CEO përballet me kritika pasi përdori AI për të “klonuar” punonjësit pa lejen e tyre - Business Magazine Albania

CEO përballet me kritika pasi përdori AI për të “klonuar” punonjësit pa lejen e tyre

"Ju nuk keni lejen tonë për të përdorur emrat tanë në këtë mënyrë!"

CEO përballet me kritika pasi përdori AI për të “klonuar” punonjësit pa lejen e tyre

Çfarë do të bënit nëse do të zbulonit se një platformë AI me qëllim fitimi është trajnuar mbi punën tuaj, dhe madje po përdor edhe emrin tuaj, pa asnjë leje?

Kjo është pikërisht situata që ka ngritur shumë diskutime në industrinë e medias dhe teknologjisë, pasi kompania e njohur më parë si Grammarly, tashmë e quajtur Superhuman, lançoi një funksion të ri që shkaktoi reagime të forta. Në gusht të vitit të kaluar, kompania prezantoi në heshtje një veçori të quajtur “Expert Review”. Kjo i lejonte përdoruesit të merrnin feedback për shkrimet e tyre nga versione të AI të modeluara si “klone” të shkrimtarëve profesionistë. Pra, sistemi simulonte stilin dhe mendimin e tyre, duke përdorur edhe emrat e tyre.

Ky funksion u hoq në fillim të marsit, pas kritikave të forta publike. Por ndërkohë, kompania u përball edhe me një padi kolektive, e udhëhequr nga gazetarja investiguese Julia Angwin.

Një nga zërat më kritikë ishte Nilay Patel, kryeredaktor i The Verge, i cili gjithashtu rezultoi se ishte “kopjuar” nga sistemi i AI. Në një episod të podcast-it të tij Decoder, ku ishte i ftuar CEO i Superhuman, Shishir Mehrotra, ai e përballi drejtpërdrejt: “Ju nuk keni lejen tonë për të përdorur emrat tanë për këtë. Kishit edhe shenja verifikimi pranë emrave, që e bënin të dukej sikur ishte diçka zyrtare. Njerëzit nuk e pëlqyen këtë, as unë, dhe ju e hoqët funksionin.”

Lexo edhe: A do të marrë fund lufta? Trump i gatshëm për marrëveshje, Irani sfidon

Në përgjigje, Mehrotra përdori një ton tipik korporativ, duke thënë se e kupton shqetësimin e ekspertëve dhe se kompania nuk kishte dashur të krijonte këtë situatë. “E kuptoj dhe e respektoj sa e vështirë është sot për njerëzit që krijojnë ide dhe për ekspertët. Më vjen keq që nuk arritëm të përmbushnim pritshmëritë e tyre dhe kërkoj falje për këtë. Nuk ishte qëllimi ynë,” u shpreh ai.

Madje, ai shtoi se nga këndvështrimi i tij si CEO, funksioni nuk kishte qenë as i suksesshëm. Sipas tij, përdorimi ishte i ulët dhe shumë pak njerëz e kishin zbuluar apo përdorur atë.

Por debati u bë më i fortë kur u ngrit çështja e pagesës për autorët, puna e të cilëve ishte përdorur për të trajnuar AI-n. Mehrotra argumentoi se kjo nuk ishte çështje imitimi, por thjesht atribuimi. “Kur dikush përdor përmbajtjen tuaj, duhet t’ju përmendë, sigurisht. Dhe për t’ju përmendur, duhet të përdorë emrin tuaj,” tha ai. “Por kjo është ndryshe nga ideja që dikush po ju imiton. Këto janë dy gjëra të ndryshme.”

Megjithatë, shumë nuk janë dakord me këtë interpretim. Siç theksoi Patel, problemi kryesor nuk është thjesht përmendja e emrit, por fakti që emrat dhe identitetet janë përdorur për qëllime komerciale pa leje. “Po, këtu kishte një qëllim të qartë komercial,” tha ai. “Po shisnit një produkt dhe përdornit emrat tanë si referencë.”

Në fund, Mehrotra shmangu diskutimin ligjor, duke thënë se kjo është një çështje që do të trajtohet në gjykatë.

futurism

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0