5 Përfitimet nga koha e vetë-izolimit - Business Magazine Albania

5 Përfitimet nga koha e vetë-izolimit

koha e vetë-izolimit

Periudha e pandemisë Covid-19 qëpo kalon planeti ynë, përbën tashmë një situatë të pazakontë dhe sfiduese. Si rrjedhojë, mjaft individë janë prekur nga një trysni psikologjike dhe pasiguri për të ardhmen, teksa të tjerë po humbasin vendet e punës. Disa biznese janë në betejë për mbijetesë, ndërsa të tjerë po lëvizin timonin për të siguruar qëndrueshmëri. Gjithë kjo situatë i ngjan një deti befasisht të trazuar, ndaj dhe pjesa më e madhe e individëve e ka të veshtirë të përqëndrohet kollaj te ato nevoja vetjake që më përpara konsideroheshin si nomale dhe të garantuara.

Gjithsesi, historia na mëson se çdo lloj sfide, sikurse dhe kjo e tashmja, përveç vështirësive paraqet njëkohësisht edhe anën tjetër të medaljes, që përkthehet në mundësi të reja.

Njëra prej mundësive është pikërisht perceptimi i sfidave të jashtme si stimuj të brendshëm, për të ndryshuar diçka pozitivisht te vetja. Kjo qasje do sillte një investim të ri të kohës dhe energjive për zhvillimin e aftësive të reja personale, të njohura ndryshe si ‘soft-skills’, të cilat do ndihmonin këdo individ për të rifilluar rrugëtimin me një frymë të re dhe me më tepër optimizëm për të ardhmen.

Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Mjaft universitete apo qendra trajnimi e kanë kuptuar këtë tendence dhe kanë nxituar të përshtaten me risinë e situatës, duke ofruar programe e kurse profesionale në platforma të ndryshme on-line. Njëkohësisht, janë të shumtë ata individë që kanë përfituar tërthortazi nga këto risi mjedisore për t’u aftësuar dhe kërkuar për mundësi të reja punësimi apo të bërit biznes gjatë vetë-izolimit. Por, cilat janë disa nga këto përfitime?

Ato vlejnë dhe variojnë sipas rastit dhe karakterit për çdo individ, ndaj racionalisht mund të jenë të shumta, por ne do shohim në vijim ato përfitime që mund të konsiderohen si më pikantet për momentin dhe njëkohësisht më të thjeshtat.

Kohë për veten

Përpara pandemisë, fjalët e tipit  “s’kam kohë”, “jam shumë i zënë”, “do ta bëj kur të gjej pak kohë” , “më duhet kohë” etj. kanë qenë ndoshta ndër fjalët më të përdorura, si me të tjerët, ashtu dhe me veten. Koha është më e rëndësishmja, ajo është vetë jeta jonë e shtrirë në sekonda dhe për më shumë jetë në aktivitetet tona na është dashur përherë më shumë kohë e lirë në dispozicion. Sot, falë rënies së ritmit social dhe vakuumit të krijuar në tregjet globale e kemi këtë kohë më tepër se më parë në sasi. Ndaj, sfida tashmë qëndron se si ta kthejmë këtë sasi në cilësi…Dhe kjo arrihet kur kuptojmë më së miri se tashmë kemi avantazhin e të paturit mbi të gjitha më shumë kohë për veten tonë, si asnjëherë më parë! Kjo kohë është shumë e rëndësishme dhe mund të na vlejë për të reflektuar më thellë mbi jetën tonë dhe ndryshimet që mund të ndërmarrim për ta përmirësuar atë, ose për t’i dhënë asaj më tepër kuptim dhe vlerë. Kështu mund të njohim më tepër ato pjesë të karakterit që nuk i njihnim më parë prej mungesës së kohës. Në psikologji kjo përbën një fazë vetë-njohjeje dhe vetë-zbulimi, ku secili mund të gjejë më kollaj qetësinë për ide të reja. Ky proces rrit gradualisht ato që quhen aftësi ndër-personale, që lejojnë njohjen e potencialit krijues vetjak dhe nxisin mundësinë e të punuarit me veten.

Lexo: Ja 10 librat më të shitur gjatë panairit online

Kujdes. E gjithë kjo nuk do të thotë që të priremi drejt vetmisë! Përkundrazi, zhvillimi i aftësive tona ndër-personale është një formë inteligjence që rrit së tepërmi edhe aspektin tonë social, ose thënë ndryshe aftësitë ndër-personale. Kjo pasi, nga shkalla që arrijmë të njohim veten mund të arrijmë të kuptojmë më mirë të tjerët.

Lexim për mendime të reja

Dikush mund të pyesë: Ok, kam kohë për veten, por si ta shfrytezoj sa më mirë këtë kohë? Përgjigja më efikase ndoshta do ishte: Shfrytëzimi më i mirë është ndryshimi. Ndaj, fillo të ndryshosh diçka te vetja.

Por, si mund të ndryshojmë? Çdo ndryshim fillon nga mendimi, pastaj mendimi kthehet në emocion, e pastaj emocionet kthehen në veprime. Një shprehje klasike thotë “Ne jemi ajo çka mendojmë në shumicën e kohës.”  Një gjë është e sigurt: Në këtë kohë ndryshimesh të mëdha nuk mund të vazhdojmë me të njëjtat mendime. Sot kërkohen mendime të reja dhe mendime më të mëdha për t’ia dalë mbanë drejt një jetese më cilësore. Mendimet e reja gjenerohen vetëm nga idetë e reja dhe idetë e reja merren nga leximi i përvojave dhe koncepteve të reja që njerëz të ndyshëm kanë shkruar dhe vijojnë të shkruajnë. Këtu nuk po flasim vetëm për letërsi, por edhe për artikuj të ndryshëm, si ky këtu. Edhe shumë të tjerë të ngjashëm që qarkullojnë perditë e mund të gjenden fare lehtësisht on-line, apo libra të zhvillimit personal, profesional, financiar, motivues, etj. Sa më shumë që të lexojmë, aq më shumë do të kuptojmë dhe sa me shumë të kuptojmë, aq me shumë do dimë të realizojmë gjëra që më parë ndoshta as që e dinim se mund t’i bënim! Nëse s’je i qartë për diçka, atëhere kërkoje dhe gjeje, lexoje dhe mësoje. Nese arrin ta mësosh, ke arritur ta përvetësosh, ta bësh tënden. Ndaj, ripërtërije mendjen vazhdimisht. Njohuria është fuqi! Gjithmonë ka qenë, ende është dhe përherë do jetë e tillë, fuqia më e madhe njerëzore.

Edukimi on-line

Thamë që leximi është tepër i rëndësishëm për mendimin. Por jemi gjithashtu të vetëdijshëm që jo të gjithë kanë fokusin e duhur, dëshirën dhe aftësitë e nevojshme për t’u përqëndruar në lexim. Ka lexues të mirë, ka dhe lexues jo të mirë. Ndaj dhe mësimi për aftësim jo gjithjë mjaftohet vetëm me leximin.

Një formë tjetër mësimi është nga dëgjimi dhe shikimi. Dëgjimi dhe shikimi janë një formë komunikimi që tashmë me shpërndarjen masive të smartfonëve dhe të internetit e hasim kudo dhe kurdo, ndonjëherë edhe kur nuk duam. Në këtë periudhë pandemike, kjo formë komunikimi është bërë edhe më masive. Kjo ka sjellë dhe një avantazh tepër të madh përsa i përket industrisë së edukimit dhe modernizimit të saj. Në vija të trasha; më përpara ne shkonim në shkollë, tashmë shkolla vjen tek ne! Shkolla nuk ka me orar e as vendndodhje. Ne tashme mund t’a aksesojmë mësimin pa bërë kilometra e pa prishur gjumin e mëngjesit, madje pa lëvizur fare nga shtëpia. Nuk ka qenë asnjëhere më e lehtë për t’u edukuar dhe rritur kapacitetin intelektual dhe profesional! Kudo në rrjetin virtual sot gjendet një pafundësi ofertash, kursesh, programesh akademike dhe shumë çertifikime e akreditime që mund të përfitohen, në çdo kohë dhe gjithëkund. Madje një pjesë e mirë e tyre ofrohet dhe falas prej atyre përfaqësive që kërkojnë të promovohen. Mjafton të kesh internet dhe një pajisje me ekran dhe mbi të gjitha dëshirë për t’u rritur!

Kjo formë edukimi, përveçse në formë akademike mund të konsistojë edhe në fitimin e njohurive praktike, si për shembull: mësimi i një programi kompjuterik, një kursi menaxhimi ose shitjesh. Edhe mësimi i një gjuhe të huaj përbën arritje të madhe.

Kërkim për trajnues ose konsulent

Por, ndonjëherë shkolla dhe mësimi nuk mjaftojnë. Njohurisë i duhet përherë praktika. Nëse mësojmë diçka, të cilën nuk dimë ta praktikojmë, është njësoj sikur mos ta kishim mësuar kurrë! Ndaj, njohuritë tona mund të marrin formë duke u ballafaquar me përvojën praktike të një trajnuesi ose konsulenti profesionist. Përvoja na mëson se për të arritur rezultate më të larta në jetë dhe në punë, përveçse duhet të dish, duhet edhe të dish të bësh. I njëjti parim vlen edhe për biznesin, sikurse për çdo profesion. Kjo sepse, tregu nuk njeh shkollë. Tregu nuk është vetëm nocion teorik, por një koncept shumë praktik, është shesh-beteja për çdo profesionist dhe sipërmarrës. Tregu është realiteti së sa vlen secili! Ndaj, pas aftësimit teorik, një tjetër mënyrë mësimi është që të këshillohesh nga ata profesionistë me më tepër eksperiencë, të cilët janë ‘djegur’ por dhe që ja kanë dalë përpara teje. Kjo formë njohurie përbën sot ndoshta mundësinë më të mirë dhe më të shpejtë për të mësuar duke u praktikuar. Trajnimet, këshillimet, gjithashtu dhe mentorime për aspekte specifike të formimit të karakterit, vendimmarrjes, përgatitjes teknike, orientimit të karrieres, vetë-menaxhimit, fuqizimit të mendimit dhe sjelljes, nuk përbëjnë më çështje luksi por domosdoshmëri të kohës kaq dinamike e njëkohësisht kaotike që po jetomë.

Ide biznesi

Duke patur më tepër kohë, aftësi të reja dhe energji të reja, pse të mos provosh edhe për të krijuar diçka të re? Kuptohet që jo të gjithë zotërojnë talentin, dëshirën apo aftësitë sipërmarrëse, por të paktën duhet të përsërisim faktin se gjithçka fillon me një ide dhe kjo ide, në raste të tilla bëhet vendimi ynë. Ndaj, pse mos të provojmë për ide të reja? Pse mos të marrim përsipër diçka të re? Le të mendojmë pak se çdo ditë kemi 24 orë për veten – nga këto 8 orë mesatarisht i shpenzojmë duke fjetur – 8 orë të tjera në punën tonë – dhe nga 8 orë të mbetura, fare mirë mund të mendojmë për të krijuar diçka tonën. Çdo ditë nga pak. Jo çdo sipërmarrje kërkon kapital të madh, prona apo asete. Mos harrojmë se jemi ende në situatë panedemike dhe shumë shërbime ofrohen tashmë on-line, duke bërë kështu gjithçka më të thjeshtë në të bërit biznes. Në shumë shtete madje, përfshirë Shqipërinë shumë nga bizneset on-line nuk kanë as taksa! Mjafton të identifikosh se për çfarë ka nevojë tregu (kërkesa) dhe të shohësh mundësi reale që ta përmbushësh këtë kërkesë (oferta) dhe kështu je në lojë. Shumë sipërmarrës të suksesshëm e kanë nisur idenë e tyre në profilet e mediave sociale. Ka mjaftuar ekspozimi dhe shitja e parë në Facebook apo Instagram për të parë se kjo mënyrë funskionon, dhe kështu shitja ka sjellë shitjen tjetër, e të tjera shitje me radhë, derisa biznesi është rritur dhe stafi është shtuar! Mos harrojmë se sipërmarrësit më të njohur na mësojnë kryesisht dy hapa të domosdoshëm: së pari, të paturit një ide (ose dëshirë) për të cilën ka nevojë në njërën apo në disa segmente të tregut dhe së dyti, zbatimi gradual i idesë, duke filluar diku, qoftë dhe me hapa shumë të vogla, por përherë në drejtimin e duhur.

Si përfundim…

Duke njohur vetveten, duke lexuar dhe mësuar koncepte të reja për rritjen e aftësive personale dhe profesionale, koha e lirë reduktohet dhe merr tjetër vlerë. Ky reduktim është tejet pozitiv, pasi tregon se nuk po harxhon kohë në rutinë, në vakuum apo në aktivitete jo fitim-prurëse dhe konsumuese. Kështu, ajo kohë që mbetet pa përfitime do kthehet në ‘kohë realisht të lirë’, ku mund të pushojmë apo të rigjenerohemi me aktivitete rekreative me të afërmit, miqtë apo kolegët tanë.

Përfundimisht, kjo që po ndodh po krijon bazat për një stil të ri jetese, larg iluzioneve dhe të prirur drejt praktikës. Kështu, koha vihet në efiçencë duke mësuar për të punuar dhe duke punuar për të mësuar. E gjithë çështja qëndron në aspektin se sa do jemi në gjendje të kuptojmë dhe besojmë se mund të përfitojmë realisht më tepër në kohë të tilla sfidash, se sa në kohe rehatie ku gjërat e jashtëzakonshme janë të pakta.

Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 24 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0