Konferenca “Vlera e Pronës” solli sot në një vend të përbashkët zhvillues, investitorë, ekspertë finance, arkitektë dhe përfaqësues institucionesh për të diskutuar mbi një nga temat më kritike të ekonomisë shqiptare: si krijohet realisht vlera në tregun e pasurive të paluajtshme.
E organizuar nga Oz Marketing dhe e moderuar nga Blendi Salaj, konferenca u zhvillua në disa panele tematike që trajtuan zinxhirin e plotë të krijimit të vlerës, nga ndërtimi, materialet dhe financimi, deri tek marketingu, urbanistika dhe arkitektura.

Diskutimet u hapën me fokusin tek cilësia e ndërtimit dhe roli i saj në krijimin e vlerës afatgjatë. Në Panelin I – Kompanitë e Ndërtimit, përfaqësues nga Kërko360, Orion dhe Klar theksuan se standardet, materialet dhe proceset e kontrollit nuk janë më opsionale, por thelbësore.
Në vijim, Paneli II – Materialet & Qëndrueshmëria solli në vëmendje rëndësinë e përdorimit të materialeve të certifikuara, izolimit nga zjarri dhe përputhjes me standardet europiane. Ekspertë nga Knauf Insulation dhe Saint-Gobain, së bashku me përfaqësues institucionalë, nënvizuan nevojën për klasifikim të qartë të materialeve dhe ndërtesave, si dhe për një rol më aktiv të shtetit në garantimin e standardeve.
Një nga debatet më të forta u zhvillua në Panelin III – Real Estate & Investimi, ku u diskutua nëse tregu shqiptar reflekton realisht vlerën e pronës apo ende dominohet nga perceptimi.
Ekspertët evidentuan mungesën e të dhënave të sakta dhe transparencës, duke theksuar se shumë vendimmarrje bazohen në pritshmëri dhe jo në analiza të strukturuara. U diskutua gjithashtu rritja e çmimeve, rëndësia e lokacionit dhe faktorët që e bëjnë një projekt të financueshëm: kapaciteti financiar i zhvilluesit, cilësia e ndërtimit dhe reagimi i tregut.
Në këtë kontekst, u theksua nevoja për zhvillimin e strukturave më të avancuara financiare, si fonde investimi dhe modele institucionale, si dhe analiza më të qarta të raportit risk–kthim.
Në Panelin IV – Tregu dhe studimet & siguria juridike e pronës, përfaqësues nga Deloitte Albania dhe kompani konsulence theksuan rëndësinë e sigurisë ligjore dhe studimeve të mirëfillta të tregut si bazë për investime të qëndrueshme.
Një tjetër element kyç që përshkoi diskutimet ishte roli i marketingut. Ai u cilësua si faktor vendimtar jo vetëm për shitjen, por për krijimin e vlerës së perceptuar dhe kthimin e investimit. Projektet moderne po pozicionohen gjithnjë e më shumë si “destinacione” – duke integruar shërbime, komunitet dhe përvojë jetese gjatë gjithë vitit.
Në Panelin V – Urbanistika & Arkitektura, fokusi kaloi tek dimensioni afatgjatë i zhvillimit të qyteteve. Ekspertët theksuan se nuk mjafton më ndërtimi i volumit, qytetet duhet të konceptohen si ekosisteme funksionale dhe të qëndrueshme.
Design-i, drita natyrale, materialet dhe koncepti urban nuk janë më elementë estetikë dytësorë, por faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e pronës. Gjithashtu, u diskutua roli i projekteve ikonë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në rritjen e imazhit të tregut shqiptar dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.
Mesazhi që përshkoi gjithë konferencën ishte i qartë: Vlera e pronës nuk është vetëm çmimi, por një kombinim i cilësisë, të dhënave, besimit, ligjit dhe vizionit afatgjatë.
Dhe pyetja që mbetet për tregun shqiptar është: A po ndërtojmë për sot, apo për të ardhmen?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto