Google po zgjeron globalisht një nga veçoritë më të avancuara të Gemini, duke e çuar inteligjencën artificiale në një nivel më personal për përdoruesit. Bëhet fjalë për “Personal Intelligence”, një funksion që i mundëson Gemini të përshtatet me sjelljen dhe nevojat individuale, duke ofruar një eksperiencë më të personalizuar dhe më intuitive.
Lexo gjithashtu: Buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 mln euro më shumë TVSH në mars, nga shtrenjtimi i naftës
Fillimisht i lançuar në SHBA në janar, ky funksion tani po shtrihet në shumë vende të botës, por me disa përjashtime të rëndësishme. Përdoruesit në Europë, përfshirë Zonën Ekonomike Evropiane, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të kenë ende akses në këto veçori. Arsyeja lidhet me zhvillimet rregullatore në Bashkimin Evropian, ku Komisioni Evropian po ushtron presion mbi gjigantët e teknologjisë për të rritur konkurrencën në tregun digjital.
Në kuadër të Digital Markets Act, Komisioni Evropian ka propozuar masa që do të detyronin Google të ndajë të dhëna të rëndësishme kërkimi me motorë të tjerë, përfshirë informacione mbi kërkimet, klikimet dhe renditjet. Kjo synon të krijojë kushte më të drejta për rivalët dhe të sfidojë dominimin e Google në kërkimin online. Këto zhvillime duket se po ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin dhe mënyrën e shpërndarjes së veçorive të reja të inteligjencës artificiale në tregun europian.
Ndërkohë, kompania ka nisur edhe një tjetër ndryshim që mund të prekë miliona përdorues. Për herë të parë, Gmail po teston mundësinë që përdoruesit të ndryshojnë adresën e tyre, konkretisht pjesën para @gmail.com. Ky opsion është aktualisht i disponueshëm vetëm në SHBA, por përfaqëson një ndryshim të madh për një shërbim që prej vitesh ka qenë i pandryshueshëm në këtë aspekt. Interesante është se adresa e vjetër nuk humbet, por mbetet aktive si një alternativë, duke garantuar që komunikimi të mos ndërpritet.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto