Projektligji për startup-et, duhet të përfshijë në politika mbështetësit e hershëm të startup-eve - Business Magazine Albania

Projektligji për startup-et, duhet të përfshijë në politika mbështetësit e hershëm të startup-eve

Projektligji për startup

Rreth një vit e gjysmë më parë, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes bëri të ditur që qeveria me asistencën e GIZ kishte nisur përpjekjet për hartimin e një projektligji për startup-et në Shqipëri. Në tetor të këtij viti drafti i projektligjit “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve inovative” bashkë me një relacion shoqërues u bë publik në pritje të kalimit në parlament.

Vlen të përgëzohet çdo nismë që mbështet sipërmarrjen në Shqipëri, qofshin të llojit inovativ ose jo inovativ. Ekonomia ka nevojë për sa më shumë perspektivë, sidomos për mundësi të reja prodhimi dhe për vende të reja pune. Inovacioni, i synuar veçanërisht në vendet e zhvilluara, ku konkurrueshmëria dhe ekonomia kanë arritur një maturim dhe mund të rriten më tej veçanërisht përmes inovacionit, ka sigurisht rëndësi edhe në Shqipëri. Por ndryshimi është që në vendet e zhvilluara, nisur nga ato të BE-së, me të cilat na lidh edhe MSA dhe detyrimi i implementimit te acquis communautaire, përpjekjet për të mbështetur inovacionin kanë dekada që zhvillohen me përfshirjen e shtetit. Në ditët e sotme ne shohim rezultatin e këtyre dekadave pune dhe jo fillimin e tyre. Për pasojë, në kuadrin e çfarëdo lloj praktikash që sillen në Shqipëri, qoftë me nismën e sektorit privat, qoftë me atë të qeverisë, kërkohet që kjo premisë të merret parasysh.

Në kushtet kur qeveria dëshiron të ndërmarrë një nismë kaq thelbësore për ekosistemin e inovacionit sa ajo e një ligji që rregullon mbështetjen shtetërore për startup-et dhe lehtësuesit e tyre, do të ishte e nevojshme që të komunikohej drejtpërdrejt me grupet e interesit dhe cilindo aktor në ekosistem, që aktualisht mund të konsiderohet si me përvojë në këtë fushë, për shkak të investimeve dhe angazhimit të dëshmuar në vitet e kaluara. Komentet që vijojnë, sillen pikërisht në kuadër të mangësisë së konstatuar në këtë drejtim.

Në parim, duket se ajo që synohet përmes ligjit është që qeveria të ndërhyjë si rregullator për një mangësi të konstatuar në një treg që është shumë i vogël në përmasa. Një agjenci shtetërore më shumë, personeli i së cilës miratohet nga kryeministri i vendit, do të çertifikojë startup-et inovative dhe lehtësuesit e startup-eve, të cilët në vijim do të kenë mundësinë të konkurrojnë për grante, të përfitojnë nga lehtësira në tatime dhe nga shërbime konsulence. Titulli të lë të mendosh për një veprim më gjithpërfshirës, por përmbajtja tregon që veprimi është i kufizuar dhe në qendër të vëmendjes dhe veprimit të tij qëndron krijimi i një agjencie shtetërore që do të merret me këtë temë.

Disa çështje që dalin gjatë shqyrtimit të tij, të cilat do të parashtrohen përmes pyetjeve dhe komenteve shoqëruese, janë:

1.A është bërë një studim, i cili të justifikojë nevojën e krijimit të një agjencie, e cila për më tepër i jep vetes tagrin të përcaktojë se cilat startup-e do të quhen inovative dhe cilat jo, cilët lehtësues startup-esh quhen të tillë dhe cilët jo dhe në vijim edhe t’i çertifikojë ata? A është problemi i mungesës së inovacionit në vend i lidhur vetëm me fondet, lehtësirat fiskale dhe konsulencën e munguar për startup-e, apo është më i thellë dhe i lidhur me sistemin e edukimit dhe aftësimit me dije teknike të personave që mund të kenë ide inovative? Dhe ndërkohë që lehtësirat fiskale janë gjithmonë të mirëpritura nga biznesi, a mungojnë fondet dhe konsulenca për startup-et?

2.Që në hyrje bëhen përkufizime për terma, të cilët supozohet se do të përdoren në projektligj. Nga njëmbëdhjetë termat e paraqitur aty, gjashtë nuk paraqiten më fare në tekstin që vijon, përkatësisht: program përshpejtues, investim kapitali, engjëll biznesi, kapital risku, investim kapital risku, fond investimi. Nëse këto terma nuk do të përdoren në tekst dhe projektligji nuk do t’i adresojë ato përse shtrohen si përkufizime?

3.Agjencia “Startup Albania” që synohet të krijohet do të jetë një person juridik publik, i cili do të gjenerojë fonde nga: buxheti i shtetit, fonde jo buxhetore, kontribute nga aktorët e ekosistemit dhe fonde të tjera të ligjshme. Përveç buxhetit të shtetit që është faktori i vetëm konkret, burimet e tjera janë evazive sepse për mënyrën sesi do të përthithen ato nuk ka ndonjë artikulim të veçantë. Përse duhet që aktorët e ekosistemit të kontribuojnë në një agjenci shtetërore kur: (a) nuk kanë asnjë mundësi kontrolli mbi fondet që do të japin; (b) kur nuk u ofrohet asnjë incentivë për të bërë një kontribut të tillë, që mund të ndodhet me incentivë taksash, me ofrim vendi në bordin e agjencisë apo ndonjë formë tjetër? Aktorët e ekosistemit sikurse kanë vepruar deri më sot, mund të punojnë vetë drejtpërdrejt me startup-et dhe t’i përcaktojnë me stafin e tyre të kualifikuar nëse investimi në to vlen ose jo dhe nuk kanë nevojë për agjenci. Në këtë aspekt, për ta bërë projekligjin vërtet me vlerë për ekosistemin e inovacionit është e nevojshme që të përfshihen nene në të që kanë të bëjnë pikërisht me investuesit potencialë, kompani që operojnë në treg dhe njihen si inovative, engjëj biznesi, fonde investimi, organizata donatore. Gjithashtu me vlerë mund të jetë që agjencia në vetvete të mos japë vetëm grante por fonde të cilat i japin asaj mundësinë e një kthimi për investimin, pra ta bëjë pjestare në equity në startup. Në një këndvështrim afatgjatë kjo mund të jetë një zgjidhje që e bën agjencinë dhe punonjësit e saj vërtet të interesuar që paratë në dispozicion të investohen në startup-et që vërtet kanë potencial dhe jo thjesht për të dhënë idenë e dhënies së ca granteve që shënohen si arritje dhe angazhim i qeverisë.

Mbi projektligjin “PËR MBËSHTETJEN DHE ZHVILLIMIN E STARTUP – EVE INOVATIVE”

Lexo:Start up-et për Inovacionin, hapet konsultimi publik për projektligjin e ri

4.E paqartë është sesa i madh do të jetë buxheti vjetor i agjencisë, si për pjesën që ka të bëjë me personelin e parashikuar për të ashtu edhe për pjesën që ka të bëjë me grantet që përmendet se do të jepen për startup-et dhe për lehtësuesit e tyre. Ndërkohë në projektligj në mënyrë shumë të qartë janë parashikuar masat shtrënguese administrative për rastet kur nga ana e startup-eve apo lehtësuesve të startup-eve mund të ketë mashtrim në dhënie informacioni apo mosrealizime. Masat shtrënguese shkojnë nga 50 000 deri në 1 000 000 lek, sasi të konsiderueshme kur mendon se bëhet fjalë për startup-e dhe gjithmonë duke pasur parasysh se asnjë shifër e saktë nuk është dhënë lidhur me madhësinë e granteve. Në këtë aspekt, do të ishte serioze që në projektligj të paraqitet qartë sesi janë planet e angazhimit qeveritar të paktën në fazën fillestare të veprimtarisë së qeverisë në mbështetje të startup-eve, qoftë përmes agjencisë AIDA ose agjencisë “Startup Albania” kur ajo të krijohet. Fondet mund të shtohen ose të pakësohen por një referencë është e nevojshme të jepet.

5.Sa i përket strukturës së agjencisë, flitet për bordin e vlerësimit për të cilin ka një përshkrim më të qartë për si do të kompozohet, por nuk përmendet gjë në detaj lidhur me stafin zbatues të agjencisë. Në kushtet kur ka me qindra njerëz që ende ndodhen në çadra dhe pa shtëpi nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe kur nuk ka para as për të blerë teste për COVID-19 dhe për të përballuar situatën nëpër spitale, kur lexohet për një agjenci të re me staf zbatues, është e nevojshme të bëhet e qartë se për çfarë madhësie stafi bëhet fjalë dhe si planifikohet që ajo të zhvillohet, duke nisur me një fazë fillestare prove-pilot. Përsa i përket bordit të vlerësimit të startup-eve inovative përmendet që do të ketë përfaqësues nga ministria e ekonomisë, nga ministria për mbrojtjen e sipërmarrjeve, nga ekosistemi i startup-eve propozuar nga ekosistemi, nga universitetet dhe bota akademike si dhe nga dhomat e tregtisë dhe biznesit. Në total bëhet fjalë për nëntë anëtarë, nga të cilët katër parashikohet të jenë nga qeveria.

Dy aspekte pozitive vlen të shënohen këtu. Së pari, numri i anëtarëve nga jashtë qeverisë përbën shumicë. Së dyti, tregohet që ka një gatishmëri për ta kuptuar dhe përfshirë ekosistemin si i tillë. Por përtej tyre është e paqartë sesi do të bëhet zgjedhja e këtyre anëtarëve nga jashtë qeverisë. Më tej, e paqartë është se si do të sigurohet që këta anëtarë, si të qeverisë ashtu edhe jashtë saj kanë ekspertizën e nevojshme për të gjykuar mbi gjithë sektorët e ekonomisë në të cilët mund të bëhet inovacion, jo vetëm në atë drejtpërdrejt të teknologjisë së informacionit ku duket se është e fokusuar gjithë vëmendja në Shqipëri kur flitet për inovacion?

A nuk është më me vlerë që bazuar në projektet që paraqiten, në bazë konsulence të thirren eskpertë për secilën fushë të cilët ofrojnë vlerësim? E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe në raport me kontribuesit financiarë. A nuk është më me vlerë që kontribuesve financiarë t’u jepet mundësia të bashkëvendosin për të vlerësuar idetë mbi një bazë ekspertize të jashtme?

Dhe për të mbyllur komentet për bordin: ky bord me nëntë persona do të jetë i paguar apo do të punojë në bazë vullnetare?

Mbi projektligjin “PËR MBËSHTETJEN DHE ZHVILLIMIN E STARTUP – EVE INOVATIVE”

Lexo:10 këshilla të dobishme lidhur me rrjetet sociale për start-upe në fazat e hershme

6.A do të jetë agjencia konkurruese në treg, pra punonjësit e saj të jenë të interesuar të punojnë si të ishin në një kompani private, duke u nisur nga vlera e punës dhe rezultatet apo synimi është thjesht të ndahen një numër i caktuar grantesh që janë caktuar për këtë qëllim. Në rast se ndodhet e dyta, atëherë agjencia rrezikon të kthehet vetëm në një organ PR-i të mëtejshëm për qeverinë. Dhe kjo vetëm se do ta dëmtonte tregun ende shumë të vogël dhe ku disa aktorë privatë mund të kenë bërë disa përpjekje në vite për të ngritur nisma.

