Pagesat me kartë bankare janë rritur edhe në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 6.5 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes.
Numri mesatar i pagesave mujore ka arritur në pothuajse 1.1 milionë, nga afërsisht 890 mijë pagesa të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 26.3 miliardë lekë, me një mesatare mujore prej 4.7 miliardë lekësh nga 4.2 miliardë lekë që ka qenë mesatarja mujore e vitit 2022.
Rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare duke marrë parasysh shifrat, që sipas INSTAT numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 33% për 6-mujore e parë të këtij viti.
Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 17 750, në rritje të mëtejshme me 8.2% që nga fillimi i këtij viti.
Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi, pasi Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.