Një grup entuziastësh në sipërmarrje kanë mbërritur të çajnë muret administratës dhe të bëhen pjesë e diskutimeve, e të vendosen në qendër të vëmendjes. Startup-et, të cilat janë formësuar vitet e fundit, me ide të thjeshta, por edhe shumë ide interesante e inovative, së shpejti do të kenë një ligj. Nëse ato do të jenë rritur, ligji do t’u shërbejë të gjithë të rinjve dhe ideve novatore që po lindin, madje pritet të jetë një nxitës i tyre.
Businessmag që në fillimet e saj, ka pasur në fokus startup-et. Krahas mbështetjes përmes nxitjes dhe promovimit në platformat tona, shumë evente online dhe offline prej vitesh kanë krijuar hapësira zhvillimi për to. Në jemi rritur bashkë me ta dhe do t’i shoqërojmë në rrugëtimin e tyre. Njëkohësisht, rruga është e shtruar tashmë për startup-et e reja.
Mes institucioneve të entuziazmuara nga startup-et, është edhe Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ministri Eduard Shalsi dhe stafi i tij janë entuziastë për kontributin e tyre në projektligjin për startupet. Intervistën e zhvillojmë pas një konsultimi publik online që ministri po zhvillonte me një grup të gjerë interesi, ku komentet dhe sygjerimet ishin të shumta.
Projektligji është ende i hapur për konsultime, ndaj të gjitha grupimet e komunitetit kanë mundësi të japin kontributin e tyre.
Intervistë me Eduard Shalsin, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Cilat janë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj?
Projektligji parashikon një sërë masash mbështetese për startup-et inovative. Në fazën fillestare të zhvillimit të projekt-idesë startup-et inovative përfitojnë nga shërbimet e informacionit dhe konsulencës lidhur me detyrimet fiskale dhe procedurat ligjore, të ofruara pa pagesë nga Agjencia Kombëtare për Startup-et Inovative “Startup Albania”. Gjithashtu, lehtësuesit e certifikuar do të ofrojnë shërbime inkubimi, mentorimi dhe mbështetje të projekt-idesë, që do të ofrohen për startup-et sipas kushteve të parashikuara në marrëveshjen e lidhur me Agjensinë.
Lexo: Projektligji për startup-et, duhet të përfshijë në politika mbështetësit e hershëm të startup-eve
Startup-et e certifikuar përgjatë periudhës së inkubimit, që parashikohet të jetë 24 muaj, do të përjashtohen dhe nga pagesa e taksave vendore si tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, taksa vendore mbi pasurinë e paluajtshme, dhe taksa vendore e tabelës.
Ndër të tjera, përgjatë periudhës së inkubimit, startup-et e regjistruara do të mbështeten me grante financiare, garantimin e një pjese të riskut të kreditimit programe dhe masa të tjera mbështetëse.
Aktualisht projektligji është për konsultim publik. Cilat janë propozimet e para dhe cilat janë pritshmëritë tuaja nga sygjerimet/kërkesat?
Së bashku me projektin EU for Innovation të Bashkimit Europian, GIZ-in e mbështetur nga qeveria gjermane që kanë qenë një mbështetje e fortë në draftimin e këtij ligji ,duke na ofruar edhe ekspertizën e suksesshme të vendeve të ndryshme, kemi organizuar një sërë takimesh me aktorë të ndryshëm shumë interesante për të diskutuar përpara fillimit të procesit të draftimit. Duke marrë parasysh se nevoja për këtë projektligj erdhi nga vetë startup-et, edhe idetë fillestare për nevojat dhe masat mbështetëse u bazuan pikërisht nga diskutimet e gjera dhe intensive, pikërisht me pjestëarët e një ekosistemi që ekzistonte. Do doja të përmendja disa prej tyre duke shpresuar të mos kem harruar të tjerë, si: Xoom, Sapientify, Shpërndaje, Coolab, Innospace, Destil Creative Hub, Tech Space etj.
Ndonëse jemi në fillimin e konsultimit publik, i cili ka filluar më 26 Tetor 2020 dhe jemi të bindur se tashmë startup-et dhe lehtësuesit janë njohur më së miri me projektligjin dhe masat e propozuara, përsëri mendojmë se kemi ende mundësi ta përmirësojmë akoma më tej.
Cili është modeli, të cilit i jeni referuar për të zhvilluar komunitetin e startup-eve?
Më kujtohet një shprehje e Brad Feld, i cili në librin e tij për komunitetet e startup-eve shprehet se është më mirë të mësosh nga gabimet e të tjerëve, por duke marrë parasysh specifikat lokale.
Prandaj edhe në hartimin e këtij projektligji nuk u ndalëm vetëm në një model, por studiuam praktikat rajonale si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat ishin shembujt më të mirë rajonalë. Por nuk ndaluam me kaq, rishikuam dhe praktikat e tjera në rajon si Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Sllovenia.
Gjithashtu, diskutuam dhe morëm parasysh eksperiencën pozitive të Bashkimit Europian, duke filluar nga Gjermania, Finlanda, Letonia dhe Lituania. Shkuam dhe pak më larg se Evropa në studimet tona, duke rishikuar edhe shembujt e Tunizisë, Filipineve dhe Indisë, për të parë edhe vendet me potencial më të lartë në këtë fushë.
Përtej këtyre modeleve të studiuara dhe diskutuara së bashku me ekspertët e huaj që ofruan ekspertizën e tyre, çdo model që rishikuam ia përshtatëm problematikave lokale që na ngriti vetë ekosistemi i startup-eve në Shqipëri. Filluam nga kërkesat dhe nevojat që këta të fundit na paraqitën dhe më pas përshtatëm masat e ndryshme të ofruara në rajon dhe më gjerë për të adresuar problematikat lokale. Patjetër, duke lejuar në këtë projektligj edhe hapsirë për t’u rritur. Pra, duke krijuar një bazë përkufizimesh dhe hapësirash që do lejojnë zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.
Me çfarë nismash do të bashkëshoqërohet ky ligj konkretisht?
Duke marrë parasysh se nismat dhe detajet konkrete i diskutuam edhe në pyetjen e mëparshme të masave mbështetëse, do doja të ndalesha pak në risinë e Agjensisë së re, Startup Albania si dhe Bordin e Vlerësimit të Startup-eve Inovative, që përbëjnë një ofertë ndryshe për komunitetin.
Vendosëm së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë se mënyra më e mirë për t’i lejuar këtij ekosistemi të rritej dhe të ishte i pavarur, ishte krijimi i një Agjensie të re, që merret ekskluzivisht me startup-et inovative, një eksperiencë kjo e suksesshme edhe në vendet e rajonit që studiuam përpara hartimit të projektligjit. Kjo Agjensi, do të financohet nga dy burime, si nga buxheti i shtetit por edhe nga fonde jo buxhetore si kontributet e donatorëve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombtare, apo kontributet e aktorëve të ekosistemit të startup-eve inovative. Funksionet e kësaj agjensie do të jenë të shumta, duke marrë parasysh se është parashikuar të ekzistojë si një dritare e vetme që u kthen përgjigje startup-eve inovative lidhur me çdo kërkesë apo problematikë të tyre. Agjensia ka si funksion kyç edhe propozimin e politikave, planeve, strategjive si dhe përmirësimin dhe ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve inovative.
Një risi, është edhe krijimi i një Bordi të Vlerësimit të Startup-eve Inovative, i cili do të vlerësojë aplikimet, certifikimet dhe miratimin e masave mbështetëse të projektligjit. Risia në këtë bord është përbërja e anëtarëve, për të cilën është përdorur modeli triple helix, bashkërendimi i trinomit biznes-akademi-qeveri, me 2 përfaqësues të akademisë, 2 përfaqësues të ekosistemit të startup-eve, 1 përfaqësues të biznesit dhe 4 përfaqësues të qeverisë, duke i ofruar kështu 55% të vendimarrjes biznesit dhe akademisë. Ky formati i bordit është vendosur për të ofruar sa më shumë transparencë dhe një përzgjedhje dhe vendimmarrje meritokratike.
Vende si Letonia, Estonia etj, ofrojnë mundësi për tërheqjen e nomadëve digjitalë, duke i pajisur lehtësisht me dokumentet vendase. A do të mund të tërheqim të rinj të huaj edhe në Shqipëri?
Projektligji për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve inovative lejon certifikimin dhe përfitimin e masave mbështetëse si për individët vendas, po gjithashtu dhe ata të huaj që kërkojnë të aplikojnë ide inovative në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Duke ofruar mundësinë edhe për të huajt që të përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji kemi hapur rrugën edhe për tërheqjen e nomadëve digjitalë në Shqipëri.
Kjo është një pritshmëri e madhe e jona, për t’u kthyer në një bazë të rajonit për bizneset inovative në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Shqipëria besojme e ka potencialin të shndërrohet në një vend premtues në rajonin e Ballkanit Perëndimor per krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit të startup-eve, në të cilin padyshim përfshihen dhe nomadët digjitalë. Nomadët digjitalë janë njerëz që përdorin teknologjinë në lëvizje për të siguruar jetesën dhe, në përgjithësi, e zhvillojnë jetën e tyre në një mënyrë nomade. Ata punojnë në distancë nga vende, të cilat për ata konsiderohen me një vlerë të mirë monetare/me kosto tepër të përballueshme-të ulëta dhe përdorin hapësirat e bashkëpunimit ose vendet kreative.
Së bashku me faktin që Shqipëria do të ofrojë “co-ëorking spaces” – lehtësues startup-esh që janë duke u shtuar, hapësira dinamike për të punuar, internet të shpejtë, kosto tepër të përballueshmë jetese, lehtësi në hapjen, regjistrimin e biznesit si edhe kosto tepër të ulëta rëgjistrimi sipas raportit të Doing Business 2020, arsye të mira të tjera të shtuara janë lehtësitë që vijnë prej projektligjit për ekosistemin në Shqipëri dhe të huajt gjithashtu.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me ndikimin në turizëm, pasi digjitalët nomadë kërkojnë gjithashtu për atraksione turistike të përballueshme, ku Shqipëria shënon një plus tjetër. Së shpejti vendi ynë do të kthehet në destinacionin më të kërkuar nga koorporatat nomade, të cilat synojnë vende të tilla për të zhvendosur kompanitë e tyrë për një periudhë kohore nga 1-2 vite.
Forcimi, konsolidimi dhe zhvillimi i ekosistemit është synimi ynë, i cili do të ndihmojë në krijimin e vlerës së shtuar dhe inovacionit për startupet, lehtësuesit, rrjetit të mentorëve lokal dhe ndërkombëtar dhe gjithë aktorëve të tjerë të ekosistemit, duke na renditur më lart dhe në rajon.
A keni parashikuar në veçanti lehtësi në startup-e për vajzat?
Vajzat e përfshira në teknologji dhe inovacion kanë qenë një pjesë thelbsore e procesit tonë të konsultimit paraprak të projektligjit dhe ideve. Megjithatë kemi vendosur që përfshirja në këtë projektligj të jetë e barabartë për të gjithë të rinjtë inovatorë, duke ju ofruar të gjithë këtyre të rinjve një platformë të re mbështetje për idetë e tyre kreative dhe inovatore. Në një të ardhme, nëse do të vlerësohet e nevojshme nga analizat tona pas implementimit të ligjit, ndoshta do na duhet të rimendojme edhe masa të tilla.
A keni një mesazh përmbylles për të rinjtë inovatorë?
Do të dëshiroja të inkurajoja të gjithë sipërmarrësit e rinj dhe jo vetëm, por edhe për sipërmarrësit e konsoliduar, biznesmenët, aktorët ndihmues të ekosistemit të përfshihen thellesisht ne zhvillimin e këtij sektori që mund të gjenerojë rritje dhe punësim.
Ne besojmë te talenti, energjia, idetë inovative të të rinjve, ndaj do t’u kërkonim vendosmërisht të mos heqin dorë së përpjekuri e luftuari për të bërë realitet ëndrrat e tyre. Asgjë e mirë nuk arrihet pa mund e sakrifica.
Dhe jam i bindur se kemi hapur një shteg me mundësi të pafundme me një rrugë me të përpjeta dhe tatëpjeta, por që në finale, kur të kthejmë kokën pas me krenari të themi se gjithçka dhamë dhe bëmë ia vlejti.
Të gjithë ju që keni diçka për të na thënë lidhur me projektligjin, nëse mendoni se ka ende elementë që doni të përfshihen, ky është momenti juaj, logohuni në portalin e konsultimit publik dhe na jepni komentet tuaja.
https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/303
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.