Kapitulli më pak befasues i historisë së Manus AI po ndodh tani! - Business Magazine Albania

Kapitulli më pak befasues i historisë së Manus AI po ndodh tani!

Kapitulli më pak befasues i historisë së Manus AI po ndodh tani!

Në thelb, nuk ka asgjë të papritur në atë që po ndodh. SHBA dhe Kina janë përfshirë në një garë të hapur për të ndërtuar inteligjencën artificiale më të fuqishme në botë. Pekini po investon miliarda në zhvillimin e modeleve vendase, po forcon kontrollin mbi sektorin teknologjik dhe po ndjek me shqetësim faktin që shumë nga talentet më të mira të AI po largohen drejt kompanive amerikane.

Në këtë kontekst, historia e Manus merr një kthesë që në pamje të parë duket si një sukses tipik startup-i, por në realitet është shumë më komplekse. Manus, një nga startup-et më të përfolura të inteligjencës artificiale në Kinë, u zhvendos në heshtje në Singapor dhe më pas u ble nga Meta për 2 miliardë dollarë. Pyetja që lind natyrshëm është: a mund të ndodhte kjo pa pasoja?

Manus u bë i njohur shumë shpejt pasi publikoi një video demo ku një agjent AI kryente detyra të ndryshme si përzgjedhja e kandidatëve për punë, planifikimi i udhëtimeve dhe analiza e portofolave financiare. Kompania madje pretendonte se performonte më mirë se disa nga produktet më të avancuara të OpenAI. Brenda pak javësh, fondi amerikan Benchmark investoi 75 milionë dollarë në kompani, duke e vlerësuar atë në 500 milionë dollarë. Ky zhvillim nuk kaloi pa reagime në SHBA, ku u ngritën shqetësime për financimin e teknologjive që potencialisht mund të përfitonin një rival strategjik si Kina.

Lexo edhe:Fundi i privatësisë në Instagram? Çfarë ndodh me mesazhet e tua pas 8 majit

Rritja e Manus ishte e shpejtë dhe mbresëlënëse. Deri në fund të vitit, kompania kishte arritur miliona përdorues dhe gjeneronte mbi 100 milionë dollarë të ardhura vjetore. Pikërisht në këtë moment hyri në skenë Meta. Mark Zuckerberg, i cili e ka vendosur inteligjencën artificiale në qendër të strategjisë së tij, vendosi ta blejë kompaninë për 2 miliardë dollarë. Një marrëveshje që, sërish, habiti shumëkënd.

Megjithatë, ajo që e bën këtë histori edhe më interesante është fakti që Manus kishte filluar prej kohësh të distancohej nga Kina. Kompania zhvendosi selinë dhe ekipin në Singapor, ristrukturoi strukturën e pronësisë dhe, pas marrëveshjes me Meta, u premtua se do të ndërpriteshin të gjitha lidhjet me investitorët kinezë dhe do të mbylleshin operacionet në Kinë. Në thelb, Manus po përpiqej të transformohej në një kompani ndërkombëtare, duke dalë nga ndikimi direkt i Pekinit.

Por në Kinë, ky lloj veprimi nuk shihet me sy të mirë. Ekziston madje edhe një shprehje për këtë fenomen, “shitja e të korrave të reja”, që i referohet kompanive vendase që largohen dhe shiten jashtë përpara se të zhvillohen plotësisht, duke marrë me vete teknologjinë dhe talentin. Dhe Pekini ka treguar më parë se nuk e toleron këtë. Rasti i Jack Ma në vitin 2020 është një kujtesë e fortë për mënyrën se si autoritetet reagojnë ndaj figurave apo kompanive që dalin jashtë vijës.

Për këtë arsye, zhvillimet e fundit nuk janë aspak të papritura. Sipas raportimeve, bashkëthemeluesit e Manus janë thirrur nga autoritetet kineze dhe janë udhëzuar të mos largohen nga vendi për momentin. Nuk ka akuza formale, por po zhvillohet një hetim për të kuptuar nëse marrëveshja me Meta ka shkelur rregullat e investimeve të huaja. Zyrtarisht, kjo quhet një rishikim rutinë, por mesazhi që përcillet është shumë më i fortë.

Në një moment, drejtuesit e Manus mund të kenë menduar se kishin arritur të largoheshin pa pasoja. Ndoshta ende ekziston kjo mundësi. Por në një kohë kur inteligjenca artificiale është kthyer në një çështje strategjike globale, çdo lëvizje e tillë mbart një rrezik të madh. Dhe tani, duket qartë se Kina nuk ka ndërmend ta lërë këtë histori të kalojë pa u thelluar deri në fund.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0