Digjitalizimi, lehtësi për jetën dhe burim për aftësi të reja - Business Magazine Albania

Digjitalizimi, lehtësi për jetën dhe burim për aftësi të reja


Na ndodh shpesh të zgjedhim një restorant vetëm nga gatimi i mirë apo të blejmë në një dyqan pasi shërbimi është i personalizuar. Stafi i kualifikuar shpesh përbën diferencën dhe shkollat profesionale janë një mundësi e mirë për ta arritur këtë. Por, a e dinit se edhe një mësues apo mentor në kompani mund të ketë rol vendimtar në suksesin e një të diplomuari? Si mund të kontribuojnë aktorët e ndryshëm jo vetëm në punësimin e shpejtë, por dhe të qëndrueshëm të atyre që zgjedhin arsimin profesional kundrejt atij të përgjithshëm? Çfarë mund të mësojmë nga modele të ndryshme?

Këto ishin të gjitha çështje të ngritura në një panel diskutimi gjatë Shkollës Verore të mundësuar nga projekti “Aftësi për Punë”.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

Paneli përbëhej nga Znj. Sidita Dibra, Koordinatore për Arsimin e Formimin Profesional (AFP) dhe Mënyrat e Reja të të Nxënit pranë projektit “Aftësi për Punë”, Z. Vangjel Stavro, Drejtues i Njësisë së Zhvilluesve në Rrjetin Akademik Shqiptar (RASH), Znj. Ada Ilia, Përgjegjëse e Sektorit të Integrimit dhe Statistikave në GOVnet dhe TIK pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Znj. Etleva Gjelaj, Zv/drejtore e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Znj. Rudina Gjoka, mësuese në shkollën “Kolin Gjoka” dhe drejtoreshë e Njësisë së Zhvillimit në po të njëjtën shkollë, Z. Gent Selenica, Drejtor i Përgjithshëm dhe bashkë-themelues i Baboon dhe u moderua nga Z. Elton Domnori, Universiteti Metropolitan.

Sipas Z. Domnori, teknologjia është pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë. Ajo ka ndryshuar mënyrën se si komunikojmë me njëritjetrin, se si marrim dhe perceptojmë informacionin. Teknologjia ka anët e saj pozitive dhe ku më mirë se në arsim mund të përqafohet. Ajo e ka burimin pikërisht aty, për t’u përhapur në përdorim të gjerë nga popullsia.

Por, si aplikohet dhe kush e aplikon sot teknologjinë në AFP? Për këtë dhe më shumë, paneli prej 6 personash paraqiti situatën aktuale në Shqipëri.

Lexoni: Këshillimi-Orientimi për karrierën, që në shkollën 9-vjeçare      

Sidita Dibra: “Aftësi për Punë, në ndihmë të procesit mësimor”

Në vitin 2016, Projekti “Aftësi për Punë” filloi nismën për integrimin e mënyrave ndryshe të të nxënit në AFP me një qasje të integruar. U krijua platforma virtuale e të nxënit në arsimin profesional, e cila përdoret tashmë nga disa mësues në mbështetje të procesit mësimor. Kjo platfomë është me shumë vlerë për nxënësit dhe mësuesit dhe mund të përdoret edhe jashtë klase përmes smartphone apo kompjuterit.

Projekti “Aftësi për Punë” ka investuar në infrastrukturën e institucioneve partnere të AFP-së, duke krijuar mjedise të klasave të mësimit të kombinuar. Në këto klasa aplikohen mënyrat e reja të të nxënit dhe mësimi organizohet në mënyrë më tërheqëse për nxënësit. Atje ka një infrastrukturë interaktive dhe komode (ngjyra, karrige më të rehatshme, tavolina modulare), kompjuterë si dhe akses në Wi-Fi.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme ka qenë digjitalizimi i procesit të mësimdhënies, i shoqëruar me orientimin e mësuesve mbi përdorimin e teknologjisë për një mësimdhënie tërheqëse dhe efektive. Një pjesë e madhe e investimit ka qenë pikërisht kualifikimi i mësuesve dhe ndryshimi i mendësisë për procesin mësimor. Synimi është që koha në klasë të shpenzohet jo vetëm me transmetim njohurish, por edhe me veprimtari që nxisin kreativitetin, punën individuale dhe atë në grup.

Gjatë procesit, është vënë re që integrimi i teknologjisë në mësimdhënie kërkon një qasje graduale. Kjo nismë është përqafuar fillimisht nga mësuesit inovatorë, të cilët janë të gatshëm të aplikojnë risitë. Faza e parë ka shërbyer për të testuar e për të provuar se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Projekti ka pasur raste mjaft të suksesshme në shkollë, të cilët synon t’i kthejë në normë, me qëllim që të gjithë nxënësit të mund të përfitojnë nga një proces mësimor tërheqës dhe efektiv.

Vangjel Stavro: “U-Albania, platforma që po zgjidh procesin e aplikimit në universitet”

Z. Stavro dëshmoi si arsimi i lartë ka avancuar në drejtim të digjitalizimit, si në rastin e platformës U-Albania për arsimin e lartë. Nëpërmjet kësaj platforme është digjitalizuar i gjithë aplikimi për universitet. Platforma ka 3 vjet që administrohet nga RASH dhe deri tani u ka shërbyer rreth 75 000 maturantëve, ndërkohë që po has përmirësime të vazhdueshme.

“Për shembull, kur maturantët aplikojnë për shkollë të lartë përmes platformës, i gjejnë atje kuotat për secilën degë, duke bërë kështu që zgjedhjet e tyre të jenë të informuara”, u shpreh Z. Stavro.

Disa nga përfitimet që sjell U-Albania është ulja e kostove, përditësimi i të dhënave dhe shpejtësia e shërbimit, pasi formulari mund të plotësohet në çdo moment brenda afatit të caktuar. Gjithashtu, janë reduktuar mundësitë e gabimeve dhe është konsoliduar i gjithë procesi.

Por, krahas përparësive që sjell platforma, sfidat nuk mungojnë. Një prej tyre është faktori njerëzor. Nëse njerëzit nuk bashkëpunojnë, sistemi është i destinuar të dështojë. Një faktor tjetër është mosbesimi masiv që ekziston ndaj sistemit. Infrastruktura që ka në dispozicion përdoruesi, mund të bëhet po ashtu një pengesë. Në shumë shkolla, për shkak të mos funksionimit apo të mungesës së infrastrukturës, shfrytëzimi i sistemit bëhet i pamundur.

Ndërkohë, po punohet për një sistem të unifikuar për administrimin brenda universiteteve, i cili do të zgjidhë çështjen e transferimit nëpër universitete, njoftimin e notave në kohë reale, si dhe oraret e provimeve. Në të ardhmen është parashikuar krijimi i një sistemi të ngjashëm për shkollat e mesme; kjo pasi U-Albania të konsolidohet, si dhe të integrohet sistemi i administrimit të universiteteve me emrin “Pitagora”.

Lexoni: Kapitali njerëzor dhe sfida drejt rritjes së kapaciteteve

Ada Alia: “Techspace, jo vetëm një qendër për startup-et”

Techspace është një qendër që ka në fokus orientimin e studentëve për krijimin e startup-eve. Ajo është formuar në shkurt të këtij viti, si iniciativë e AKSHI-t në vijim të një projekti të quajtur “Innovation Hub”. Në Techspace janë përfshirë rreth 800 studentë dhe 60 startup-e. Deri tani janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me dy universitete në vend, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, si dhe dy shkolla të mesme, “Gjergj Canco” dhe “Hermann Gmeiner”.

Në Techspace janë zhvilluar disa sesione informimi nga Microsoft Azur. Ndërkohë që të gjithë studentët anëtarë të qendrës janë njohur me aplikacionin “Microsoft Kaizala” e tij. Përmes këtij aplikacioni janë zhvilluar disa pyetësorë, ku janë mbledhur të dhëna mbi nevojat e studentëve për trajnime apo asistencë teknike. Në ambientet e Techspace është krijuar edhe një kënd i quajtur “IoT” me pajisje teknologjike, si për shembull një printer 3D, si dhe ofrohet asistencë teknike nga vetë stafi.

Znj. Ada Aliaj u shpreh se synimi i Techspace është të bashkojë studentët e degës “TIK” dhe “Ekonomik”, për të mbuluar edhe pjesën administrative e menaxheriale të startupeve. Gjithashtu, qendra po kontribuon në çështjet juridike, siç është krijimi i ligjit të startupve, ende draft, në mënyrë që këto startup-e të konsolidohen e të kthehen në biznese”.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

Etleva Gjelaj: “Nevojë për digjitalizim të shërbimeve të AFP-së e punësimit”

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka nisur procesin e digjitalizimit të shërbimeve të AFP-së e punësimit. Këtë vit, SHKP në bashkëpunim me projektin “Aftësi për Punë” po pilotojnë një platformë të menaxhimit të institucioneve të AFP-së.

Përmes AKPA-s, kjo platformë do të mundësojë një sistem të informatizuar menaxhimi për të gjithë rrjetin e ofruesve. Platforma për menaxhimin online të shërbimeve të AFP-së është një grup modulesh që lehtësojnë procesin e mësimdhënies. Ajo mundëson që nga aplikimi në një drejtim ose kurs profesional dhe deri tek ndjekja e të diplomuarve apo të certifikuarve pas përfundimit të shkollës apo kursit profesional.

As këtu nuk mungojnë sfidat, duke filluar që nga niveli i aftësive të instruktorëve në institucionet e AFP-së e deri te infrastruktura e nevojshme.

