Zv. Presidenti i "Oracle" vizitë në Universitetin e Durrësit - Business Magazine Albania

Zv. Presidenti i “Oracle” vizitë në Universitetin e Durrësit


Lajme të mira vijnë nga bashkëpunimi i biznesit me botën akademike.

Zëvendës-Presidenti i “Oracle” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën,  z. Pierfrancesco Digiuseppe, ka vizituar ditën e martë Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku është prezantuar Masteri Profesional për Sistemet e Planifikimit të Burimeve (Master in Enterprise Resource Planing). Ky Master është i pari i këtij lloji në vendin tonë dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm mes Universitetit të Durrësit dhe të kompanisë multinacionale “Crystal System”.

Në takim, përpos të zonjës së shtëpisë, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, morën pjesë edhe menaxheri i përgjithshëm i kompanisë “Crystal System Group”, z. Canzio Dovigo, zv. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme,  z. Etjen Xhafaj, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të ftuar të tjerë.

“Një Universitet i hapur dhe bashkëpunues”

Znj. Rektore e UAMD-së i falenderoi të ftuarit për praninë dhe mbështetjen bujare dhe i njohu ata me rritjen cilësore të universitetit, planet për bashkëpunimet me koorporatat ndërkombëtare dhe biznesin vendas, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. “Modeli që ne ofrojmë është ai i një universiteti të hapur, me një staf bashkëpunues”, tha ndër të tjera znj. Rektore.

Të njëjtin mendim ndau edhe menaxheri i përgjithshëm i “Crystal System”, Canzio Dovigo. “Bashkëpunimi ynë ka qenë i shkëlqyer. Tek UAMD ne kemi përzgjedhur punonjësit tanë, dhe mund të them që kemi gjetur studentë cilësorë. Argumenti më i mirë për këtë është klientela jonë e kënaqur. Unë ju garantoj që bashkëpunimin me universitetin tuaj duam ta shndërrojmë në një model suksesi. Për një vit kemi punësuar 46 studentë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe planet tona janë që së afërmi të punësojmë edhe 150 të tjerë. Duam që cilësitë e këtyre të rinjve të mbeten në Shqipëri dhe jo të përfundojnë jashtë vendit”, përfundoi ai.

“Ky është vetëm fillimi …”

I ftuari i nderit, z. Pierfrancesco Digiuseppe, zv. President i “Oracle” për Lindjen e Mesme dhe Azinë, u tregua i gatshëm të mbështesë nisma të tilla bashkëpunimi si kjo mes UAMD-së dhe “Crystal System”. “Ky është vetëm fillimi i historisë. Ne duam që në këtë botë globale, me ide dhe sfida të reja, të vijë puna aty ku janë aftësitë, pra te ju, dhe jo të shkoni ju gjetkë”, tha ai.

Ndërsa për zv. Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Etjen Xhafaj, kjo formulë suksesi duhet të rritet dhe promovohet edhe më gjerë.

Nga UAMD në Kompaninë Lufthansa

Gjatë ceremonisë u prezantuan dhe histori suksesi të studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të cilët pas studimeve dhe trajnimeve të suksesshme, nga bankat e Universitetit kanë arritur të punojnë në kompani të mëdha globale. Një nga rastet ishte ai i studentes Ingrit Kau.

“Isha studente e vitit të fundit në UAMD kur mora pjesë në trajnimet që Universiteti dhe “Crystal System” ofruan falas. Pas dy muajve trajnime mora një laptop dhuratë dhe kontratën e parë të punës. Për një vit “Crystal System” ka ndryshuar shumë. Puna dhe përgjegjësia ime gjithashtu. Kam punën e ëndrrave të mia”, u shpreh ajo duke falenderuar Universitetin që e formoi dhe kompaninë që e punësoi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0