Zoti Erion Begaj, themeluesi dhe drejtuesi i “Begaj Consulting”, na sjell një pamje të brendshme në botën e sipërmarrjes shqiptare në Itali dhe jep vlerësimet e tij për zhvillimin dhe perspektivat e sipërmarrjes në të ardhmen. Duke u ndalur në përvojën e tij personale dhe sfidat që ka përballur, ai hedh dritë mbi rolin dhe kontributin e sipërmarrësve shqiptarë në treg. Lexoni më tej për të zbuluar se si një sipërmarrës shqiptar po bën dallim në botën e biznesit në Itali dhe përtej saj edhe për të mësuar më shumë rreth planeve të tij për të ardhmen.
Cili është profili i klientëve me të cilët po punoni?
Zyrat tona të “Begaj Consulting” zhvillohen në tre fusha: konsulencë ligjore kontabilitet dhe konsulenca e pagesave, ose e thënë ndryshe konsulencë pune, një sektor më vete ky, i fundit këtu në Itali. Unë drejtoj konsulencën ligjore dhe atë të formimit profesional, ku shumë klientë tanë kërkojnë punëtorë të kualifikuar për firmat e tyre në këtë moment të vështirë për forcë punëtore. Për herë të parë në eksperiencën time, biznesi në Itali, por edhe në vende të tjera të Europës, ka si prioritet absolut kërkesën për punëtor dhe jo kostot e lëndëve të para, apo gjetjen e tregjeve për shitjen e prodhimeve të tyre si ka qenë deri para pak vitesh. Kjo lloj situate bashkë me eksperiencën tonë na favorizon në këtë moment. Është një fushë shumë e komplikuar, si nga ana ligjore-administrative, por edhe nga ajo humane, sepse ke të bësh me dinamika subjektive të njerëzve, qofshin ato biznese apo punëtorë. Por, kur pasioni është në mes, çdo gjë rrjedh më lehtë. Kompaninë e drejtoj me bashkëshorten time, Eriglena, e cila është bashkëthemeluese qysh në fillimet e saj dhe ku përqëndrohet në fushën e kontabilitetit. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm në drejtimin e kompanisë. Suksesin tonë e mbështesim edhe në grupin e bashkëpunëtorëve tanë. Jemi një skuadër prej 7 personash, të gjithë me origjinë shqiptare.
Sa vlerësoni se kanë ecuri sipërmarrësit shqiptarë në Itali dhe ku dallojnë nga sipërmarrësit e tjerë?
Në të gjitha statistikat e publikuara sipërmarrësit shqiptarë janë në krye të rradhës kur flitet për bizneset me pronar të huaj. Nuk dua kurrësesi të bie në ndonjë ekzagjërim patriotik, por mbetem pozitivisht i impresionuar kur shikoj rritje si nga ana numerike, ashtu edhe nga cilësia për perfomancat e sipërmarrjeve shqiptare. Kemi një “business oriented” të spikatur si shqiptarë, tendecë për rriskun dhe dedikimin në sipërmarrje që na dallon nga grupet e tjera etnike në Itali.
Sektorët që kanë një vlerë të lartë në treg, siç është ai i ndërtimit, kanë kaluar pothuajse plotësisht në duar të shqiptarëve. Flasim për kompani shqiptare që marrin tendera publike nga institucione të ndryshëm apo që zhvillojnë projekte ndërtimi shumë miliona euro. Janë tregues të zhvillimit të tyre dhe besimit që kanë krijuar në këtë fushë. Kemi zhvilluar një instikt pozitiv në biznes që na e ka bërë rrugën e integrimit më të lehtë në krahasim me grupet e tjera.
Cilat vlerësoni se janë arritjet tuaja më të mëdha në fushën e konsulencës?
Pyetje impenjative! Arritja më e madhe nuk ka ardhur akoma, sepse është në llogjikën e biznesit, përmirësimi i vazhdueshëm dhe objektivat e rinj që ne vendosim. Por, fakti që kemi ngritur një realitet të konsoliduar, që kemi një ambient pune dinamik dhe efiçent me bashkëpunëtorët tanë dhe mbi të gjitha që klientela jonë na shpreh mirënjohjen për cilësinë e shërbimeve që ofrojmë në mënyrë të përditshme, janë në një farë mënyre arritjet tona më konkrete. Por, kemi akoma shumë rrugë për të bërë.
Ju e keni nsiur duke parë nevojën e lartë të shqiptarëve në konsulencë e procedura. A mund të më thoni, si guxuat dhe si e morët vendimin për të kaluar nga puna fikse në sipërmarrje?
Vendimet për të kaluar nga një vend pune i sigurt dhe të “hidhesh” në një aktivitet privat nuk shpjegohen me format racionale e të arsyetuarit. Kryesisht instikti, dëshira për të ndryshuar, ideja dhe besimi se mund të realizosh diçka më shumë nga çfarë po bën, janë në bazë të çdo iniciative. Është një shprehje e Henry Kissinger: “ Rruga që ndërtojmë është fal hapave që hedhim në një fushë të pa shkelur më parë, çdo hap është një gjurmë që lëmë dhe një copëz rruge që ndërtojmë”. Pra, nuk e ke të parashikuar atë që ngre, por eksperienca dhe përditshmëria janë përbërësit e rrugëtimit tonë. Në vizionin tonë një rol kyç luan reputacioni dhe mënyra se si bashkëpunon me klientët dhe bashkëpunëtorët. Duhet të marrim parasysh nevojat e tyre, kritikat konstruktive, opinionet. Nëse do të ecësh gjatë duhet të ecësh me të tjerët së bashku. Në frazën e shumënjohur tashmë “klientela ka gjithmonë të drejtë” është një mënyrë për të qenë në shërbim të saj, për të gjetur një zgjidhje të problemeve, edhe kur këto zgjidhje nuk duken në pamje të parë. Ky është motivi që i shtyn të kalojnë pragun e zyrës tonë.
Cilat janë objetkivat tuaja në të ardhmen, në fushën e sipërmarrjes?
Objektivat tanë duhet të jenë rritja dhe konsolidimi në treg. Sfida kryesore është të ndryshojmë mentalitetin dhe të përqafojmë inovacionin teknologjik, sado e vështirë të na duket. Çdo hap që hedhim duhet të konsolidohet, të ketë themele ekonomiko-finaciare që të na bindin se jemi në rrugën e duhur. Të shmangen iniciativa që në pamje të parë mund të jenë joshëse, por mbartin rreziqe të pakontrolluara. Objektivat konkrete sot për ne janë format e reja të teknologjisë, të cilat po zhvillojnë dukshëm biznesin dhe vendet e punës. Nëse duhet të rrisim efiçencën dhe të ulim kostot jemi të detyruar të adoptojmë format që Inteligjenca Artificiale na ofron sot. Po kalojmë një epokë transformimi që ndoshta brezat e ardhshëm do kenë mundësinë ta vlerësojnë peshën e ndryshimit. Ne kemi detyrimin t’i vëmë në praktikë. Në profesionet e lira investimi në formimin profesional është “asi nën mëngë”. Rritja e kompanisë tonë do të varet jashtëzakonisht nga tre faktorë: ekuilibri, që do të formojmë me bashkëpunëtorët tanë, formimi profesional i vazhdueshëm, dhe adoptimi i risive teknologjike të aplikuara. Ky është ai që quhet vizion, por ka edhe një mision, që do të thotë të kemi predispozicionin e zgjidhjes së problemeve për klientelën. Mos të gjejmë kush e ka fajin, por si ta zgjidhim problemin në mënyrë sa më të shpejtë. Mundohemi çdo ditë të vëmë në praktikë logjikën e asaj që anglosaksonet e quajnë “problem solving”.
Lexo: Arben Shpata, shqiptari që po ristrukturon objektet publike në Itali
Cilat janë vlerat e sipërmarrësve shqiptarë në tregun ku operojnë dhe a ka ndonjë tendencë të tyre për të investuar edhe në Shqipëri?
Në Itali operojnë mbi 80 mijë biznese shqiptare, pa marrë parasysh ata që janë kthyer në nënshtetas italianë dhe konsiderohen jo-shqiptarë nga statistikat. Jemi të tretët mbas kinezëve dhe rumunëve. Në proporcion me popullsinë jemi të parët. Jemi një aset kombëtar që klasa drejtuese e vendit tonë duhet t’i japi më shumë përparësi dhe të na përfshijë në strategjitë e politikëbërjes. Shumë kompani që janë edhe klientë të zyrës sonë operojnë në sektorë të telekomunikacionit si call center, software të përpunuar etj. Turizmi ka një interes të jashtëzakonshëm vitet e fundit ku shumë shqiptarë po investojnë në prona të paluajtshme në zonat bregdetare me qëllim biznesin turistik. Një tjetër sektor që këto vite po njeh një rritje është ai i “outsourcing”. Shumë zyra kontabiliteti dhe paga që operojnë në Itali nga mungesa e theksuar e forcës punës po zbarkojnë në Shqipëri, duke hapur vende pune me cilësi të lartë, duke zhvilluar procese që deri dje i zhvillonin në Itali, sot po i delokalizojnë në Tiranë e Durrës kryesisht.
Shqipëria ka nevojë për investime të huaja direkte dhe raportet që shqiptarët kanë ngritur në Itali t’i vënë në shërbim të vendit tonë në mënyrë që të thithim sa më shumë investitorë italian. Me Italinë kemi një lloj marrëdhënie speciale, të cilën duhet ta përkthejmë në një bashkëpunim ekonomik reciprok dhe mendoj që bizneset shqiptare mund të japin një kontribut të jashtëzakonshëm.
A keni menduar të shtrini, apo zgjeroni aktivitetin në Shqipëri?
Patjetër, Shqipëria dhe Tirana në mënyrë të veçantë mbartin disa karakteristika që ngjallin interes. Në planet tona Shqipëria është prioritet. Tirana transformohet çdo ditë në një metropol energjik, ku shumë miq të mi italianë janë të mahnitur dhe disa prej tyre po mendojnë të kthehen për një kohë të gjatë në Tiranë. Disa gjëra mungojnë, por shumë të tjera janë drejt finalizimit dhe kjo do të na kthejë në një pikë atraktive për investime.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.