Rrjeti social ka prezantuar para publikut veçorinë Facebook News, një pjesë e re e aplikacionit që do të promovojë një larmi të gjerë lajmesh.
Seksioni është ende në fazën e testimit dhe do të jetë në disponim për të gjithë përdoruesit e Facebook-ut brenda disa muajve.
“Ky është një moment i madh për marrëdhëniet tona me industrinë e lajmeve”, ka thënë zyrtarja për lajmet në Facebook, Campbell Brown, në një intervistë për CNN Business.
“Unë e di se njerëzit kanë dyshuar tek ne dhe në angazhimin tonë për biznesin e lajmeve”, tha ajo.
“Ky projekt duhet të sinjalizojë që me të vërtetë duam të jemi të parët për lajmet më të mira”.
Lexoni gjithashtu:
Facebook News është i ndarë në “seksione tematike për të eksploruar biznesin, argëtimin, shëndetësinë, sportin, shkencën dhe teknologjinë”. Ai gjithashtu mirëpret historitë e ditës, të përzgjedhur nga një grup gazetarësh.
Algoritmi vjen me rekomandime të personalizuara për lexim të mëtejshëm, të përshtatura për lajmet që “ju lexoni, ndani me miqtë dhe i ndiqni, dhe ju lejon të fshini artikuj, tema ose editorë të padëshiruar”, ka bërë të ditur rrjeti social.
Ekziston gjithashtu një seksion për ata që lidhin abonimet në gazeta me llogarinë e tyre në Facebook. “Gazetaria luan një rol themelor në demokracinë tonë. Kur lajmet raportohen në mënyrë të thellë me burime të mira, ato u sigurojnë njerëzve informacione ku mund të mbështeten. Përndryshe, ne humbasim një mjet thelbësor për të marrë vendime të mira,” shkruan Facebook në një postim.
Seksioni “news” u jep përdoruesve “më shumë kontroll mbi lajmet që ata shohin dhe mundësinë e eksplorimit të një game më të gjerë temash me interes për ta, direkt nga aplikacioni Facebook”, thuhet.
Është bërë e ditur se të gjitha shkrimet do të vijnë nga burime të jashtme – Facebook nuk do të prodhojë asnjë nga këto lajme.
Disa publikues do të paguhen, nëse lajmet e tyre shpërndahen në Facebook.
Për këtë arsye, drejtori i përgjithshëm i i BuzzFeed Jonah Peretti, ka thënë në një memo se, “është një ditë e mirë për internetin”.
“Veçoria e lajmeve do të ndihmojnë në forcimin e biznesit tonë – por rëndësia e tij shtrihet përtej kësaj”, shkroi ai.
“Për herë të parë, ne po shohim që platformat po rriten dhe po marrin përgjegjësinë për rolin e tyre në ekosistemin e lajmeve”.
Megjithatë, mediat kanë shtruar shumë pyetje, se cilat portale do të paguhen dhe cilat jo.
Kjo, thuhet më tutje, është mjaft e komplikuar dhe shumë redaksi lokale janë të shqetësuara se do të mbesin mbrapa.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto