Të pakënaqur nga operatorët turistikë? Ja si iu dëmshpërblen rregullorja e re


Qeveria miratoi rregulloren e re për funksionimin e operatorëve turistikë, ku kriter kryesor për liçensim do të jetë detyrimi për të kompensuar pasagjerët në rast se kompania falimenton.

Në rregulloren e hartuar nga Ministria e Ekonomisë, tashmë do të jetë detyrim lidhja e kontratës mes operatorëve turistikë dhe pasagjerëve, ose siç do të njihet ndryshe kontrata e paketës së udhëtimit. Nëpërmjet kësaj kontrate operatori turistik është i detyruar të garantojë pasagjerët se në rast falimentimi, do t’i rimbursojë plotësisht ata për vlerën e paketës turistike që kanë paguar.

Rregullorja e re përcakton se në rast se operatori turistik falimenton gjatë zbatimit të kontratës me pasagjerët, përveç detyrimit për rimbursimin e vlerës të paguar, duhet t’a kthejë pasagjerin në destinacionin e nisjes. “Çdo paketë udhëtimi e përgatitur nga operatori turistik që shitet te klienti, shoqërohet me kontratën e lidhur mes klientit dhe operatorit turistik. Operatori turistik detyrohet të garantojë klientin se në rast falimentimi pas lidhjes të kontratës, do të rimbursohet plotësisht për vlerën e paguar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Ndër të tjera, rregullorja parashikon edhe standarde të reja për funksionimin e veprimtarisë së operatorëve turistikë. Tashmë do të jetë e detyrueshme që këto agjenci të kenë të punësuar një drejtues teknik dhe një përfaqësues ligjor, të cilët do të jenë përgjegjës për zbatimin e kritereve dhe standardeve të rregullores së re.

Përveç kësaj, operatori turistik është i detyruar që gjatë zbatimit të një pakete udhëtimi dhe eskursioni për më shumë se 10 persona, duhet të ketë të paktën një shoqërues udhëtimi dhe një udhërrëfyes të çertifikuar. Detyrim në veprimtarinë e operatorëve turistikë do të jenë edhe zbatimi i kritereve për ambientet e punës. Një operator turistik nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e tij në një ambient me sipërfaqe më të vogël se 16 metra katrorë. Kriteret e reja do të zbatohen edhe nga agjensitë e udhëtimit, të cilat do të kenë detyrim kontratën me pasagjerët.

 

burimi: acp.al

Must watch
Business Mag Nr. #24 - Tetor 2020

Numri 24 i revistës Businessmag.al sjell një panoramë të zhvillimeve, përshtatjeve dhe ecurisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, shohim zhvillime relativisht të kënaqshme.  Organizime të reja si Dhoma Ekonomike e Gruas, duket si një shpresë për më shumë zë, lobim dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrjet e reja.

Gjatë kësaj periudhe angazhime si programi “Ringrihu më i fortë”, ishin një lloj kundërpërgjigje ndaj dëmeve ekonomike që po shkakton pandemia.

Influencerat vijojnë të rrisin hapësirat e tyre dhe janë bërë një instrument i rëndësishëm marketimi. Në brendësi të revistës do të gjeni renditjen e top 100 influencerave më të mëdhenj në vend.

Gjatë kësaj vere ndërkohë, vetë Businessmag pati një fushatë të suksesshme të promovimit të turizmit shqiptar. Qindra të rinj u angazhuan të dërgojnë foto dhe përshkrimet e vendeve të ndryshme të Shqipërisë.

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale