E folura në publik është aftësia që do të përcaktojë suksesin e politikanëve dhe njerëzve të biznesit - Business Magazine Albania

E folura në publik është aftësia që do të përcaktojë suksesin e politikanëve dhe njerëzve të biznesit

Nga Fatima Gorezi

Komunikimi efektiv është shtylla kurrizore e një udhëheqjeje të suksesshme, dhe të folurit në publik luan një rol thelbësor në këtë proces. Aftësia për të shprehur qartë idetë, për të frymëzuar veprim dhe për të krijuar lidhje me punonjësit ( audiencën) është ajo që i dallon liderët e mëdhenj. Është e provuar tashmë se të folurit në publik ndihmon në zhvillimin e aftësive udhëheqëse, duke sjellë shembuj të liderëve të njohur që kanë ndikuar në biznes përmes komunikimit të tyre të fuqishëm.
Përmes fjalimeve dhe prezantimeve, liderët fitojnë besimin e publikut, ndajnë vizionin dhe objektivat e tyre, dhe forcojnë performancën në punë. Ata mësojnë të kuptojnë ndjenjat dhe mendimet e audiencës, një aftësi kyçe në udhëheqje që lidhet shumë edhe me inteligjencën emocionale; të jesh i aftë të kuptosh emocionet dhe ndjesitë e tjetrit. Të folurit në publik nuk është thjesht një aftësi, është një mjet i fuqishëm për të ndikuar, për të promovuar veten apo biznesin dhe për të pasur ndikim tek të tjerët. Në botën e sotme, ku duket se kryefjala është teknologjia, fjala është kallëzuesi. Është fjala ajo që i fton njerëzit në veprim, që i nxit të ndërmarrin vendime dhe të reagojnë. Për këdo që është në biznes, e folura në publik nuk është thjesht një aftësi esenciale, por është një domosdoshmëri për të ndërtuar marrëdhënie me punonjësit, partnerët, bashkëpunëtorët etj.

Disa njerëz mund ta kenë të lindur aftësinë e tyre për të folur pa drojë në publik dhe për të krijuar emocione e gjendje tek të tjerët; të tjerë mund ta fitojnë atë duke marrë trajnime.  Sipas Arjeta Dhimës, themeluese e iACT Studio dhe mentore e komunikimit, e folura në publik është një aftësi që duhet kultivuar: ” Të jesh lider i një kompanie, biznesi apo thjeshtë i vetëpunësuar duhet të jesh një njeri në radhë të parë me vizion të qartë për punën që ke nisur. Të jesh i qartë për filozofinë dhe strukturën që dëshiron të ndjekësh. Nëse këto janë të qarta, atëherë komunikimi është një armë e fortë që ke në dorë. Komunikimi dhe e folura në publik janë asetet që të lidhin me botën, pra mënyra se si qasesh në terren, si dëshiron të të njohin të tjerët. Komunikimi nuk mjafton të jetë i lindur, por ai duhet investuar. ” – thotë ajo për Businessmag.al.

Në Shqipëri, të folurit në publik mbetet ende një aftësi që nuk kultivohet mjaftueshëm, sidomos jashtë rrethit akademik apo politik. Shpesh herë, njerëzit shmangin ekspozimin publik nga frika e gabimeve, gjykimit apo mungesës së përgatitjes. Megjithatë, duket se edhe në këtë drejtim ka disa ndryshime. ” Viti 2023 ka qenë viti ku janë trajnuar vetëm lidera në studion time. Ndërgjegjësimi është, sigurisht që po. Kërkesa për një paraqitje të mirë dhe komode në audiencë është gjithmonë. Të dominosh në tregun e sotëm është pak e vështirë. Por të investosh për të qenë më afër dhe të kesh qasjen e duhur përmes mesazhit tënd kjo kërkon përkushtim. Tek biznesmenët e rinj ka një qasje të mirë kundrejt investimit në këtë fushë.” – thotë Dhima.

Lexo edhe: Freskida Halilaj : Nga suksesi në Amerikë tek vizioni në krye të IdentiTek, njihuni me drejtoreshën e ‘Pasaportave’

4 arsyet kryesore pse liderët kanë nevojë për aftësi të forta në të folurën në publik:

Frymëzon dhe motivon të tjerët
Një lider i vërtetë nuk jep vetëm urdhra – ai/ajo frymëzon veprime pozitive, inkurajon rritjen dhe përcakton drejtimin. Të folurit në publik ndihmon liderët të artikulojnë vizionin dhe misionin e tyre, të përfaqësojnë komunitetin dhe të sfidojnë mendësitë për të sjellë progres.

Më shumë mundësi dhe të ardhura
Çdo fjalim i mirëmbajtur është një mundësi për të rritur ndikimin dhe për të promovuar markën. Pjesëmarrja në emisione, media sociale apo intervista i jep liderit dhe organizatës së tij shikueshmëri të re, përballë klientëve, investitorëve apo bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Ndërton lidhje dhe autenticitet
Një lider i sinqertë dhe i vërtetë fiton besimin e njerëzve që ka përballlë. Në vend që të përpiqen të duken perfektë, liderët më të mirë përqendrohen te lidhja njerëzore, duke folur me transparencë. Ky autenticitet nxit bashkëpunim dhe frymëzim.

Më atraktiv
Një lider karizmatik është një aset i fuqishëm për markën. Ashtu si një mësues i mirë që të bën të dashurohesh me lëndën, një lider i aftë në komunikim bën që njerëzit të lidhen me vlerat e biznesit të tij.

Liderët e biznesit dhe politikës në Shqipëri po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për të folurën në publik

Edhe pse nuk ka statistika konkrete, duket se ata që investojnë më shumë për të mësuar artin e të folurit publik janë brezi i ri i politikanëve dhe biznesmenëve. 

Në këtë prag fushate, duket se edhe kërkesat për tu bërë pjesë e kurseve të të folurit publik shtohen. Dhima shprehet: ”Fushata gjithmonë ka një intensitet të lartë të presionit të kohës. E keqja është se për 1 muaj duan t’i bëjnë të gjitha. Ne jemi koshient që nuk realizohen të gjitha në një afat kaq të shkurtër, kur nuk ke kohë as të mendosh. Rastet më pa sukses janë ata që nuk kanë kohë të mendojnë. Sepse e folura në publik do ka mendim. Ajo tregon karakterin dhe vizionin që ti ke për punën që po bën/ do të bësh. Në rastin e politikës, ka kërkesa për marr trajnime, por prapë mendoj se duhet të ishte edhe më e madhe . Ata qendrojnë në podjumin më popullor, më evident; në atë të Parlamentit të Shqipërisë, nga ku fliten për projektligje dhe çdo fjalë e tyre ka zë, dëgjohet nga masa, bëhet lajm, ndaj duhet të tregosh se e zotëron atë art.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0