A mund të ndikojë shija e verës shqiptare në ekonomi? - Business Magazine Albania

A mund të ndikojë shija e verës shqiptare në ekonomi?


Falë pozicionit gjeografik, numrit të ditëve me diell, tokës pjellore dhe varieteteve autoktone, në Shqipëri ka potencial të zhvillohet një industri konkurruese në rajon dhe më gjerë. Ekspertët rekomandojnë si të rrisim emrin e mirë të verës shqiptare…

Shprehja se vera, sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë bëhet, duket se nuk vlen te ne. Shqipëria nuk është një vend që shquhet për markat e verës, megjithëse ka një traditë mijëra vjeçare të prodhimit të saj. Aktualisht prodhuesit shqiptarë operojnë në një treg të vështirë, të deformuar nga konkurrenca e pandershme dhe të gjunjëzuar prej verërave të importit. Një pjesë e prodhuesve kanë kryer investime në vreshta dhe teknologji, megjithatë ende nuk ka asnjë program apo plan konkret për të promovuar dhe për të mbështetur këtë industri dhe produktin “Made in Albania” duke e lënë tregun e verës në rrëmujë.

Megjithatë, falë pozicionit gjeografik, numrit të ditëve me diell, tokës pjellore dhe varieteteve autoktone, në Shqipëri ka potencial të zhvillohet një industri konkurruese në rajon dhe më gjerë, nëse do të investohet për cilësinë dhe krijimin e markës.

Një treg vendas me probleme

I vështirë, i deformuar, informal , i pakontrolluar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit janë etiketimet që përdori zoti Fatos Nurellari nga Kantina Nurellari, për të përshkruar tregun shqiptar të verës. Ndërkohë që vendet fqinje subvencionohen 100% dhe kanë një mbështetje maksimale nga shteti, në Shqipëri, kantinat shikohen thjesht si taksapagues. Sipas tij, falë mbështetjes së madhe që kanë, verat e importit janë një konkurrencë e madhe për prodhimin vendas.

Edhe për zotin Pëllumb Berberi nga Kantina Luani, informaliteti është shkaku kryesor i deformimit të tregut. Pavarësisht se në Shqipëri ka filluar që të prodhohen verëra të mira, kultura është e pakët. Njerëzit preferojnë që të blejnë verë nga fshatarët, e cila nuk përmbush asnjë standard cilësie.

Fermerët shqiptarë nuk subvencionohen, për këtë shkak çmimi i lëndës të parë është i lartë krahasuar me fqinjët. Prodhuesit vendas thonë se blejnë rrush në vendin fqinj, Maqedoni, 20 cent për kg, ndërkohë që në vend e marrin për 35 cent për kg.

Importet, sipas të dhënave nga doganat dhe vlerësimet nga operatorët, për vitin 2015, zotëronin 70% të tregut, ndërsa prodhimi vendas vetëm 30%.

Prodhuesit shqiptarë aktualisht prodhojnë për tregun vendas dhe sipas Flori Ukës, enolog, i cili njëkohësisht ka në zotërim njërën prej kantinave shqiptare, “Kantina Uka” prodhimi vendas nuk i kalon 1 milionë e 500 mijë shishe verë dhe depërtimi në tregun vendas është më i ulëti krahasuar me çdo industri tjetër të prodhimit dhe përpunimit.

Arsyeja e parë, sipas zotit Dashamir Elezi, president i Shoqatës së Sommelierëve Shqiptarë, është “dituria”. Ajo çka kantinave shqiptare iu mungon janë njohuritë në prodhimin e verës, ku vende si Franca apo Italia i kanë fituar me shekuj. Së dyti, teknologjia e shtrenjtë, ku jo të gjithë prodhuesit shqiptarë mund ta përballojnë. Vera ka një procedurë që nga vjelja deri te mbushja, dhe një pjesë të kësaj teknologjie ne nuk mund ta përballojmë. Këtu vjelja bëhet ende me anë të njeriut. Së treti, shteti shqiptar nuk ofron asnjë mbështetje për prodhuesin vendas, asnjë lloj subvencionimi, është fakt se prodhuesit shqiptarë mund të blejnë rrush në vendin fqinj Maqedoni më lirë se në Shqipëri, ku atje 1 kg kushton rreth 15 cent më lirë se në vend.

