Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi ditën e djeshme dhënien e miratimit paraprak për licencimin e “Degës së Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania” për ushtrimin e aktivitetit bankar dhe financiar në territorin e Shqipërisë.
Ky vendim përbën hapin e parë ligjor në procesin e licencimit, i cili sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” përbëhet nga dy faza: miratimi paraprak dhe më pas dhënia e licencës përfundimtare. Brenda një periudhe 12-mujore, banka e huaj që ka marrë miratimin paraprak duhet të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore për t’u pajisur me licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare në vend.
“Ziraat Bank” është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare. Jashtë territorit të Turqisë, aktiviteti i saj shtrihet edhe në disa shtete të tjera, si: Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Greqia, Kosova, Qiproja Veriore, etj.”- shkruhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Lexo edhe: Ziraat, banka më e madhe turke gati të hyjë në tregun shqiptar
Gjatë kësaj periudhe, Ziraat duhet të realizojë disa hapa thelbësorë për nisjen e aktivitetit të saj: të derdhë kapitalin e kërkuar, të punësojë stafin e nevojshëm, të sigurojë hapësirat fizike dhe të krijojë infrastrukturën teknike dhe organizative për funksionimin e saj si bankë në Shqipëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto