Së pari lajmi i mirë: Prodhuesi amerikan i makinave elektrike Tesla tani punëson më shumë se 10.000 njerëz në fabrikën e tij në Greenheide afër Berlinit, në Brandenburg. Këto të dhëna i ka publikuar agjencia gjermane e lajmeve dpa, e cila i referohet qarqeve biznesore atje. Tesla bëri të ditur në Twitter se aktualisht atje po prodhon 4.000 makina në javë – që do të thotë rreth 200.000 në vit.
Por qëllimi i fazës së parë nuk është arritur ende: Tesla i ka vënë vetes synim të prodhojë gjysmë milioni makina në vit në Greenheide dhe të ketë rreth 12.000 punonjës. Tesla është duke prodhuar makina elektrike në Gjermani që nga marsi i vitit 2022.
Ndryshimi i kursit në drejtim të SHBA – kur bëhet fjalë për bateritë
Lajmi i mirë është se Tesla ka nisur edhe prodhimin e komponentëve të baterive në Greenheide. Siç u tha, këto sisteme baterish do të përdoren “në të ardhmen e afërt” në automjetet e prodhuara këtu në Gjermani.
Pronari i Tesla, Elon Musk, i tha Gigafactory Berlin se kjo do të jetë fabrika më e madhe e baterive në botë. Në hapjen në mars 2022, ai tha se fabrika e baterive do të arrinte prodhimin masiv deri në fund të vitit 2023.
Por tani vjen lajmi i keq: Tesla me sa duket ka braktisur planet për të prodhuar bateri të plota në Gjermani. Kompania ka vendosur të tërhiqet dhe këtë pjesë të prodhimeve, për shkak të lehtësimeve, ta kalojë në Shtetet e Bashkuara.
“Fokusi i prodhimit të baterive të Tesla është aktualisht në SHBA për shkak të kornizës së krijuar nga Akti i Reduktimit të Inflacionit (IRA),” kumtoi kompania, duke e bërë atë një nga firmat e para që njoftoi ndryshimin e strategjisë e saj për shkak të lehtësimeve të reja tatimore në këtë vend.
Tesla fillimisht kishte planifikuar të prodhonte të gjitha bateritë në Brandenburg,me një kapacitet maksimal prej mbi 50 gigavat orë në vit. Por duket se kjo ka ndryshuar. Ndaj një zëdhënës i ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë tha se ata “po punojnë tani për të sqaruar arsyet” pas vendimit të Tesla. Ministria e Ekonomisë e Brandenburgut tha për aq sa ishte ajo në dijeni, ndryshimi i kursit nuk do të ndikojë në numrin e vendeve të punës në Greenheide.
Dudenhofer: “Vendimi i Teslës duhet marrë seriozisht”
Eksperti i automjeteve Ferdinand Dudenhofer sheh rreziqe në rritje për investimet në prodhimin e baterive në Gjermani. “Ne besojmë se rritja e mobilitetit elektrik do të pengohet – edhe për shkak se subvencionet në Gjermani janë ulur”, tha drejtori i agjencisë gjermane të lajmeve CAR – Qendra për Kërkime Automobilistike në Duisburg. “Kjo do t’i bëjë motorët me djegie të brendshme më të lirë për klientët përsëri.” Kjo do të thotë se do të nevojiten më pak bateri në Evropë”.
Që nga fillimi i këtij viti, Gjermania nuk subvencionon më blerjen e automjeteve hibride, automjete që përdorin një motor me djegie të brendshme dhe një motor elektrik. Edhe subvencionet për makinat me bateri janë ulur. Rrjedhimisht, shitjet e e-makinave kanë rënë në janar. Ndërsa vitin e ardhshëm 2024, subvencioni për blerjen e makinave elektrike do të vazhdojë të ulet.
Dudenhofer në një deklaratë për mediat gjermane iu referua edhe rreziqeve të çmimeve të larta të energjisë elektrike në Gjermani. Vendimi i Teslës në Berlin duhet të merret shumë seriozisht, tha Dudenhofer për dpa. Nëse i ashtuquajturi ligji anti-inflacion i Amerikës (IRA) mbetet ashtu siç është, prodhuesit gjermanë të automjeteve do të përpiqen të prodhojnë dhe instalojnë bateri në SHBA.
Investimet dhe subvencionet
Në fund të janarit, Tesla njoftoi se do të investonte më shumë se 3.6 miliardë dollarë në zgjerimin e kompleksit të saj Gigafactory në Nevada, ku do të ndërtojë dy fabrika të reja – njëra për prodhimin e kamionit gjysmë elektrik të vonuar prej kohësh dhe tjetra, për prodhimin e baterisë së re 4680.
Së shpejti pritet që të publikohet edhe lajmi se Tesla do të ndërtojë një fabrikë të madhe në veri të Meksikës. Bisedimet intensive për këtë po zhvillohen. Bëhet fjalë për faktin se lehtësimet tatimore zbatohen vetëm për prodhimin në SHBA – si dhe disa vende ku bën pjesë edhe Meksika – por jo për vendet e BE-së.
Rivali i Tesla, Stellantis bëri të ditur se tashmë ka zhvendosur prodhimin në SHBA. Edhe Holcim AG, prodhuesi më i madh i çimentos në botë, pret që IRA t’i japë një shtysë të fortë operacioneve të kompanisë në Amerikën e Veriut. Linde, e cila prodhon gazra industriale, vlerësoi se mundësitë e investimit mund të tejkalojnë 30 miliardë dollarë vetëm në SHBA gjatë dekadës së ardhshme. Ndërsa në fillim të këtij muaji Air Liquide, e cila gjithashtu prodhon gazra industrialë, u zotua të shfrytëzojë një mundësi historike për të investuar në energji të pastër me ndihmën e IRA-s, por nuk dha detaje specifike. Këta janë vetëm disa nga lojtarët globalë që kaluan prodhimet në SHBA, duke përfituar nga programi i subvencionimit. dw
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.