Ministria e Financave shpall lojën e kuponit tatimor

Ministria e Financave shpall lojën e kuponit tatimor, ja çmimet për secilën kategori


Ministria e Financave ka gati lojën promocionale të kuponit tatimor. Kjo lojë është pjesë e fushatës sensibilizuese dhe promovuese të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe e mbështetur nga Ministria e Financave. Loja ka si qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e konsumatorit për tërheqjen e kuponave tatimorë gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve. Ministria e Financave bën me dije të gjithë të interesuarit se, duke ruajtur të gjithë kuponat tatimorë të tërhequr gjatë Nëntor-Dhjetorit 2015, çdo qytetar mund të bëhet pjesë e lojës dhe të ketë mundësinë që të fitojë një nga 511 shpërblimet monetare.

Afatet
“Loja promocionale e Kuponit Tatimor” do të organizohet për kuponat tatimorë e lëshuar gjatë periudhës 15 Nëntor – 31 Dhjetor 2015. Mbledhja e zarfave me kuponat tatimorë të kësaj periudhe do bëhet nga data 1 deri më 11 Janar 2016.

Pjesëmarrësit
Të drejtën për të marrë pjesë në lojën e kuponit tatimor e ka çdo qytetar, i cili ka tërhequr gjatë periudhës së zhvillimit të lojës kupona tatimorë nga blerjet. Qytetari, që të kualifikohet si pjesëmarrës në lojë, duhet të ketë mbledhur jo më pak se 50 kupona tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kupnave jo më të vogël se 5,000 lekë.

Dërgimi i kuponave
Kuponat e mbledhur brenda periudhës së zhvillimit të lojës promocionale duhet të postohen nëpërmjet shërbimit rekomande të Postës Shqiptare në adresën: “Për Lojën promocionale të kuponit tatimor; Shtypshkronja a Letrave me Vlerë (ish topografia ushtarake), Tiranë”.

Përveç kuponave tatimorë, pjesëmarrësi duhet të vendosë në zarf një etiketë me të dhënat e mëposhtme: i)Emrin, mbiemrin, numrin e kartës së identitetit dhe nr. telefonit të lojtarit; ii) Vetëdeklarimin e numrit të kuponave të vëna brenda në zarf dhe vlerën nominale në lekë të gjithë kuponave. Në momentin e postimit të zarfit, pjesëmarrësi do të pajiset me një dokument ku është i pasqyruar numri i barkodit të zarfit të dërguar (i ofruar nga posta). Ky numër do shërbejë si numër për identifikimin e secilit pjesëmarrës gjatë hedhjes së shortit dhe tërheqjes së çmimeve fituese.

Hedhja e shortit dhe shpallja e fituesve
Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 Janar 2016. Hedhja e shortit dhe përzgjedhja e fituesve do kryhet në mënyrë elektronike dhe do të transmetohet nga televizionet kombëtare, në një orar që do të përcaktohet më vonë dhe do të njoftohet përmes reklamimit në media. Për kategorinë I dhe II të fituesve, shpallja do bëhet në datën 15 Janar. Në rastin kur një numër është përzgjedhur fitues dhe, pas verifikimit të të dhënave të deklaruara në zarf, rezulton se ka mos përputhje me gjendjen faktike të tij, çmimi do të anulohet.

Në rastin e anulimit, për kategorinë I dhe II, fitues do të jetë korresponduesi sipas listës së renditur, i cili do të shpallet vetëm pas kryerjes së verifikimit. Për kategorinë e III dhe IV, shpallja e fituesve do bëhet pas hedhjes së shortit dhe pasi të jenë verifikuar të dhënat e deklaruara nga pjesëmarrësit me gjendjen e zarfit brenda 15.1.2016. Lista e fituesve do të publikohet në faqen e internetit të lojës. Në rastin kur një numër është përzgjedhur në mënyrë rastësore fitues dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet.

Komisioni
Për qëllimin e organizimit të Lojës së Kuponit Tatimor, do ngrihet një komision i përbër prej 7 anëtarësh me përfaqësues të: i)Ministrisë të Financave; ii) Njësisë së mbikqyrjes së Lojërave të Fatit; iii) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; iv) Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës; v)Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë; vi)Organizatave të shoqërisë civile që punojnë për mbrojtjen e konsumatorit; vii) Dhomës Kombëtare të Tregtisë. Ky komision ka për detyrë mbikëqyrjen e hedhjes së shortit dhe shpalljes së fituesve të të gjitha kategorive.

Çmimet
“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” ka 4 kategori fituesish . Në përfundim të lojës do të shpallen 500 fitues për një vlerë totale prej 8,000,000 lekësh.

Çmimet fituese për kategorinë I dhe II
Në kategorinë I dhe II do ketë 11 fitues, të cilët nuk do përzgjidhen mbi bazën e hedhjes së një shorti, por në bazë të klasifikimi sipas vlerës totale dhe numrit të kuponave të dërguar. Fituesit do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70% me vlerën nominale të kuponave dhe 30% me numrin total të kuponave të postuar. Pra sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponave të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia fitimit.

Kategoria Nr. fituesve Çmimi për fitues Totali
I 1 1,000,000 Lek 1,000,000 Lek
II 10 100,000 Lek 1,000,000 Lek

Nëse pas vlerësimeve për vendin e parë apo edhe për 10 fituesit e tjerë rezultojnë më shumë se një fitues për kategorinë e parë, apo më shumë së 10 fitues për kategorinë e dytë me të njëjtat pikë, përzgjedhja e fituesve bëhet nga aplikacioni elektronik në mënyrë rastësore të bar-kodit respektiv.

Çmimet fituese për kategorinë III dhe IV
Kategoria e III dhe IV e fituesve do përzgjidhet në mënyrë rastësore, nëpërmjet një mekanizmi elektronik i cili do përzgjedhë fituesit sipas një gjeneruesi rastësor numrash (RNG). Pjesëmarrësit në lojë do kualifikohen si të tillë me plotësimin e kushteve të mëposhtme: a) Të kenë minimum 50 kupona me vlerë jo më pak se 5,000 lekë të të gjithë kuponave në total; b) Duhet që këto kupona të postohen nëpërmjet postës brenda afatit të lojës.

Kategoria Nr Fituesish Çmimi për fitues Totali
III 200 15,000 Lek 3,000,000 Lek
IV 300 10,000 Lek 3,000,000 Lek
Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ftojnë të gjithë konsumatorët e produkteve dhe të shërbimeve të bëhen pjesë e kësaj loje.

/Balkanweb/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0