Vendosët të blini apartament në një projekt ndërtimi, por kompania falimenton. Çfarë mund të bëhet në raste të tilla? - Business Magazine Albania

Vendosët të blini apartament në një projekt ndërtimi, por kompania falimenton. Çfarë mund të bëhet në raste të tilla?

“Nuk është e mundur: makthi im është bërë realitet, kompania e ndërtimeve ka nisur procesin e falimentimit. U trishtova, shumë u trishtova.” Monika Daniels dhe bashkëshorti i saj e morën lajmin me e-mail në maj 2019. Deri atëherë ata kishin paguar pak më shumë se 300.000 euro për apartamentin e tyre që duhej të ndërtohej në një godinë të re. Në Gjermani zakonisht paguhet varësisht nga progresi në ndërtim. Çifti po kërkonte diçka që mund të shfrytëzojnë mirë kur të plaken. Ata shpenzuan kursimet e tyre për këtë, shitën madje dhe një banesë që kishin më parë.

Nëse një ndërtues falimenton, paratë humbasin. Danielsët mbeten, në kuptimin e vërtetë të fjalës, përpara një kantieri ndërtimi. Objekti mbeti në fazën e ndërtimit. 62-vjeçarja nuk ka dalë publikisht me foto. Ajo është e shqetësuar se mund të ketë një ndikim negativ në vlerën e shtëpisë së saj. Por ajo na tregoi gjithësesi historinë e saj.

“Askush nuk ka interes të vazhdojë ndërtimin”

Shumë njerëz në Gjermani aktualisht kanë probleme të njëjta si ky çift që jeton afër Frankfurtit. Nuk ka shifra të besueshme, por anulimet e ndërtimeve janë rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të fundit, 21.4 për qind e punimeve janë anuluar në shtator 2023. Kjo është shumë mbi nivelin mesatar prej 3.5 për qind, që tregon se ndërtimi i banesave në Gjermani është në një krizë të thellë.

Ndërrojmë vend: Një restorant gjerman i vjetër. Monika Daniels dhe bashkëshorti i saj ishin ulur këtu së bashku me rreth 60 persona të tjerë të prekur, pak kohë pasi morën lajmin për falimentimin e kompanisë. Administratori i falimentimit i kishte ftuar blerësit në një takim.

“Ai më pas tha se askush nuk ishte i interesuar të vazhdonte ndërtimin e godinës. Të vetmit që dëshironin të vazhdonim ndërtimin ishim ne, blerësit.” Monika Daniel ndalon. Ajo bashkon vetullat mbi syzet e rrumbullakëta dhe bën një fytyrë serioze. Merr frymë thellë dhe shtrëngon buzët: “Duhet të gëlltitet – e vërteta na u tha troç në tavolinë.”

Të informuar paraprakisht për rreziqet

Para se të blinte, çifti kishte folur me banka të ndryshme, me miq që ishin inxhinierë ndërtimi, me avokatë dhe u informuan për rreziqet. Daniels kishte një ndjenjë të mirë. Ndërtesa e tyre e parë ku kanë jetuar ishte gjithashtu një projekt i ri ndërtimi.

Për Krishtlindje, vëllai i Monika Daniels i dhuroi asaj dhe bashkëshortit një përkrenare dhe jelek të punëtorëve në ndërtim. Në fakt, ishte më shumë si shaka. Tani ata e përdornin rregullisht. Hyrja në kantier në fakt ishte e ndaluar, por Danielsët folën me njerëzit e sigurisë dhe u futën atje. Pas punës dhe në fundjavë, ata dokumentonin ecurinë e ndërtimit. Ku janë kabllot elektrike, bobinat e ngrohjes nën dysheme, çfarë ka ndodhur që nga vizita e fundit….

Vonesat

Çifti vuri re se puna e ndërtimit po përparonte ngadalë. Në dhjetor 2018 ata do duhej të kishin hyrë në banesën e re. Por në vjeshtën e vitit 2018, Monika Daniels filloi të nevrikosej. Kompania vazhdimisht jepte premtime. Në mes të prillit 2019 erdhi lajmi se kishte probleme likuiditeti.

“Unë u trondita në atë moment. Gjithmonë isha e shqetësuar se kompanita e ndërtimit mund të falimentonte,” kujton Monika Daniels. Pikërisht këtë rrezik ajo ua kishte përmendur bankave para blerjes. Ata i thanë asaj të mos shqetësohej dhe se ndërtimi do të vazhdonte me një kompani tjetër, nëse ajo ka probleme.

Lexo:Njësoj si shqipëria? 33 milionë banorë në rrezik! Kush e sulmoi kibernetikisht Francën

Tri javë më vonë, kompania bëri kërkesë për falimentim. Nuk do të ketë ndërtime të tjera, u tha. Frika për të mbetur me një godinë të papërfunduar ishte e madhe, thotë Monika Daniels në një intervistë për DW. Pasuan shumë netë pa gjumë dhe me frikë nga falimentimi personal. Shumëkush dëgjonte rrëfimet e saj për hallet, por askush nuk qau, askush nuk ra në panik.

Administratori dha propozimet e tij për mundësitë, menaxhimin e aseteve dhe pronave. “Është e vështirë, sepse projektet e nisura nuk merren përsipër nga të tjerët”, thotë Danieli. Në fund, një firmë e arkitektëve mori rolin e drejtuesve të ndërtimit.

Ndërtimi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë

Ata u detyruan të jetojnë “si studentë,” thotë Monika duke qeshur. “Kjo më kujtoi vërtet kohën kur fillova karrierën time.” Ndërsa tani në këtë moshë, ajo dhe burri i saj u vendosën në një apartament në bodrum, me 60 metra katrorë, përballë ndërtesës së re. “Ndonjëherë qeshnim kur gërmonim nëpër kutitë e mbetura”. Humori i ndihmoi ata gjatë kësaj kohe.

Ndërkohë ndërtimi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë. Çmimet e ndërtimit po rriten. Ndërtimet kërkojnë investime të tjera. Monika punon si zëdhënëse për shtyp. Bashkëshorti është në pension, ndërsa më parë ka qenë gazetar në një gazetë të përditshme. Paratë po shpenzohen, ndaj Monika Daniel thotë: “Duhet të shtrëngonim rripat”. “Unë kam qenë kaq kursyese gjatë gjithë jetës sime, por nuk kam pritur se do të gjendemi në një situatë të tillë.”

A do ta bënte sërish?

Ndërtimi i banesës së re ka kushtuar gjithsej rreth 100.000 Euro më shumë. Ka pasur edhe shpenzime të tjera, qira dhe shpenzime për avokatin. A do ta bënte sërish të njëjtën? Ajo nuk ka ndonjë përgjigje të saktë. Por më nuk do ta shiste kurrë pronën e saj për të blerë ndonjë pronë të re.

Ëndrra bëhet realitet

Por në një ditë me diell në gusht 2021, familja Daniels kalon në apartamentin e ri. Monika Daniels ishte në punë kur e morën lajmin. I shoqi vendosi shtratin në apartamentin e ri dhe e surprizoi. Në mbrëmje mund të shikoni perëndimin e diellit mbi malet Taunus nga tarraca juaj. Por ajo që ka kaluar me burrin ishte një peripeci shumë e madhe. Megjithatë tërë kohën janë përpjekur t’i japin zemër njëri-tjetrit. Monika pranoi intervistën me DW sepse donte të inkurajonte njerëzit në Gjermani, që janë të prekur nga falimentimet e kompanive të ndërtimit.

Në fund, makthi u kthye në një ëndërr të bukur: “Tani kemi një apartament të mrekullueshëm dhe kjo ëndërr u bë realitet”./DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0