vera-1-ndarja-e-tregut-per-veren

Vitikultura në Shqipëri

Që një kantinë të ketë rentabël duhet që minimumi të ketë 5 hektarë vreshta, tha për Monitor presidenti i Sommelierëve shqiptarë, zoti Elezi. Në vendet si Italia, edhe 1 hektar vresht mund të japë produktivitet maksimal, kjo kryesisht për shkak të teknikave moderne.

Shumë prej prodhuesve vendas thanë se, për të prodhuar përveç vreshtave të Kantinës, mbledhin rrush dhe nga fermerët e zonës. Në Shqipëri, kultivimi dhe prodhimi i verës është thellësisht i fragmentuar.

Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqja totale e mbjellë me vreshta është 10,438 hektarë dhe kryesisht vitikultura është e përqendruar në Ultësirën Perëndimore. Veçmas varieteteve europiane, në Shqipëri ka dhe shumë varietete autoktone.

Qarku me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me vreshta është Fieri (2,061.9 ha), ndjekur nga Elbasani (1,273.7 ha), Vlora (1,214.7 ha) dhe Berati (1,116.5 ha).

Edhe Qarku i Korçës ka një sipërfaqe të mbjellë me vreshta prej 1,081 hektarësh. Prodhuesit e këtij qarku treguan për Monitor, se në përgjithësi sasinë e rrushit për fermentim e marrin nga fshatarët dhe tregtarët e zonës. Kantina Korça 2000 nuk ka asnjë sipërfaqe të mbjellë me vreshta. Njëjtë veprojnë pothuajse të gjitha kantinat, duke e plotësuar nevojën e tyre për lëndë të parë nga fshatarët.

vera-2-siperfaqja-e-mbjelle-me-vreshta

Importet 70% të tregut, dyfishohen nga Kosova

Italia dhe Franca janë vendet të cilat prodhojnë sasinë më të madhe të verës, rrjedhimisht dhe vendet që kanë numrin më të lartë të eksportit të saj. Gati 68% të verërave të importit në Shqipëri vijnë nga vendi fqinj, Italia. Prodhuesit shqiptarë tregojnë për Monitor se për të prodhuar verë të së njëjtës cilësi iu kushton më shumë se një prodhuesi italian, madje dhe më shumë se një prodhuesi nga vendi fqinj, Maqedonia.

Pas Italisë, vlerën më të madhe të importeve e ka Kosova, ku pesha e tyre është 10.3% e totalit të importeve. Edhe me Kosovën, bilanci tregtar është negativ, pesha e eksporteve shqiptare me shtetin më të ri të Europës nuk është më e vogël se 1%.

Në Kosovë, situata në këtë industri është thuajse e njëjtë me vendin tonë. Gazmend Daka, prodhues nga Kosova nga krahina e Rahovecit, që njihet për traditën në prodhimin e verës, tregon se industria atje ka thuajse të njëjtat problematika. Ai liston së pari fragmentarizmin e vreshtarisë dhe së dyti teknologjinë shumë të shtrenjtë që kërkon. Së treti, sikurse dhe këtu, prodhuesit tregojnë se ka një mungesë totale të subvencionimit, gjë që iu rrit kostot krahasuar me vendin fqinj Maqedoninë. Kostoja për të nxjerrë në treg një shishe verë përllogaritet rreth 1.8 euro për shishe (1 shishe=0.75L verë).

Kantina e tij kap një prodhim vjetor prej 35,000 shishe në vit dhe kryesisht ai e tregton nëpërmjet dy kanaleve kryesore, restoranteve dhe familjeve. Njëjtë si në Shqipëri, zoti Daka tregon se kultura e konsumatorit për të njohur verën është e pakët. Vera është një pije delikate, që jo kushdo që e pi di ta vlerësojë, ne kemi kulturë të pakët në këtë drejtim, – ka thënë ai.

Një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të verërave, Stonecastle Winery, ish-NBI Rahoveci është themeluar në vitin 1953, ndërsa nga 1955 ngrihet kantina e parë në Rahovec. Ndërmarrja është e njohur në tregun europian që nga viti 1963, ku filloi eksportin e verës në Gjermani. Kjo ndërmarrje, e cila është privatizuar në vitin 2006 nga amerikano-shqiptari Rustem Geci, ka hyrë fuqishëm dhe në tregun shqiptar.

Sipas të dhënave nga QKB, Stonecastle Vineyards & Winery L.L.C., filiali në Shqipëri, ka njohur një rritje të të ardhurave me 63% për vitin 2015, ndërkohë që importet nga Kosova janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

vera-3-importet-sipas-shteteve

Shqiptarët “nuk dinë të pinë” verë

Gazmend Daka, prodhues nga Kosova me përvojë të gjatë në këtë industri, tregon se shqiptarët në përgjithësi iu mungon kultura e verës, ndërsa pjesa tjetër nuk mund ta përballojë, pasi vera e mirë kushton dhe vera e lirë nuk është cilësore.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, grupi i mallrave “pije alkoolike dhe duhan”, në totalin e shpenzimeve të njësive ekonomike familjare, zë 3.4% të peshës, nga ku 1.2% shkon për pije alkoolike (verë, raki, birrë). Mesatarisht, një njësi ekonomike familjare shpenzon 70,766 lekë në muaj, ku nga këto, 847,9 lekë shkojnë për pije alkoolike. Të gjithë prodhuesit na pohuan se kultura e konsumatorit shqiptar për të njohur verën është e pakët. Ata thanë se pjesa më e madhe ende konsideron verë cilësore atë që nuk është e tillë.

Njerëzit janë mësuar me verën e prodhuar në kushtet e shtëpisë, pa asnjë standard në prodhim dhe shpeshherë, më shumë uthull se sa verë, tha një prej prodhuesve.

Verë e mirë, por askush nuk e njeh

vera-shqiptareProdhuesit shqiptarë mbrojnë me forcë se produkti i tyre ka një cilësi të mirë dhe se mund të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar. Pëllumb Berberi, i kantinës Luani në Berat, thotë se kanë filluar të prodhohen verëra të mira dhe cilësore që mund të konkurrojnë me verën franceze apo italiane.

Edhe Flori Uka, nga Kantina Uka, tregon se kohët e fundit vërtet ka filluar të prodhohet një verë cilësore, por që vështirësia më e madhe është paragjykimi dhe mungesa e promovimit. Z. Uka solli si shembull rastin e restoranteve që operojnë në vend dhe që për momentin janë kanali kryesor i shpërndarjes së verës për prodhuesit, se nuk e promovojnë aq sa duhet produktin “Made in Albania”.

Nëse verën shqiptare do ta vendosësh në fund të raftit dhe nuk do ta rekomandosh te njerëzit, sigurisht që vera as nuk do të njihet dhe as nuk do të shitet, thotë Uka.

Në të vërtetë, nga një studim i Departamentit të Vreshtarisë-Enologjisë të Universitetit Bujqësor mbi Tregun e Verërave në Shqipëri, rezulton se një në katër verërat që shërbehet në restorant është shqiptare.

Çfarë do të sillte promovimi? Së pari, turistët prej vetë natyrës kanë një kuriozitet për të provuar produktet vendase. Disa prej kantinave kryesore punojnë me turistët të cilët vizitojnë vendin, por përsëri sasitë e shitura mbeten modeste.

