Startups.al, një nismë për Komunitetin nga Komuniteti

Startups.al, një nismë për Komunitetin nga Komuniteti


Albi Zhulali është një sipërmarrës, i cili e nisi karrierën e tij në industrinë e internetit në moshën 15 vjeçare. Shumë shpejt ai krioi një forum ndërkombëtar që vizitohej nga qindra mijëra ndjekës nga e gjithë bota.

Në moshën 17 vjeçare, Albi themeloi kompaninë e tij të parë për zhvillim faqesh interneti me klientë disa nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Ai ështe themelues i Pinguin Technology dhe i Startups.al.

Sfida e tij e madhe e momentit, është sipërmarrja e tij më e re, e cila mban emrin Sofmogul.

Startups.al po lidh kontratë me një kompani investimesh në Berlin.

Kjo marrëveshje ka në thelb mundësinë e identifikimit të startup-eve shqiptare me shanse zhvillimi përtej kufijve të Shqipërisë dhe ofrimit të investimeve për t’i çuar ato më tej si biznese në tregun ndërkombëtar.

Çfarë është Startups.al?

Në Shqipëri çdo ditë e më shumë, po rritet fryma e sipërmarrjes nga të rinjtë, kjo falë shumë eventeve të mirë organizuara. Kam patur fatin të marr pjesë në shumicën prej tyre dhe janë vërtet vende ku mund të mësosh shumë dhe të krijosh lidhje të reja për të të ndihmuar në sipërmarrjen tënde. Gjithashtu, organizohen dhe evente ku nxisin nisjen e një startup-i në 3 ditë. Në këto evente lindin shumë ide dhe startup-e të reja po për të cilat, shumë pak njerëz i kanë dëgjuar. Kështu lindi edhe Startups.al.

Startups.al është komuniteti i parë online i Startup-eve në Shqipëri. Ne duam të nxisim çdo startup në cilëndo fazë të zhvillimit që mund të jetë, të listohet tek ne. Në këtë mënyrë të gjithë do të jemi të mirë informuar se çfarë ndodh në këtë komunitet, i cili rritet kaq shpejt. Këtu kemi mundësinë të zbulojmë startup-e të reja të cilat akoma nuk kanë arritur majat e suksesit që t’i njohin të gjithë. Dhe pse lindi, me një ide kaq të thjeshtë “Databaza e startup-eve në Shqipëri” tashmë Startups.al po shikon dhe fusha të tjera zhvillimi. Ne synojmë të bëhemi një komunitet online, ku të rinjtë të cilët ia kanë dalë të bëjnë sipërmarrjen e tyre të sukseshme, të ndihmojnë të rinjtë e tjerë për të arritur sukses më shpejt duke mënjanuar gabimet që ato kanë bërë.

Çfarë zgjidhje ofron Startups.al dhe kujt i shërben?

Startups.al është një komunitet , i cili i shërben çdo personi që dëshiron të angazhohet në botën e startup-eve. Nuk ka rëndësi nëse është themelues apo një i ri i cili dëshiron që kohën e tij ta ndajë me një kompani të re.

Është një vend ku i jep mundësi çdo startup-i, të ketë një prezencë në një komunitet, të njihet me startup-e të tjera, të mësojë nga ato që kanë arritur sukses si dhe të gjejë talente të reja për t’i bashkuar në nismën e tij. Unë besoj të gjithë ata të rinj që kërkojnë të zhvillojnë ide të reja inovatore në Startups.al do të gjejnë të gjitha burimet për të arritur qëllimin e tyre.

Si e shikoni komunitetin e startup-eve në Shqipëri? Sipas jush a ka zhvillim? Çfarë mund të presim nga ky zhvillim?

5 vjet me parë, fjala startup nuk njihej në Shqipëri, ndërsa sot e dëgjojmë të flitet në çdo vend. Sigurisht që ka zhvillim, madje një zhvillim shumë të shpejtë. Unë përfytyroj një botë perfekte ku zgjidhja e çdo problemi vjen nga një startup. Nuk ka më justifikime për të rinjtë të cilët nuk gjejnë dot punë në një kompani të madhe, mjafton të kërkojnë për një problem dhe të krijojnë një zgjidhje për të. Nuk janë të pakta rastet ku startup-e të reja kanë shkatërruar kompani të mëdha dhe këtë gjë e shoh të ndodhë dhe në Shqipëri shumë shpejt.

Startups.al “erdhi në jetë” në Tetor 2015. Ku e shikoni atë në Tetor 2016? A do të ndryshojë botën?

Kemi filluar komunikimet me disa firma investimesh në Europë për të bashkëpunuar me ne. Startups.al, e shohim si një urë lidhëse mes startup-eve inovatore në Shqipëri me investitorët e huaj për të bërë të mundur zhvillimin e tyre përtej kufijve. Ne jemi një nismë për komunitetin nga komuniteti. Startups.al nuk do të kishte sukses nëse nuk do të bashkëpunonte me të gjithë dhe të gjithë të bashkëpunonin me të. Startups.al nuk do të ndryshojë botën por startup-et e komunitetit tonë do të ndryshojnë Shqipërinë, pse jo edhe botën.

Këshila jote për startup-et e reja.

Ekziston një koncept i gabuar në shoqërinë tonë që nuk duhet ta ndash idenë tënde me të tjerët sepse ta marrin. Këshilla që kam për sipërmarrësit e rinj, është ta fshijnë këtë koncept nga mendimet e tyre; idenë e tyre duhet ta komunikojnë me sa më shumë njerëz. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptojnë nëse zgjidhja e tyre është e nevojshme për përdoruesit.

Intervista u mor nga faqa 11, nr. 7 i periodikes Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0