Vetëm 3 në 10 punonjës deklarojnë se kanë një mik të mirë në punë - Business Magazine Albania

Vetëm 3 në 10 punonjës deklarojnë se kanë një mik të mirë në punë

Miliona njerëz vuajnë nga vetmia. Sipas të dhënave të Gallup, më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën nuk kanë asnjë mik të vetëm. Dhe, më shumë se 20% e njerëzve nuk kanë miq ose familjarë te të cilët mund të mbështeten kur kanë nevojë. Mesatarisht, një person shpenzon 81,396 orë – më shumë se nëntë vite të jetës së tij – në punë. “Amerikanët tani kanë më shumë gjasa që të bëjnë miq në punë, sesa në çdo vend tjetër – duke përfshirë shkollën, lagjen e tyre, apo edhe përmes miqve të përbashkët,” sipas Qendrës së Anketimit për Jetën Amerikane.

Pra, njerëzit kalojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre në punë, dhe ky është vendi ku ata do të kenë më shumë gjasa që të krijojnë miqësitë e tyre.

Megjithatë, nga të gjitha gjërat që kompanitë bëjnë për të përmirësuar jetën e punonjësve dhe për të promovuar lumturinë e tyre, mirëqenia sociale është aspekti ku ata investojnë më pak, sipas një sondazhi të Gallup me shefat e burimeve njerëzore të kompanive më të mëdha në botë.

Në të vërtetë, Gallup zbulon se globalisht, vetëm 3 në 10 punonjës deklarojnë se kanë një mik të mirë në punë.

Pse duhet të shqetësohen kompanitë për këtë gjë?

Pavarësisht se shumë drejtues pohojnë se njerëzit janë pasuria e tyre më e madhe, ata presin që punonjësit ta lënë jetën e tyre personale jashtë zyrës kur vijnë në punë. Megjithatë, të dhënat e Gallup tregojnë se të pasurit e një miku të mirë në punë lidhet fort me rezultatet e biznesit, duke përmirësuar rentabilitetin, sigurinë, kontrollin e inventarit dhe mbajtjen e punonjësve në kompani.

Studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë dhe atë të Minesotës jo vetëm që konfirmuan se miqësitë e ngushta rrisin produktivitetin në vendin e punës, por ata zbuluan edhe arsyen pse ndodh kjo gjë. Miqtë janë më të përkushtuar, komunikojnë më mirë dhe e inkurajojnë njëri-tjetrin.

Sipas një studimi global nga Programi Ndërkombëtar i Studimeve Sociale, “Marrëdhëniet ndërpersonale midis kolegëve kanë një efekt pozitiv të konsiderueshëm dhe domethënës në kënaqësinë e punonjësit mesatar në vendin e punës. Ato renditen të parat ndër 12 arsyet që përmirësojnë kënaqësinë në punë.”

Nëse rritja e produktivitetit, rentabilitetit dhe kënaqësisë në punë nuk janë të mjaftueshme, gjetjet më të fundit të Gallup tregojnë se që nga fillimi i pandemisë, të pasurit e një miku të mirë në punë ka një ndikim edhe më të madh në gjasat e punonjësve për ta rekomanduar te të tjerët vendin e punës, në vendimin e tyre për t’u larguar nga puna ose jo, si dhe në kënaqësinë e përgjithshme në punë.

Me rritjen e pashmangshme të punës në distancë dhe të asaj hibride, miqtë e mirë në punë janë bërë tepër të rëndësishëm për të ofruar lidhje sociale, bashkëpunim dhe mbështetje për njëri-tjetrin gjatë periudhave të ndryshimeve.

Për fat të keq, pandemia jo vetëm që ka përkeqësuar vetminë në rang global, por ka ndikuar gjithashtu edhe në miqësitë në vendin e punës. Mes njerëzve që punojnë në mjedise hibride, Gallup ka vënë re një rënie prej pesë pikësh në mesin e atyre që thonë se kanë një mik të mirë në punë që nga viti 2019.

Krijimi i miqësive të qëndrueshme në punë

Pavarësisht nëse një vend pune është hibrid ose jo, kultura që i jep përparësi dhe nxit miqësitë në vendin e punës është tepër pozitive për punonjësit dhe kompaninë. Por, si munden menaxherët që të krijojnë dhe të ruajnë një vend pune sa më miqësor, i cili ofron rezultate të matshme dhe të kënaqshme, duke ndihmuar gjithashtu në luftën kundër epidemisë globale të vetmisë?

Këto janë disa veprime që duhen marrë:

  1. Krijoni një sistem të miqve në kompani (“buddy system”)

Të gjithë kanë nevojë për një shok, veçanërisht kur janë të rinj në një kompani. Vendosja e punonjësve të rinj në të njëjtin ekip me personat që kanë disa vite eksperiencë në kompani, mund të përshpejtojë procesin e përshtatjes së tyre dhe produktivitetin e grupit.

Miqtë në vendin e punës jo vetëm që u japin këshilla punonjësve të rinj për vendndodhjen e gjërave dhe për rregullat e pashkruara të kompanisë, por i ndihmojnë ata që të krijojnë lidhje edhe me kolegët e tjerë. Dhe disa nga këto lidhje fillestare, pothuajse gjithmonë, do të sjellin marrëdhënie afatgjata.

Çelësi për të pasur një sistem të mirë të miqve në kompani është shpeshtësia e ndërveprimeve. Microsoft zbuloi se kur disa punonjës të rinj të kompanisë takoheshin me miqtë e tyre më shumë se tetë herë në 90 ditët e para të punës, 97% deklaruan se miqtë i kishin ndihmuar që të bëheshin produktivë më shpejt.

Por, kur të punësuarit e rinj takoheshin me miqtë e tyre vetëm një herë gjatë 90 ditëve të para, kjo shifër ishte vetëm 56%.

  1. Shtoni numrin e takimeve fizike

Përpara pandemisë, puna ishte një vend ku kolegët mund të pinin kafe, të drekonin dhe të takoheshin me njëri-tjetrin në korridor për biseda të shpejta. Për njerëzit që filluan të punojnë në distancë në vitin 2020, një nga ndryshimet më të mëdha ishte rënia e konsiderueshme e orëve që ata shpenzonin në këto angazhime sociale me miqtë e tyre të punës.

Krijimi i miqësive kërkon që të flasësh, të shohësh dhe të jesh pranë njerëzve të tjerë. Mënyra më e mirë për të krijuar miqësi është duke e parë njëri-tjetrin. Por, të paktën, kolegët duhet të flasin më shumë dhe të dërgojnë më pak email-e. Email-et nuk do të jetë kurrë të njëjta me dialogun ballë për ballë. Për më tepër, është shumë më e mundur që të keqinterpretosh se çfarë do të thotë dikush nëpërmjet email-eve.

Drejtuesit e bizneseve duhet të japin shembullin e tyre. Komunikoni më shumë ballë për ballë dhe përdorini më pak email-et. Për më tepër, liderët mund të inkurajojnë ndërveprimet personale duke rishikuar pritshmëritë, duke caktuar norma të reja kulturore dhe madje duke përditësuar konfigurimet në vendin e punës.

Për shembull, inkurajoni trajnimet mes punonjësve me njëri-tjetrin ose bëni të mundur që ata të ndërrojnë herë pas herë detyrat e tyre, në mënyrë që të mund të bashkëpunojnë edhe me njerëz në fusha të tjera të kompanisë. Ekspozimi ndaj njerëzve të rinj krijon mundësi për të takuar miq të rinj.

Planifikoni aktivitete sociale, takime ose dreka. Mundohuni t’i vendosni zyrat e punonjësve më afër me njëra-tjetrën. Ku tjetër kaloni kaq shumë kohë me njerëz nga fusha të ndryshme të jetës, të orientuar drejt një misioni të përbashkët? Dhe ku jeni kaq të varur nga përpjekjet e personave të tjerë?

  1. Krijoni së bashku duke u argëtuar

Kur njerëzit kanë një qëllim të përbashkët dhe arrijnë gjëra të mëdha së bashku, ata formojnë një lidhje me njëri-tjetrin. Gëzimi qëndron te puna në grup për të prodhuar diçka magjike.

Duke përdorur Beatles si shembull të një grupi të suksesshëm, The Economist thotë: “Beatles e duan me të vërtetë atë që bëjnë. Kur ata nuk janë duke luajtur muzikë, ata janë duke folur ose duke menduar për të. Ata kujdesen për këngët e tyre dhe punojnë gjithmonë bashkë.”

Punonjësit tuaj gjithashtu duan ta përjetojnë këtë ndjesi – kënaqësinë dhe krenarinë e të krijuarit të diçkaje të mrekullueshme, teksa argëtohen me njëri-tjetrin. Miqtë e ngushtë e besojnë, e pranojnë dhe e falin njëri-tjetrin.

Dhe, kur punojnë së bashku, studimi i Gallup ka treguar se ata kanë më shumë gjasa që të angazhojnë më tepër klientët dhe partnerët e brendshëm, të bëjnë më shumë punë në më pak kohë, të krijojnë një vend pune më të sigurt, të inovojnë dhe të ndajnë ide ndërkohë që argëtohen në punë.
Harvard Business Review

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0