Shkruar nga Xhafer Rakipllari
Planet, ëndrrat, madje edhe lutjet e një të riu që nis universitetin, ndryshojnë…
Ty, që nis sot një jetë krejt të re, përballë pasigurisë për programin që ke zgjedhur, një murrlani që fryn mbi universitetet nga të katër anët, dhe një klime largimi nga vendi që nuk ka të ndalur, më lejo të t’i rrah fort shpatullat, dhe të them që besoj fort tek ti dhe brezi 2023-2024. Iu shërbefsh me dashuri e përkushtim qytetarëve të vuajtur të këtij vendi.
Kushedi sa herë e ke dëgjuar, “bir, jam gati të shes edhe rrobat e trupit që të shkosh në një shkollë të mirë”. Prindërit e tu, prindërit shqiptarë, mund të mos jenë më të arsimuarit në botë, por e duan arsimin si rrallëkush. Ata sakrifikojnë se e dinë mirë që i vetmi burim pasurie është dija, jo miku, as leku, e as përkatësia politike. A s’duhej të ish kjo një ditë shlodhjeje dhe krenarie për ta? Për arritjet e tua? Ende mund ta bësh të ndodhë!
Ndaj, në nisje të këtij viti të ri akademik, dili zot vetes, familjes, vendit, flamurit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët. Studio e puno pa rreshtur që vendi ynë të përparojë e zhvillohet.
Ndiq ëndrrën tënde, pa u pezmatuar e shkurajuar nga vështirësitë e para (që nuk do të mungojnë). E nëse vështirësia bëhet pengesë, e pengesa brengë, ngrije zërin në kupë të qiellit, rebelohu, ndryshoje situatën, mos lejo askënd të të vrasë ëndrrën. Frikën vetëm ty ta kanë!
Ke jetuar gjithmonë pranë familjes e s’të ka munguar kurrë asgjë? Në konvikt s’ka dhomë e duhet të paguash qiranë? Ndoshta të duhet një punë part-time? Rehati s’ka më, por ti je universitar, merr përsipër përgjegjësitë dhe rend për t’i treguar familjes e të gjithëve se mund t’ia dalësh.
Në Fakultet/Universitet mos ki drojë të pyesësh mbi mundësitë që të ofrohen. Ajo ngrehinë është shtëpia jote, nuk je turist. Shfrytëzo shkëmbimet Erasmus +, ato afatshkurtra, klubet studentore, praktikat e punës, trajnimet e ndyshme etj.
Kushtoji rëndësi jetës sociale në “kampus”, bëj shokë, mbështeti e kërko mbështetje, gabo e mëso, rritu me ta. Merr pjesë aktive në veprimtari komunitare. Diploma është e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme për të pasur një karrierë të suksesshme. Angazhohu, njih njerëz e shkëmbe ide e përvoja. Ballë për ballë, jo veç në rrjete sociale.
Së fundmi, vitet ikin shpejt, ndalu për një çast e mendo se çfarë do të kesh ndryshe nga bashkëmoshatarët e tu kur të diplomohesh? Mund të jetë një aftësi teknike, aftësi e butë, një stazh i mirë, një certifikim. Ti duhet të shkëlqesh në mënyrën tënde.
Këshillat e tjera t’i kam renditur këtu! Hidhi një sy, daç si rikujtesë, daç si mundësi për të rivizatuar planin drejt ëndrrave të tua.
Suksese! Faqebardhë!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.