10 ekipe studentësh ishin përzgjedhur për të prezantuar zgjidhjet dixhitale të cilat varionin nga CRM, optimizimi i faqeve web ekzistuese, e-commerce, marketing dixhital, etj.
Të pranishëm në aktivitet ishin studentë të tjerë pjesëmarrës në programin ConnectIT, pedagogë, përfaqësues të medias, të GIZ Shqipëri (programet ProSEED & EU4I), por edhe vetë sipërmarrësve të cilët shprehën vlerësim për frymën e bashkëpunimit, por edhe nivelin e lartë të njohurive dixhitale e novatore dhe shërbimeve që studentët ofruan.
26 ekipe (më saktësisht rreth 110 studentë të përfshirë) morën pjesë në ciklin e parë të ConnectIT, të drejtuar nga 5 pedagogë nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, si dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
ConnectIT është një iniciativë e përbashkët e ProSEED 2.0 dhe EU4Innovation, mundësuar dhe mbështetur nga qeveria Gjermane e zbatuar nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
ConnectIT është një nga nismat e pakta që implementon qasjen Triple-helix në ekosistemin lokal, duke angazhuar kompani, universitete dhe pjesëmarrës aktivë të ekosistemit për të zhvilluar zgjidhje digjitale për ndërmarrjet e mesme, të vogla dhe mikro.
Lexo: Hapet thirrja për shprehje interesi nga GIZ Albania
Në përfundim të aktivitetit, disa nga të pranishmit ndanë përshtypjet e tyre me BusinessMag:
“Si studente që kam marrë pjesë në projektin ConnectIT jam shumë e lumtur për këtë mundësi. Gjithë punën e kemi realizuar me shumë pasion dhe dëshirë për t’i ardhur në ndihmë biznesit. U bëj thirrje të rinjve të marrin pjesë në aktivitete të tilla sepse kështu ata mund të demostrojnë aftësitë e tyre dhe do të përfitojnë një eksperiencë fantastike. (studente)
Projekti jonë ishte krijimi i një website për biznesin e blegtorisë në Shkodër. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që ia rekomandoj çdo studenti. Ne morëm një përvojë të vlefshme në dixhitalizimin e medias, pra tani ne dimë se si të krijojmë një website dhe dimë si të kemi një ndërveprim me klientët. (studente)
Christoph Boenig, nga programi ProSEED 2.0, GIZ Shqipëri e sheh këtë projekt në një prespektivë ndryshe duke shpresuar në aspektin dhe impaktin pozitiv të saj në bujqësi dhe jo vetëm.
Unë nuk jam një ekspert bujqësie, por nga projektet që dëgjuam dhe pamë sot, ndër ta kishte bletërritës, bujqër, biznese në fushën e turizmit,nga zona rurale që mund të përfitojnë shumë nga ConnectIT sepse me dixhitalizimin e proceseve apo shërbimeve ata mund ta shtrijnë biznesin rreth zonës së tyre dhe t’i nxisin njerëzit të blejnë produktet e tyre, të ftojnë turistë, të bashkëpunojnë me sipërmarrje të ngjashme që veprojnë në zona të tjera.
Mendoj se për çdo sipërmarrje është shumë e rëndësishme të kapërceje kufinjtë e zones së saj dhe të përfshihet në një treg më të gjërë.
Duhet përmendur që bizneset e përfshira në projektin ConnectIT, u përzgjodhën nga një grup kompanish të cilët tashmë kishin marrë një mbështetje teknike nëpërmjet programit CoSolve-19, një iniciativa e përbashkët e programeve dypalëshe të bashkëpunimit gjermano-shqiptar për Zhvillim, përkatësisht ProSEED dhe SRD.
Pra, janë biznese në fushën e turizmit e bujqësisë të cilët janë këshilluar më parë sesi mund të kapërcenin disa nga problematikat që Covid-19 kishte sjellë. Shumica e tyre ishin orientuar më herët që digjitalizimi i shërbimeve që ata ofronin do ti ndihmonte për të qëndruar më gjatë në treg. Pra, në këtë kënvështrim mund të themi që puna nuk filloi nga zero.
Shumë prej bizneseve ishin të njohur me idenë që digjitalizimi do t’i ndihmonte. Diçka e tillë ishte një vlerë e shtuar për studentët dhe ekipet e tyre. Nga ajo çka u pa këtu kishte propozime shumë interesante dhe punë e mirë e bërë nga studentët por duhet theksuar që rastet e suksesit ishin ato që kishin pasur një komunikim të mirë me klientët. Klienti dinte së çfarë kërkonte. Pra, duhet pranuar që suksesi nuk është thjesht aftësia teknike por dhe aftësia e komunikimit me biznesin.
E pyetur për objektivat e ardhshme të GIZ për projekte të ngjashme që targetojnë të rinjtë, Valbona Koçi thotë se:
Së pari, një historik i shkurtër i ConnectIT; Ideja e ConnectIT ka lindur dy vite më parë, ku është mbështetur program EU for Innovation financuar nga BE, qeveria gjermane dhe ajo Suedeze, e i implementuar nga GIZ, i cili synim kryesor kishte lidhjen më të fortë mes akademisë dhe bizneseve.
Sot, këtu u bë e qartë që studentët nuk duhet dhe nuk mjafton që të marrin vetëm anën teorike të lëndëve të caktuara gjate studimeve në universitet, por ndërkohë, suksesi është më i madh kur studentët, prezantohen me klientë të mundshëm të së ardhmes, janë më afër bizneseve, më afer sektorit privat dhe fillojnë të punojnë që në auditore për ta. Kjo rrit jo vetëm aftësitë e tyre dixhitale, por dhe aftësitë e komunikimit dhe mundësitë për tu lidhur më mirë me tregun, sidomos kur përfshihen në iniciativa si ConnectIT.
Me çfarë u prezantuam sot, ishte vetëm një pjesë e punës se ciklit i parë të ConnectIT 2023; në pak javë fillon cikli i dytë, që do të thotë një angazhim i dytë i një numri të konsiderueshëm studentësh nga universitete të tjera për të bërë të njëjtin rrugëtim.
Për më tepër, ka shumë programe të tjera që zbatohen nga GIZ Shqipëri, të cilat patjetër kanë në fokus të rinjtë. Një prej tyre është pikërisht EU4Innovation, i cili do të implementohet në tre vitet e ardhshme.
Ky program në fokus do të ketë aktivizimin e të rinjve, prezantimin e tyre me qasje inovatore dhe rritja e të aftësive sipërmarrëse e komunikative të tyre. Rritja e kapaciteteve dixhitale dhe sipërmarrëse ndër të rinj që është aspekt kyç për të përmiresuar ekosistemin e inovacionit, dhe garantuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë.
Dr. Elona Karafili – Universiteti Polis, drejtuese e programit, tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për universitetet, studentët dhe vetë kompanitë.
Pështypjet e deritanishme janë shumë pozitive. Për natyrën e ekonomisë që ka Shqipëria, shumë nga përfituesit vijnë nga sektori i bujqësisë – bizneset pjesëmarrës në këtë cikël të parë kanë qenë ferma, prodhues të produkteve bujqësore, prodhues mjalti, prodhues të vajit të ullirit, disa agroturizme, bujtina, të cilat nuk janë të përqëndruara vetëm në Tiranë, por në rajone të tjera, disa madje në skaje të vendit si Has, Përmet, etj.
Kështu projekti ka arritur dhe një shtrirje më të mirë gjeografike përpos indikatorëve të synuar, si numri i studentëve, numri i bizneseve dhe numri i universiteteve të angazhuara.
Jam entuziaste që kemi një grup me gjashtë universitete që e kanë përqafuar këtë model që sjell ConnectIT dhe që synojnë ta replikojnë vazhdimisht dërisa të bëhet pjesë e kurrikulave të tyre si metodologji e mësimdhënies.
Shpresojmë që cikli i dytë të jetë po kaq i suksesshëm sa i pari dhe t’u vijmë në ndihmë kompanive mikro, të vogla e të mesme të cilat e kanë të domosdoshme që të digjitalizojnë një pjesë të proceve të tyre për të qënë konkurruese në treg.
Për shkak të kohës që projekti ka në dispozicion, por edhe për shkak të sfidave të evidentuara nga vetë bizneset, shumica e zgjidhjeve të kërkuara kanë qënë ndërtimi i faqeve të webit, ndërtim platformash për e-commerce ku mund të shiten produkte të caktuara, dhe përfaqësim më i mirë dhe më i kuruar i biznesit ne media sociale të ndryshme. Shpresojmë që në ciklin e dytë të kërkohen zgjidhje akoma më sfiduese për studentët.
Lexo: Hapet thirrja për shprehje interesi nga GIZ Albania
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.