Së dyti, për të shndërruar verën “Made in Albania” në markë duhet mbështetje prej të gjithë faktorëve dhe shtetit. Duke bërë një paralelizëm me prodhuesit italianë të verës, Flori Uka shpjegoi arsyen se pse nuk ishte më pjesë e panaireve ndërkombëtare. Kosto e lartë është pengesa kryesore për t’u bërë pjesë e panaireve, që për të thënë të drejtën janë një mundësi e mirë promovimi, ndërsa prodhuesit italianë, që kanë sigurinë e markës “Made in Italy” subvencionohen, tha ai.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, bashkimi i prodhuesve shqiptarë është një faktor kyç për zhvillimin e kësaj industrie. Për këtë temë, prodhuesit nuk dëshirojnë që të flasin shumë dhe pohojnë se Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë të Verës ekziston, por vetëm në letra. Të tjerë flasin edhe për kryetar të shpallur apo dhe për dy kryetarë njëkohësisht.
Dashamir Elezi, Presidenti i Shoqatës së Sommelierëve Shqiptarë, ka treguar se ekzistenca e një shoqate serioze të prodhuesve është bazike për zhvillimin e kësaj industrie. Prodhuesit shqiptarë nuk janë të qartë se çfarë është filozofia e tyre e prodhimit. Duke pasur një shoqatë funksionale do të ketë rregulla strikte për sa i përket prodhimit dhe cilësisë së tregut, do të përmirësohet raporti me verën e importit. Prodhimi i ulët, duke marrë të gjitha kantinat së bashku, krijon hapësirë për të gjithë. Nëse shoqata do të ishte funksionale do të luftohej më lehtë prodhimi në të zezë dhe konkurrenca e pandershme.

Vera “Made in Albania”, gjenerues i ekonomisë

30albania7-master675I ri në moshë, po jo në industrinë e verës, Flori Uka na ka treguar diçka më shumë për tregun në Shqipëri dhe për sfidat që kanë prodhuesit në vend.
Flori, nga të paktët enologë që ka në Shqipëri, reflekton pasionin dhe ambicien për punën. Sot, ai drejton një nga kantinat shqiptare.

Si është tregu në Shqipëri?

Tregu është shumë i vështirë dhe fajtorë janë të gjithë nga pak, duke filluar nga shteti.
Pse vera “Made in Albania” krahasuar me atë që vjen nga importi ka një pozicionim të dobët në treg?
Vera e importit vjen me çmim shumë konkurrues, Italia sjell verë me çmim shumë më të ulët, pasi ka një mbështetje të madhe nga shteti italian. Ndërkohë unë si prodhues shqiptar kam një kosto shumë të lartë të prodhimit, ku kostoja ime si prodhues është 250 lekë/shishe dhe shteti përgjithësisht na shikon vetëm si taksapagues.
Shteti duhet ta shikojë produktin e verës “Made in Albania” si gjenerues të ekonomisë, ku përveç hapjes së vendeve të punës ka dhe vlerë kulturore e historike.

Nuk është e lehtë të gjesh verë shqiptare në raftet e supermarketeve, përgjithësisht ka verë importi dhe rrallë verë vendase, si operoni në treg?

Vera shqiptare kryesisht tregtohet në restorante, pasi marrim një çmim më të mirë.
Restorantet shqiptare ndikohen kryesisht prej konsumatorit, por restorantet gjithmonë kanë parimin që të shesin atë që duan, ndërkohë që me verën shqiptare këtë nuk e bëjnë. Të huajt përgjithësisht kanë kuriozitet dhe duan të provojnë, pavarësisht cilësisë, pra kjo është një plus për ne, që të paktën kemi mundësi që të na provojnë. Restorantet duhet që të jenë promovuesit tanë të parë.

E njohin verën konsumatorët shqiptarë?

Për sa i përket konsumatorit, në përgjithësi nuk kanë një kulturë minimale për të njohur verën. Ne, verën pa cilësi, atë që është prodhuar në shtëpi në përgjithësi, e kemi quajtur të mirë për shumë vite, por fakti është se ajo verë ka 1 mijë probleme. Vlerësimin e verës nuk mund ta bëjë kushdo. Është shumë e vështirë të luftosh me këtë mentalitet të konsumatorëve shqiptarë.

A keni të njëjtën cilësi me verën e importit të prodhuar në Itali apo në Francë?

Cilësinë tonë e vret çmimi, pasi ne për të prodhuar një shishe verë kemi shumë barriera dhe pak fitim (kosto më të lartë), ndërkohë që ata kanë pak barriera dhe më shumë fitim.

Si janë raportet midis kantinave shqiptare?
Të gjitha kantinat bashkë prodhojmë rreth 1 milionë e 500 mijë shishe, kjo do të thotë që sasitë tona nuk na bëjnë konkurrentë me njëri-tjetrin, pasi me prodhim kaq të vogël ka hapësirë dhe treg për të gjithë. Kantinat shqiptare duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që importi të kalojë në vend të dytë. Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë ekziston vetëm në letra, ku të gjithë duan të jenë kryetar.
Cilësia, nga 100 kantina, vetëm 10 kanë prodhim mesatar dhe mbi-mesatar.

Flet presidenti i Organizatës së Sommelierisë Shqiptare, Dashamir Elezi

Barrierat që na pengojnë të bëhemi konkurrues

1Prej sa vitesh operon Organizata e Sommelierisë Shqiptare? Ku konsiston puna juaj?

Organizata Shqiptare e Sommelierisë është organizuar në 2015 dhe ka një kontribut mbi 11-vjeçar në jetën shoqërore shqiptare. Puna e organizatës konsiston në njohjen e verërave dhe pijeve të tjera alkoolike vendase dhe të huaja dhe përhapjen e kulturës së njohjes dhe shijimit të verës në Shqipëri; mbështetjen teknike të prodhueseve shqiptarë dhe të aktorëve të këtij tregu. Puna e OSSH konsiston në trajnimet teorike e didaktike në fushën e restoranteve, mbështetjen teknike të prodhuesve për të arritur verëra cilësore të markës shqiptare dhe bashkëpunimin me shoqata të tjera ndërkombëtare për njohjen dhe përditësimin me verërat ndërkombëtare.

A ka verë të mirë shqiptare dhe pse nuk mund të jemi konkurrues as brenda Shqipërisë?

Për sa u përket verërave shqiptare duhet theksuar që disa prodhues seriozë në Shqipëri kanë investuar në vreshta, teknologji dhe know-how (bashkëpunim me profesionistë enologë ndërkombëtarë) të cilët po nxjerrin në pah vlerat e produkteve tipike shqiptare. Ka disa prodhime shqiptare të cilat garantojnë stabilitet dhe cilësi të lartë, por nuk janë sasiore dhe janë të paktë këta prodhues. Për sa i përket konkurrueshmërisë në tregun shqiptar ka disa barriera të ndryshme (edhe artifica burokratike), të cilat pengojnë prodhimin shqiptar për të marrë rrugën e duhur për sa i përket cilësisë. Prodhuesi shqiptar, edhe sot e kësaj dite nuk është mbështetur ende nga shteti me projekte konkrete. Gjithashtu ekziston një “mjegull” në fushën e marketingut dhe në shkëmbimin direkt me konsumatorin. Në aspektin e kontrollit fito-sanitar ka shumë mangësi, qoftë nga vetë institucionet e kontrollit ashtu edhe nga mënyra se si konsumatori qaset me produktin (verë e bërë vetë e tregtuar me bidonë plastikë). E gjithë kjo amulli ndikon negativisht në konkurrueshmërinë e prodhuesit shqiptar të verës në tregun vendas.

Çfarë karakteristikash, faktorë, apo kushte duhen që produkti final të jetë një verë e mirë?