Rudina Gjoka: “Projekti ‘Aftësi për Punë’, një ndihmë e madhe në krijimin e klasave konstruktiviste”

Znj. Gjoka tregoi për përvojën e përdorimit të infrastrukturës së ngritur në institucionet e AFP-së. Ajo u shpreh se falë projektit “Aftësi për Punë”, institucionet e AFP-së kanë integruar elemente digjitale, duke nisur që nga përmbajtja akademike. Metodat, proceset, vlerësimi apo vetëvlerësimi, tashmë mund të realizohen nëpërmjet platformës Mesovet.al.

Me mbështetjen e projektit, shkolla “Kolin Gjoka” ka arritur të realizojë klasa konstruktiviste. Në këto klasa, integrohet edhe teknologjia në mësimdhënie. Materialet mësimore digjitale janë të përshtatura dhe të prezantuara në mënyrë tërheqëse, në mënyrë që nxënësit t’i përvetësojnë më lehtë. Gjithashtu, në platformën digjitale ata mund të ngarkojnë detyrat. Përmes saj, nxënësit njoftohen edhe mbi veprimtaritë në vazhdim, pasi mësuesit publikojnë paraprakisht orët mësimore.

Znj. Gjoka theksoi se është e rëndësishme dhe detyrë e shkollës dhe e mësuesve që të bëjnë integrimin e TIK në mësimdhënie. Shkollat kanë nevojë të pajisen me infrastrukturën e duhur për këtë, por njëkohësisht duhet të kryhet zhvillimi profesional i mësuesve në kompetencat digjitale.

Sfida më e madhe mbetet mësuesi, sepse ata duhet të kualifikohen dhe përditësohen vazhdimisht mbi përdorimin e teknologjisë, duke e kombinuar me veprimtari me në qendër nxënësin.

Gent Selenica: “U bëj apel shkollave për të futur në kurrikula profesionet digjitale”

“Kur kemi nisur Baboon, vështirësia më e madhe ka qenë tek stafi. Në një botë që ndryshon shumë shpejt, edhe profesionet transformohen me shpejtësi. Në 10 vitet e fundit janë krijuar 180-200 profesione të reja në fushën e teknologjisë”, u shpreh themeluesi i Baboon.

Sipas Z. Selenica, në 10 vitet e ardhshme problemi kryesor global do të jetë leximi i të dhënave, pasi prodhohet një sasi e jashtëzakonshme të dhënash në ditë.

Ndaj nevojitet fokus tek profesionet digjitale: marketingu digjital, ndërtimi i website-ve, fushatat e marketingut në
Google, Facebook, Instagram, apo analizat e të dhënave. Këto profesione janë shumë të kërkuara dhe të mirëpaguara, por mungojnë njerëzit e kualifikuar. Pikërisht këtu duhet të fokusohen institucionet e arsimit e sidomos arsimit profesional.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

Gjatë këtij sesioni të Shkollës Verore, pjesëmarrësit patën mundësi të ekspozohen ndaj disa platformave që janë në përdorim në sistemin e AFP-së në Shqipëri, shumica të lehtësuara nga projekti “Aftësi për Punë”, si:

  • Mesovet.al është platforma online që mbështet mësimin e kombinuar në institucionet e AFP-së partnere të projektit. Ajo mbështetet në platformën “Moodle”, përshtatur sipas nevojave të shkollave.
  • NetAcad është platforma industriale nga CISCO. Që në 2017, projekti “Aftësi për Punë” funksionon si Akademi CISCO, duke çertifikuar 17 mësues që kanë integruar kurset e NetAcad në kurrikulën e shkollës. Kjo akademi ndiqet nga rreth 370 nxënës. Z. Enis Vehapi, Menaxher i Projekteve IT pranë Institutit Rochester të Teknologjisë në Kosovë (AUK), u shpjegoi pjesmarrësve avantazhet e kësaj platforme dhe inovacionin e saj të vazhdueshëm për një treg konkurues.
  • EPALE është platforma e Bashkimit Europian për edukimin e vazhduar të të rriturve, e cila në Shqipëri menaxhohetnga Agjencia Kombëtare e Arsimit Profesional dhe Kualifikimeve. Znj. Aida Tiko u tregoi pjesëmarrësve burimet dhe mundësitë e shkëmbimit dhe kontribuimit në këtë platformë.
  • Sistemi i Menaxhimit të Arsimit Profesional u prezantua nga Communication Progress në fazën e pilotimit në 3 institucione të AFP-së. Kjo platformë mundëson informatizimin e disa proceseve, si: aplikimin e kursantit, administrimin e mësimdhënies, raportimin etj.
  • Videopedagogjia u prezantua nga Znj. Adriana Prenga dhe Znj. Eriona Puka si mënyrë për të krijuar materialemësimore digjitale e interaktive pa kosto shtesë, duke përdorur programe si “Movavi”. Kjo teknikë shërben jo vetëm për të mbështetur procesin mësimor dhe për ta pasuruar me materiale mësimore interaktive, por edhe për të dokumentuar praktikën profesionale në biznes.

Artikulli u publikua më parë në faqen 42 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0