7.Si synohen të pëfshihen qytetet e tjera të vendit? Duke pasur parasysh që vëmendja për inovacionin kryesisht fokusohet vetëm në Tiranë, është e nevojshme të përcaktohet sesi do të sigurohet që veprimtaria mbështetëse për inovacionin të jetë vërtet në rang vendi. Kjo do ta bënte që edhe njerëz me ide dhe me aftësi nga qytetet e tjera të ndihen se kanë një shpresë. Kjo mund të realizohej përmes kuotave për qytetet apo grupe qytetesh, sigurisht duke mos anashkaluar çështjen kryesore që duhet të jetë cilësia e projekteve që paraqiten (në rastin e startup-eve).

8.A do të mundësohet lidhje me botën e jashtme dhe si do të mundësohet ajo? Kjo është një nga pikat më të vështira për një startup, e pikërisht të gjejë akses në treg ndërkombëtar. Gjithashtu, po në këtë drejtim, me rëndësi është edhe asistenca për aplikim në fonde të Bashkimit Europian (posaçërisht Horizon Europe) si dhe për programe nga fonde investimi, përshpejtues ndërkombëtarë për startupe, etj. Ka shumë të tilla dhe startup-et që mund të kenë ambicie por nuk dinë se nga t’ia nisin kërkimit, kanë nevojë për këtë lloj asistence. Këto janë shërbime që agjenci homologe nëpër botë zakonisht i përfshijnë në portofolin e shërbimeve që ofrojnë.

9.Një çështje tjetër me rëndësi është ajo e autonomisë në veprimtari për agjencinë. Si në rastin e startup-eve ashtu edhe atë të lehtësuesve, rregullat për procedurat konkurruese për çertifikimin dhe miratimin e masave mbështetëse ndaj aplikuesve, rastet e zgjatjes së periudhës së inkubimit si dhe marrëveshja tip e bashkëpunimit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sa paraqitet lë të kuptohet që ndërhyrja e Këshillit të Ministrave, pra e një këshilli që përfshin gjithë ministrat e qeverisë që kanë sa e sa detyra e vendime për të kaluar në mbledhjet e qeverisë, do të jetë e lartë, deri edhe për detaje të kësaj natyre.

Lexo:3 këshilla “të vogla” nga miliarderët për të mposhtur frikën e dështimit

10.Në mbyllje një koment i fundit lidhur me dispozitën kalimtare të projektligjit e cila parashikon që deri në krijimin e Agjencisë Kombëtare për Startup-et Inovative – Startup Albania, funksionet e saj do të kryhen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Duke iu referuar një rasti të freskët nga Bashkimi Europian, e pikërisht atij të European Innovation Council, do të ishte me vend që kjo periudhë kalimtare të mos ishte disamujore por të paktën 1-2 vjeçare si periudhë pilot, në të cilën të konfirmohej nëse ka kuptim ose jo të ngrihet një agjenci e tërë me strukturë, staf e detyrim financimi përmes buxhetit të shtetit.

Në këtë periudhë do të shihej sasia dhe cilësia e prurjeve, do të mund të testohej sa mirë funksionon bashkëpunimi me ekosistemin, me lehtësuesit e startup-eve, kompanitë konsulente për startup-et, do të mund të njiheshin më mirë dhe konkretisht përmes bashkëpunimit me investime engjëjt e biznesit dhe fondet e investimeve që mund të jenë të interesuar për të zbuluar tregun talentin shqiptar në veprim.

Nëse qëllimi është vërtet që t’i vihet në ndihmë startup-eve inovative dhe ekosistemit në përgjithësi, atëherë më mirë një testim më i gjatë dhe njohje më e mirë e terrenit, që mund të çojë në një rezultat të qëndrueshëm dhe vlerë sesa një pseudopërpjekje që vetëm se e trazon për pak kohë ekosistemin dhe zhduket si të tjera nisma para saj. Kur ato që vihen në lojë janë paratë e investuesve privatë, kjo barrë dhe humbje bie vetëm mbi investuesin, por kur ato që vihen në lojë janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, kjo barrë dhe humbje bie mbi të gjithë ne.

AUTORE: LINDITA KOMANI

Për konsultim publik ju mund të lexoni Këtu projektligjin për Startup-et.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0