Për të prodhuar një verë cilësore duhet që të ndiqen disa hapa teknologjikë:

– Lënda e parë (rrushi) duhet të ketë parametrat e duhur dhe të vilet kur të ketë arritur parametrat e duhur (pjekja fenolike, pH, aciditeti i duhur dhe rendimenti i duhur). Pasi të kemi një lëndë të parë cilësore duhet që të respektohet jo vetëm teknologjia e prodhimit duke pasur parasysh llojin e verës që do të prodhohet dhe kohën e procesit teknologjik dhe të kontrollit. Nëse ndiqet protokolli i duhur i prodhimit është më se e sigurt që luhatja cilësore nga viti në vit është shumë e vogël. Në Shqipëri shumë pak prodhues e ndjekin procesin teknologjik të rekomanduar nga specialistët e fushës – enologët. Aq më tepër që për të prodhuar një verë cilësore nevojitet një eksperiencë shumëvjeçare në këtë fushë, sepse kemi të bëjmë me një element të gjallë siç është vera në të cilin reaksionet e ndryshme organike ndodhin në kohë jashtëzakonisht të shkurtër dhe bëhen thuajse të pakontrollueshme. Procesi teknologjik përfundon me futjen e verës në shishe, kështu që është po aq i rëndësishëm edhe stabilizimi dhe ruajtja e verës.

Cilat janë problemet e kësaj industrie në Shqipëri?

Problemet e kësaj industrie janë komplekse:
-Prodhuesi nuk është shume i qartë për atë që duhet të jetë filozofia e tij e prodhimit.
-Mungesa e lëndës së parë të certifikuar (kultivarë qartësisht të certifikuar) si rrjedhojë dhe prodhim jo i duhur për atë që është emërtimi.
-Mungojnë politikat afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e kësaj industrie.
-Mungon mbështetja teknike nga ana e dikasterit te bujqësisë për sektorin e vreshtarisë.
-Mungon mënyra se si mund të udhëzohen prodhuesit vendas në harkun vjetor për atë që duhet të jenë shërbimet në vreshtari.
-Sistemi fiskal për kontrollin e prodhimit (duke qenë se është subjekt akcize) është i mangët dhe ndikon negativisht në procesin teknologjik të prodhimit.
-Mungojnë politika makroekonomike për promovimin në fushë të gjerë të prodhimit të verërave shqiptare si brenda dhe jashtë vendit.
-Tregu vendas është kaotik për sa i përket verërave të prodhuesve shqiptarë duke penguar prodhuesit korrekte.
-Përveç procesit teknologjik në tregun vendas mungojnë edhe elementet e tjerë që nevojiten për ta konsumuar verën nëpër restorante apo tryeza siç janë elementet ndihmës, shishja, tapa, etiketimi etj.

Si mund të zgjidhen dhe kujt i adresohen:

Zgjidhja e këtyre problemeve u përket të gjithë subjekteve të fushës, por së pari enteve shtetërore për të përcaktuar qartësisht rregulla të prodhimit dhe të kontrollit. Është e nevojshme një database e përgjithësuar qoftë me sasinë e mbjellë të vreshtave, llojet e kultivarëve, numrin e prodhuesve në zona të ndryshme dhe sasitë e prodhuara të verës dhe të nënprodukteve të tjera. Gjithashtu është e nevojshme bashkëpunimi me ekspertë në këtë fushë (enologë, sommelierë, agronomë etj.)

Shqipëria ka tre rajone kryesore dhe shumë varietete. Në mendimin tuaj cilat janë zonat më të mira të prodhimit?

Në aspektin klimatik, Shqipëria ofron zona me një potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e verërave cilësore si rezultat i vreshtave cilësore. Është më se e vërtetuar (nga shekuj më parë) që pjesa veriperëndimore e Shqipërisë, nga Zagoria e deri në Lezhë, pjesa kodrinore e Shqipërisë Qendrore, si dhe pjesa juglindore e Shqipërisë janë territore ku hardhia ka gjetur “habitatin” perfekt për të. Janë zona të mbrojtura nga erërat kontinentale dhe me klimë të butë e cila është shumë e përshtatshme për prodhimin cilësor të rrushit për verë. Zona si Malësi e Madhe, Shtojë, Zadrima, Kallmeti, Fshatrat e Peshkopisë, zona kodrinore Tiranë-Durrës-Kavajë, fshatrat e Beratit, zona e Këlcyrës, Përmetit, Leskovikut, zona kodrinore e Vlorës, zona e Delvinës dhe deri në Xarë janë nga zonat më të shquara për prodhimin e rrushit për verë në Shqipëri.

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0