Debati për arsimin është bërë një çështje mbarë globale. Zhvillimi i teknologjisë po e çon atë në përmasa tërësisht të tjera. Por, ndërsa tregjet e zhvilluara po vrasin mendjen si ta përshtasin këtë “industri” klasike qindra vjeçare me botën e re të ekonomisë që po ndryshon me ritme marramendëse falë teknologjisë, në Shqipëri e Kosovë ende nuk kemi luksin ta hapim këtë debat. Duhet të diskutojmë për mungesën e literaturës, cilësinë e programeve, përgatitjen e duhur të profesorit, e politikat që nuk po ndiqen për zhvillimin e arsimit. Avantazh është fakti, se teknologjia nuk ka shumë nevojë për strategji e procese. Ashtu si çdo vend i botës së zhvilluar me nismat dhe financat e duhura, një universitet shqiptar mund të flasë të njëjtën gjuhë zhvillimi me një ndërkombëtar, përsa i përket implementimit të teknologjisë.
Businessmag ka zhvilluar disa anketa në shërbim të arsimit. Një me studentë në të gjithë vendin, e cili sjell një vlerësim për të gjithë arsimin dhe një anketë që nxjerr profesorët më motivues në universitete.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Ndaj më poshte keni këndvështrimin e studentit për univesitetin, nisma të ndërmarra në arsim nga sipërmarrje private, profesorët motivues, e shumë të tjera.
Universitetet, ende në përpjekjet e para për modernizim
Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi. Përmes arsimimit shoqëritë u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria. Arsimi është edhe një nga fushat që jo vetëm i prin shoqërisë, por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të përhershëm, nuk tregon paqëndrushmëri, përkundrazi, ato shërbejnë për t’iu përshtatur ndryshimit të shoqërisë.
Në sistemin tonë arsimor, ndryshimet e shpeshta të bëra këto 20 vitet e fundit, kanë treguar se arsimi është munduar të përshtatet sa të mundë me ndryshimet sociale në vendin tonë, por edhe me ato globale. Këto ndryshime jo gjithmonë kanë dhënë frytet e duhura dhe janë përceptuar shpesh si eksperimente.
E ndërsa nga njëra anë janë institucionet arismore, nga ana tjetër janë ata, studentët, jo pak herë shprehin revoltim dhe pakënaqësi ndaj sistemit arsimor, mësimdhënies, pedagogëve.
BusinessMag nisur nga kjo kërkon që ta shohim sistemin arsimor me sytë e studentëve, atyre që janë baza e zhvillimit të një shoqërie, prandaj kemi bërë një studim me rreth 3000 studentë/ish studentë në lidhje me situatën në të cilën ndodhet sistemi arsimor në Shqipëri.
Në studim 54.5% janë të përfaqësuar nga femrat dhe 45.5% meshkuj. Grupmosha që dominon është 20-23 vjeç me 57%, por nuk mungojnë përgjigjet nga grupmosha 35-40 vjeç. Ata kanë qenë pjesë të degëve të ndryshme të studimit nga të gjitha universitetet e Shqipëri, kryesisht Tiranë. Teknologjia e Informacioni, Marketingu dhe Administrim Biznesi janë më të shumtat.
Ja disa prej gjetjeve më interesante
Shpeshherë ajo çfarë studiojmë nuk është ajo çfarë kërkon tregu i punës. Njohuritë e degës së studimit nuk merren të plota duke u varur shpesh nga lëndë dhe nga pedagogët, pasi mungon literatura dhe shpesh edhe shpjegimet e duhura. Shumë fakultete nuk sigurojnë materialet e mjaftueshme mësimore, duke bërë që studentët të marrin leksionet me fotokopje. Pra, nuk ka libra sidomos për degët shkencore dhe të lidhura me teknologjinë.
Ndaj, krahas pedagogëve që shihen si tempujt e burimit të informacionit, studentët mbështeten tek interneti aty ku është përgjigjia e gjithçkaje, si dhe përdorimi i platformave teknologjike për degë të veçanta. Literatura shpesh është në gjuhën angleze.
Shesh pedagogët detyrohen t’i dërgojnë leksionet me email, ose nëse funksionon portali i shkollës çdo pedagog mund t’i postojë online në faqet e tyre, si dhe rekomandohen libra online në anglisht për t’i lexuar për të kuptuar më shumë lëndët që studiojnë.
Nuk janë të pakta rastet kur pedagogët botojnë librat e tyre dhe studentët janë të detyruar t’i blejnë me çmime “të kripura”, përndryshe nuk e kalojnë lëndën.
Ajo që është integruar në këto 10 vitet e fundit me arsimin është teknologjia, sidomos për degët e lidhura me të, por jo vetëm. Pasi çdo informacion lidhur me lëndët që studiohen në universitet kërkohet online dhe konceptet merren me të detajuara dhe shpjeguara qartë. Teknologjia tashmë ecën krah për krah me studentët dhe universitetet janë të detyruara ta bëjnë pjesë të pandarë të kurrikulave të tyre studimore.
Por përpos teknologjisë, këta studentë a po gjejnë mbështetje tek ata të cilët po u përcjellin dijen, pedagogët? Sipas studimit 80% e të anketuarve janë përgjigjur se varet nga pedagogu dhe formimi i tij.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
E ndërsa një orë mësimore klasike është e ndërtuar nga leksionet dhe seminaret në shumicën e degëve, ku pedagogu shpjegon në orët e leksioneve dhe pyet në ato të seminareve, mesa duket nuk është shumë efektive kjo mënyrë organizimi mësimor. Studentët nuk janë të kënaqur me këtë pasi teoria është në mbingarkesë dhe kjo përbën një disavantazh sidomos për degët që kërkojnë praktikë me patjetër. Mungon diskutimi dhe bashkëveprimi mes studentit dhe pedagogut. Gjithashtu ekziston akoma literatura e papërditësuar që e bën të pamundur që lëndët mësimore të jenë në koherencë me atë çka po ndodh sot me tregun e punës në Shqipëri dhe botë. Ka nga ato orë mësimore ku studenti duhet të mbajë shënime dhe nuk ndërveprojë me pedagogun. Ka mungesë infrastrukture si në kompjutera apo dhe laboratore shkencore për degë si kimia, biologjia, fizika apo ato të mjekësisë dhe inxhinierisë.
Pra, studimi tregon se sasia dominon cilësinë dhe kjo në fund reflektohet dhe tek ata që dalin në tregun e punës.
Në arsimin modern, studenti duhet të luajë rolin e protagonistit. Pra jo vetëm të dëgjojë, por të përfshihet në të gjithë orën mësimore. Mësimi organizohet me projekte, prezantime, orë laboratori, shembuj konkretë për ta kuptuar më mirë atë që po studiohet dhe mësohet. Një hap është bërë drejt kësaj, pasi shumë pedagogë po e marrin në dorë orën e tyre mësimore dhe në lëndët që zhvillojnë përpiqen të transmetojnë atë që një orë mësimore duhet të reflektojë.
Pedagogët e rinj po përpiqen të sjellin frymën perëndimore të arsimit dhe të angazhojnë më shumë studentët gjatë orëve të tyre mësimore. Ky është një hap i mirë drejt një të ardhmeje më të mirë.
Por a është mësimdhënia dhe kushtet në të cilat zhvillohet mësimi më optimalja e mundshme?
Kjo mbetet për t’u diskutuar. Mësimdhënia nuk ka lidhje me atë që kërkon vendi i punës në të ardhmen, ka akoma më shumë punë për të bërë dhe ka vend për përmirësim. Kushtet nuk janë më optimalet dhe nevojiten investime, sidomos për laboratorët.
Studentët janë pyetur se si do të donin të ishte një orë mësimore ideale për ta dhe të gjithë janë përgjigjur “me shembuj konkretë, duke vënë në zbatim teorinë më praktikën”. Ata kërkojnë të bëjnë raste studimore nga jeta e përditshme, të lidhura me aktualitetin. Të kenë bashkëbisedim me pedagogët dhe të mos gjykohen nëse përgjigjet e tyre nuk janë të sakta dhe pedagogët të jenë të hapur ndaj mënyrave dhe strategjive të reja për të zhvilluar një orë mësimore. Si dhe ka nga ata të cilët duan që teknologjia të ndërthuret me orën mësimore, duke përdorur smartfonët për zhvillime pyetësorësh dhe më pas të diskutohet rreth rezultateve të tyre.
Sa më shumë të bëhen pjesëmarrës studentët dhe sa më shumë të angazhohen në orën mësimore aq më shumë do të thithin informacion të asaj që marrin, duke çuar në një orë mësimore efektive.
Studimet universitare nuk mund të kalojnë pa sfidat dhe vështirësitë që çdokush nga ne i ka kaluar apo brezat që janë tashmë në universitet po i kalojnë.
Mes tyre në universitet shqiptare, oraret e çrregullta janë një shqetësim për studentët, mungesa e profesionalizmit te disa pedagogë, mungesa e literaturës, mos zhvillimi i orëve laboratorike, pasi mungon infrastruktura, hija e rëndë e pedagogut që shpesh çon në ngurrimin e studentëve për të bërë pyetje kur kanë paqartësi. Hendeku i madh që ndan universitetin nga tregu i punës, duke bërë që studentët në fund të studimeve të mos kenë një drejtim të qartë të asaj që duan të bëjnë dhe që mund të bëjnë. Kurrikula të papërditësuara, programi i papërshtatur me nevojat e tregut të punës, metoda të vjetëruara të librave me përmbajtje të ideologjike dhe të paredaktuar. Literaturë e pakët dhe e vakët, mundësi të pakta për aktivitete ekstra-kurrikulare. Me pedagogë që mbeten racionalë në metodikat e tyre dhe nuk duan të përshtaten me medodat moderne të mësimdhënies. Mungon motivimi i studentëve ku çdo gjë përcaktohet nga nota në fund dhe jo nga njohuritë që duhet të marrin. Ngurrim për t’u ankuar, pasi nuk merren parasysh dhe nuk kanë ku të drejtohen për të gjetur zgjidhje. Vështirësi në marrjen e informacionit apo shërbimit në zyrat përkatëse, pasi ka mungesë etike dhe informacioni nga të punësuarit aty. Mungesa e literaturës në gjuhën shqipe është ajo që qëndron në shqetësimin e të gjithë studentëve.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Arsimimi nuk kushton pak për një treg me të ardhura të ulëta si ky i yni. Kostot për t’u arsimuar rriten nga viti në vit sidomos me tarifat e larta të universiteteve, pa përmendur shpenzimet e tjera si blerja e materialeve mësimore, që shpesh herë nuk u shërbejnë lëndëve përkatëse. Kosto të tjera të jetesës janë të paevidentueshme. Por, ka raste kur ofrohen bursa nga universitetet.
Sistemi arsimor në Shqipëri ka akoma rrugë të gjatë për të bërë. Së pari duhet të rritet cilësia e asaj që transmetohet dhe atyre që do të dalin nesër në tregun e punës. Duhen futur metoda të reja të mësimdhënies, trajnim për pedagogët për t’iu qasur më shumë mënyrës sesi studentët e sotëm e përthithin informacionin. Përsa i përket sistemit parauniversitar është mirë që fokusi të përqëndrohej edhe në përgatitjen e qytetarëve të denjë për shoqërinë, pasi shkolla më shumë sesa arsimim është edukim.
Së dyti, nevojitet të futet teknologjia nëpër shkolla, si në mësimdhënie ashtu edhe në praktikën e lëndëve. Përpjekjet kanë nisur.
Së treti, programet kërkohet të përshtaten me tregun e punës, Universitetet duhet të orientohen drejt cilësisë dhe jo sasisë. Njohuritë nuk maten nga nota, studentët duhet të jenë më aktivë, të shkojnë nëpër trajnime, praktika apo konferenca të ndryshme dhe të marrin informacione se ekziston një botë tjetër që ofron mundësi të tilla.
Trajnimet profesionale në shumë raste janë bërë më të vlefshme për orientimin në tregun e punës.
Lexoni: Bëje pjesë të leximeve të kësaj vere numrin 21 të Revistës së Businessmag
Të pyetur nëse po të ktheheshin mbrapa do të zgjidhnin universitetin apo trajnimet profesionale, një pjesë e mirë do të zgjidhnin trajnimet profesionale, pasi të ofrojnë më shumë mundësi për t’u integruar në tregun e punës. Pjesa tjetër zgjedh përsëri universitetin, pasi sipas tyre në Shqipëri mungesa e një diplome nuk të hap dyert për t’u punësuar. Diploma është një domosdoshmëri dhe kriter selektiv në kompanitë që kanë të hapura vende pune.
Ka nga ata që do të preferonin të studionin jashtë. Të linin vendin e tyre për një mundësi më të mirë që ofron sistemi arsimor në botë.
Përkrah me universitetet sot po lindin metoda të reja mësimdhënie dhe mësimnxënie, që nga trajnimet, praktikat, të mësuarit online, krijimi i akademive për degë të ndryshme kryesisht të fokusuara në ato teknologjike, të cilat janë një mundësi shumë e mirë për të marrë njohuritë dhe aftësitë që kërkohen.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.