Tani mund të transferosh bisedat dhe informacionin tënd personal nga chatbot-at e tjerë direkt në Gemini! - Business Magazine Albania

Tani mund të transferosh bisedat dhe informacionin tënd personal nga chatbot-at e tjerë direkt në Gemini!

Lufta për vëmendjen e njerëzve në botën e chatbot-ave është duke u ashpërsuar, dhe Google sapo lëvizi një copë të rëndësishme në këtë shah digjital.

Kompania njoftoi të enjten një funksion të ri të quajtur “switching tools”, mjete kalimi, që i lejojnë përdoruesit të transferojnë drejtpërdrejt në Gemini dy gjëra shumë të vlefshme: memoriet personale dhe historikun e bisedave nga chatbot-at e tjerë si ChatGPT dhe Claude.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Nëse ke kaluar muaj të tërë duke i mësuar ChatGPT-it se si të flasë me ty, çfarë preferon, si të quhen të afërmit e tu dhe ku ke rritur, nuk duhet ta fillosh gjithçka nga zero me Gemini. Me këto mjete të reja, mund ta “kopjosh” atë kontekst dhe ta ngarkosh direkt. Funksioni i memorieve funksionon kështu: Gemini të sugjeron një prompt që e fut te chatbot-i që po përdor tani. Ai chatbot gjeneron një përgjigje me informacionin tënd personal, ti e kopjon dhe e ngjit në Gemini. Gati Gemini di tashmë se je ti. Për historikun e bisedave, mjafton të ngarkosh një skedar ZIP. Shumica e platformave, përfshirë ChatGPT dhe Claude, e lejojnë eksportimin e bisedave në këtë format. Gemini i lexon dhe ti vazhdon bisedën nga ku e ke lënë.

Lexo edhe:SimUno, si po ndërton Dijedon Tahiri një startup global për internet pa roaming

Pse po e bën këtë Google?

Sepse numrat tregojnë se ka punë për të bërë. OpenAI njoftoi muajin e kaluar se ChatGPT ka arritur 900 milionë përdorues aktivë në javë. Gemini, megjithëse është i instaluar si parazgjedhje në Android dhe Chrome, ka mbetur prapa me 750 milionë përdorues aktivë në muaj. Lëvizja është e qartë: Google po ul sa më shumë pengesat për ata që duan të kalojnë, duke i thënë në fakt, eja, nuk humbet asgjë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0