrimi i biznesit?

Në 2016 së bashku me Giuseppe Trisolinin, një zhvillues Italian, i cili deri në atë moment ishte në fillimet e tij në software VR. Vendosëm një partneritet në zhvillimin dhe zgjerimin e këtij produkti, i cili quhej Viewmake  Tourmake.

Duke ndërthurur kreativitetin dhe mungesën e disa elementëve në turet virtuale, në atë kohë vendosëm të bashkonim forcat dhe të realizonim versionin më të avancuar të Tourmake. Ku do të kishte plugin të personalizuar, platforma të dedikuara sektorëve të ndryshëm si: Turizmi, Real estate etj. Ndërtuam një produkt i cili i përgjigjej kërkesave të tregut më së miri. Mundësia e dixhitalizimit të bizneseve dhe promovimi i tyre në mënyrë inovative.

Gjithashtu produkti jonë bazik për të konvertuar fotot në VR filloji të përdorej nga miliona fotografë nga e gjithë bota, të cilët e përdornin si një urë publikimi në Street View. Këtu ne morëm dhe vëmendjen e Google, duke nga dhënë mundësinë e integrimit të publikimit direkt në Google Business dhe Maps të produkteve tona për një periudhë testi 1 vjeçar.. kjo periudhë shënoi miliona foto të upload-uara duke na bërë një nga kontribuesit kryesor në Maps. Më pas Google na publikoi dhe vazhdojmë të jemi dhe sot si një nga 4 software të certifikuar nga Google për VR në botë, në faqen e tyre zyrtare. Kjo ka qenë arritje shumë e madhe, pasi na ka pozicionuar shumë lart nga konkurrentët e tjerë në treg. Dhe ka marrë vëmendjen dhe interesin e shumë emrave të mëdhenj në botë.

Nga ana e ndërtimit të këtij produkti, cilat janë sfidat kryesore që keni hasur? Ka qenë më e vështirë pjesa e zhvillimit të tij, apo procesi për ta shkallëzuar në disa vende si business case? 

Çdo zhvillim ka vështirësitë dhe sfida për t’u kapërcyer. Kemi hasur probleme nga më të ndryshmet në fillimet tona. Vështirësia më e madhe është të gjesh të mesmen e artë në një produkt, të jetë inovativ, por jo i komplikuar, të ofroj gjithçka dhe të përdoret nga të gjithë. Proceset kanë qenë të gjata dhe çdo gjë ka marrë formë pasi vizioni ka qenë i qartë dhe këmbëngulja shumë e madhe.

Por, nuk mjafton vetëm produkti, pasi duhej një strategji për ta shkallëzuar. Dhe ky ka qenë një proces të cilin e kam ndjekur vetë në çdo detaj, duke krijuar takime, projekte pilot, promovime dhe bashkëpunime, të cilat filluan si teste dhe me pas u kthyen ne klientë të rëndësishëm për ne. Këtu mund të përmend: Ferrari, Lamborghini, Rocco Forte Hotels, Mr Chow, Monaco Yachts, Fly Emirates, JLL, Marriot, Etj

Aktualisht ju keni realizuar disa projekte të rëndësishme ndërkombëtare. Nëse mund të ndash me ne ndonjë strategji që keni ndjekur për të arritur në këto tregje? Si ka funksionuar?

Projektet që ne kemi realizuar janë të natyrave të ndryshme, në industri të ndryshme, po përmend shkurtimisht disa nga ato që kanë lënë gjurmë:

Bashkëpunimi me Liujo, kompani fashion, gjatë pandemisë një sfidë për ne për të realizuar koleksionet në VR. Projekti u realizua me shumë sukses dhe zgjati për më shumë se 16 koleksione.

Roosevelt Island me bashkinë e New York-ut, një projekt për promovimin dhe dixhitalizimin e parqeve të NYC.

Welcome Albania, projekti i parë VR që bashkoi atraksionet dhe bizneset në Shqipëri me një shikueshmëri rekord në Google rreth 60 milionë views.

Të gjitha këto projekte kanë ardhur si pjesë e prezantimeve dhe bashkëpunimit me agjenci të mëdha të marketingut apo teknologjisë.

Nga eksperienca juaj, a ka talente mes të rinjve shqiptarë për të pasur mundësinë të ndërtojnë produkte që mund të konkurrojnë në tregjet globale?

Duke parë dëshirën, këmbënguljen dhe talentin e të rinjve shqiptarë, e them me plot gojë që ka një potencial të pafund talentesh në Shqipëri. Asgjë nuk i mungon për të konkurruar në tregjet botërore dhe për t’u renditur në majë. Kemi shumë raste sot në Shqipëri për të cilat jemi krenar dhe i tregojmë si histori suksesi kudo.

Përse shohim ende pak raste të suksesit në skenën botërore, përsa i përket startup-eve dhe iniciativave inovative? Çfarë i pengon ata?

Për mendimin tim janë disa faktorë që luajnë një rol në kufizimin e startup-eve shqiptarë në skenën botërore. Këtu mund të përmendim sfida të tilla si: aksesi në financim, një treg i vogël vendas, infrastrukturë e kufizuar dhe pengesa në sisteme rregullatore, pasi Shqiperia akoma ka disa mangësi. Nëse ne investojmë dhe fokusohemi në një startup, i bazuar me sistemet rregullatore në Shqipëri është e vështirë që i njëjti startup të unifikohet me tregjet botërore.

Çfarë këshille do të jepnit për një të ri, apo të re me një ide? A mund të përshkruash me disa pika se cili do të ishte “The Ideal Journey” për një startup që nga faza e idesë deri në scale?

Për një sipërmarrës të ri me një ide, këshilla ime është të mos ndaloj së bëri kërkim tregu, të qëndrojë i fortë përballë sfidave dhe të përshtatet, të kërkojë udhëzime nga mentorë me përvojë, dhe të ketë gjithmonë në fokus të gjithçkaje përdoruesin final.

Lëreni pasionin të drejtojë objektivin tuaj për ta kthyer idenë tuaj në një realitet të suksesshëm.

Fazat e një “Ideal Journey” për mendimin tim janë këto:

  • Analizë Tregu dhe Target Audience
  • Biznes plani
  • Ndërtimi i një prototipi për ta testuar
  • Përfshirja e profesionistëve në skuadër
  • Investitorët ose Financim
  • Testim në masë më të gjerë se projekti pilot
  • Adaptim i menjëhershëm me kërkesat e përdoruesve
  • Marrja në konsideratë e pakënaqësive

 

Iv Tase

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0