Bankat shqiptare aplikojnë zyrtarisht për në SEPA, transfertat fillojnë në tetor - Business Magazine Albania

Bankat shqiptare aplikojnë zyrtarisht për në SEPA, transfertat fillojnë në tetor

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave dërguan sot më 10 prill 2025, pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), paketën e aplikimeve për anëtarësimin e bankave në skemën e transfertave të kreditit SEPA. Të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025. Kjo është koha më e parë, e vendosur nga EPC, kur ofruesit e shërbimeve në Shqipëri mund të nisin kryerjen e këtyre transaksioneve ndërkufitare në Euro përmes SEPA-s.

Vendimi për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA u mor nga EPC më 21 nëntor 2024, ndërsa institucionet financiare mund të nisnin aplikimin për aderimin në skemat e pagesave SEPA vetëm prej muajit prill 2025. Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë orientuar intensivisht bankat në procesin e aplikimit, duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit.

Lexo edhe: Sejko takim me BERZH-in: Sistemi financiar dhe sektori bankar janë të qendrueshëm

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë organizoi disa workshop-e me ekspertë të Bankës Botërore për të qartësuar kërkesat dhe kriteret për aplikimin e secilit institucion, si dhe për t’i udhëzuar mbi plotësimin e dokumentacionit. Njëkohësisht, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me EPC dhe me komunitetin bankar për të plotësuar çdo mangësi të identifikuar dhe për t’i nxitur të gjitha bankat të jenë pjesë e skemave SEPA.

Pjesëmarrja në skemat SEPA do të sjellë përfitime të ndjeshme për konsumatorin dhe biznesin shqiptar, përmes uljes të kostos së transfertave dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë bankat në finalizimin e përshtatjeve teknike, për të qenë të afta të ofrojnë transaksione ndërkufitare më të lira për shqiptarët në momentin më të parë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0