Banka më e madhe në Turqi Ziraat pritet të hyjë së shpejti në tregun shqiptar, duke shënuar kështu edhe një ndryshim të dukshëm në strukturën e tregut bankar në vend dhe duke e çuar numrin e bankave tregtare në 12. Hyrja në treg e Ziraat, e cila pritet të licensohet këtë javë nga Banka e Shqipërisë dëshmon rritjen e interesit për sektorin bankar në Shqipëri, në vijim të një cikli pozitiv disavjeçar, që po shoqërohet me ritme të larta të rritjes së kredisë dhe përmirësim të treguesve të përfitueshmërisë.
Ziraat pritet të licensohet fillimisht si degë e bankës mëmë në Turqi. Kjo lëvizje në tregun bankar është e para prej afërsisht 20 vjetësh, teksa licenca e fundit për aktivitet bankar në Shqipëri ishte dhënë në fillim të vitit 2006, për bankën me kapital vendas, Union Bank.Ziraat do të bëhet banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), zotëruar nga grupi turk i biznesit, Çalik. Ziraat Bank qëndron si një nga institucionet financiare më të vjetra dhe më me ndikim në Turqi (ku mban afërsisht 16.5% të tregut), duke luajtur një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik të vendit.
Historia e Ziraat Bank, një trashëgimi e rritjes ekonomike
Ziraat Bank u themelua në vitin 1863 nga Mithat Pasha, një burrë shteti osman i njohur për politikat e tij progresive ekonomike. Fillimisht u krijua si një institucion shtetëror kredidhënës për sektorin bujqësor, me qëllimin kryesor për të mbështetur fermerët vendas përmes huave të përballueshme. Gjatë periudhës së vonë osmane, Ziraat Bank zgjeroi aktivitetin e saj, duke hapur degë në qytete të mëdha dhe zona rurale, duke forcuar rolin e saj si shtyllë financiare për sektorin bujqësor të Turqisë.
Me themelimin e Republikës së Turqisë në vitin 1923, Ziraat Bank iu nënshtrua transformimeve të rëndësishme. Ajo u bë një prej shtyllave të politikave ekonomike kombëtare, duke financuar projekte të mëdha infrastrukturore, duke mbështetur industrializimin dhe duke ofruar ndihmë financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME).
Lexo edhe: BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet
Gjatë shekullit XX, Ziraat Bank prezantoi shërbime moderne bankare, përfshirë llogari kursimi, kredi biznesi dhe transaksione ndërkombëtare. Në vitet 1980, banka iu përshtat tendencave globale financiare, duke integruar teknologjitë digjitale dhe duke zgjeruar praninë ndërkombëtare.
Sot, Ziraat Bank është një nga institucionet financiare më të avancuara teknologjikisht në Turqi. Ajo ka përqafuar bankën digjitale, duke ofruar shërbime online dhe mobile për klientë vendas dhe ndërkombëtarë.
Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të lexohet edhe në këndvështrimin e interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer influencën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht banka turke është e pranishme me degët e saj në Angli, Greqi, Bullgari, Qipron Turke, Egjipt etj…
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto