Top 5 sipërmarrësit më të suksesshëm të intervistuar nga Businessmag gjatë 2021 - Business Magazine Albania

Top 5 sipërmarrësit më të suksesshëm të intervistuar nga Businessmag gjatë 2021

sipërmarrësit më të suksesshëm

Si çdo vit ne sjellim pranë lexuesve tanë qindra personazhe, vendas dhe të huaj, të cilët ndajnë me ne dhe lexuesit tanë sfidat, problemet, sukseset, motivimin dhe strategjitë e tyre për të arritur aty ku janë sot me sipërmarrjet e tyre. Pikërisht në këtë artikull ne ju sjellim top 5 sipërmarrësit e intervistuar nga BusinessMag të përzgjedhur nga qindra që ju mund t’i lexoni në faqen tonë. Këta sipërmarrës duket se kanë të përbashkët aftësinë për të frymëzuar, apo për të shërbyer si model në biznes.

Arben Tufina, historia e një prej sipërmarrësve të parë në vend me ardhjen e demokracisë

Nëse nuk do të ishte artist, Arben Tufina mund të mos ishte as sipërmarrës. Në fakt, burimi i sipërmarrjes së tij lind nga të qenurit me profesion piktor dhe orëndreqës, si profesion i trashëguar me shekuj në familjen e tij TUFINA, siç ai tregon. Por, gjatë një përshkrimi të nisjes, transformimit dhe zhvillimit të sipërmarrjes, shtyllë mbështetëse e aktivitetit duket edhe shpirti i tij sfidues, ambicja dhe largpamësia.

Mimoza Vojka Emanuels, sipërmarrësja që rriti vertikalisht prodhimin në kulmin e pandemisë, për kompaninë e saj dhe 7 kompani të tjera

Fleksibiliteti që karakterizon sipërmarrjen e saj, për t’iu përgjigjur tregut dhe marrëdhënia solide me klientët e huaj, i mundësoi Mimoza Vojkës, të realizojë kontrata të reja pune për kompaninë e saj dhe 7 kompani të tjera në prodhimin e tekstileve në kulmin e pandemisë. Një ditë pasi u shpall pandemia dhe u vendos mbyllja e shumë aktiviteteve, sipërmarrja e veshjeve sportive SAM nisi të prodhojë maska për punonjësit e saj. Por, këto maska mund t’u vlenin edhe klientëve, ndaj znj.Vojka dërgoi modelet e para tek klientët.

Silvana Kulla duhet të marrë avionin për të mbërritur në zyrë

Shumë prej nesh shkojmë në punë me makinë personale, me autobus, biçikletë, apo edhe në këmbë. Silvana shkon në punë me avion. Po, e lexuat mirë! Madje, themi vjen, pasi zyra e saj ndodhet në Tiranë, ndërsa ajo vetë, jeton me familjen në Itali. Nënë e dy fëmijëve, udhëton pothuajse çdo dy javë për të ndjekur ecurinë e kompanisë së saj në Shqipëri, për t’u takuar me stafin, klientët e partnerët e biznesit.

Silvana është një vajzë tiranase, që përfundoi studimet në gjimnazin “Partizani” në kohën më të vështirë të tranzicionit, pikërisht në vitet 1990- 1994, ku vetëm kohë për studim nuk mund të quhej. Ishte një kohë mes kryengritjeve studentore dhe përpjekjeve për të rrëzuar pushtetin e asaj kohe. Ajo kujton kohën e gjimnazit si kohën më të vështirë për studim, por dhe kohë vendimtare për jetën e saj. Silvana është një shpirt i lirë dhe që në atë kohë e njihte kuptimin e vërtetë të të qenurit ‘të lirë dhe ëndërrimtarë’. E apasionuar dhe e dashuruar me jetën, ajo nuk lejonte njeri të vendoste për mendimet dhe për vizionet e saj. Për këtë arsye, ishte e para në organizimet e ngritjeve studentore të gjimnazeve të Tiranës, por Shqipëria në atë kohë, nuk mund t’i jepte asgjë nga ato çfarë ëndërronte për jetën e saj. Plotësisht e vetëdijshme që nuk do arrinte të bënte diçka po të qëndronte në Tiranë, vajza me shpirtin e pandalshëm, emigroi në Australi, ku vazhdoi studimet e gjuhës dhe studimet e larta. Gjatë bisedës me të, sheh se si Silvana flet me aq pasion për atë vend, gjen fjalët më pozitive dhe energjike për të përshkruar vitet që kaloi në Australi, ato vite diellore, ku ka kuptuar që dielli ka qenë dhe do mbetej gjithnjë energjia primare e jetës së saj. Studimet e nisura, i vazhdoi më tej në Itali, në fushën e informatikës.

Të krijosh një “Brand” mund të jetë faktori kyç për suksesin e biznesit tuaj. Arbër Çepani “tregon “magjinë” pas “Komitetit”

Shpesh herë na është rrahur veshi me fjalën “Brand” në bizneset e përditshmërisë dhe rëndësisë që ata i kushtojnë. Në nënvetëdije pyesim veten se ka të bëjë me reklamimin, ka të bëjë me markën, por duhet kuptuar se “Brandimi” është i tëri një proces më vete dhe që sipas studimeve ndërkombëtare është faktor kyç për t’i sjellë sukses të garantuar biznesit tuaj.

Një nga “brandet” që në Shqipëri padyshim tërheq vëmendje dhe ka arritur të krijojë reputacionin e saj në treg është Kafe-Muzeumi “Komiteti”. Themeluesi i saj Arbër Çepani, që në krijim e ka kuptuar magjinë e krijimit të një marke të diferencuar në treg dhe për këtë arsye biznesi i tij është i përhapur në shumë vende të Shqipërisë, që reflekton qartë fazën e suksesit që ka arritur.

Si e zhvilloi rrjetin më të madh francise në Shqipëri dhe Rajonin e Ballkanit

Rezart Lahi, Doktor shkencash në Politikë është tashmë sipërmarrësi që ka sfiduar veten duke realizuar ëndrrën e INFINITi në formën franchise.

Në intervistën për businessmag.al ai sjell rrugëtimin, sfidat dhe mësimet nga bota e biznesit

“Besoj fort që Sistemi Franchise është e ardhmja në Shqipëri, siç ka qenë për dekada me radhë në SHBA dhe më pas në vende të tjera të botës. Koncepti ‘franchise’ është një domosdoshmëri që duhet integruar në kurrikula arsimore që në shkollë të mesme në një lëndë dedikuar sipërmarrjes, ashtu siç i informojmë adoleshentët edhe mbi kredinë, investimet dhe aplikimet për punë. Sistemi ynë i shkollimit ka treguar që është i prirur të thellohet në fusha që rezultojnë të panevojshme dhe mënjanon shpeshherë elementë jetikë për të ardhmen e fëmijëve në punë dhe jetë.”

Lexoni: Si të ndalojmë emigracionin?! Investimi në arsim, zgjidhja më e mirë, sipas sipërmarrësit Sokol Kraja

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0