Shqiptari Gëzim Gashi me pasion dhe punë hap një shkollë arti në Amerikë - Business Magazine Albania

Shqiptari Gëzim Gashi me pasion dhe punë hap një shkollë arti në Amerikë


Gëzim Gashi është emri i shqiptarit më të njohur në Suedi, i cili ka hapur “Institutin e ri të Arteve dhe Inovacionit (IAI)” në Los Angeles, SHBA. Ai ka lindur në Prishtinë dhe është shpërngulur në Suedi kur ishte vetëm 1 vjeç me familjen e tij. Ai na thotë në një intervistë për BusinessMag se gjithmonë e ka ditur se do të bëhej një sipërmarrës, sepse që në moshë të re ka patur ndikim tek brezi i ri.

Kur ishte vetëm 16 vjeç filloi të bënte marketing për YouTube, ku kishte mbi 50 milionë shikime dhe merrte një pagë mujore për dy vjet derisa filloi të punonte si marketer në telefon. Gjithashtu, bëri një shfaqje bamirësie në Suedi kur ishte vetëm 19 vjeç dhe një shfaqje bamirësie për fëmijët jetimë në Kosovë.

Kur mbushi 21 vjeç ai u zhvendos në SHBA ku dhe studioi për menaxhim biznesi në Kolegjin Santa Monica. Ai filloi të shkonte në evente të ndryshme në Los Angeles dhe krijoi shumë lidhje të reja në vende, ku kishte sipërmarrës dhe persona që merreshin me biznes.

Unë kurrë nuk kam frikë të bëj pyetje dhe gjithmonë kam besuar në vizionet dhe ëndrrat e mia dhe kam qenë jashtëzakonisht i motivuar dhe i apasionuar për çdo gjë që kam vendosur të bëj. Suksesi im më i madh ka qenë që gjithmonë i kam parë mundësitë shumë shpejt dhe kam ndjekur instiktin tim! Gjithmonë rrezikoj. Nëse doni të jeni të suksesshëm, duhet të merrni rrezikun përsipër dhe të keni një plan të mirë të asaj që dëshironi të arrini e kurrë të mos hiqni dorë!” shprehet Gëzim Gashi për BusinessMag.

E ndërsa na flet për vështirësitë e rrugëtimit të tij të suksesit ai thotë se problemi më i madh ka qenë se nuk është nga Suedia dhe SHBA. “Si refugjatë, ne gjithmonë duhet të punojmë më shumë se gjithë të tjerët, por kjo kurrë nuk më ka ndaluar, gjithmonë e kam ditur se duhet të ëndërroja më shumë dhe të punoja më fort se të tjerët,” thotë ai.

Kur Gëzimi punonte si një marketer në telefon në Suedi, shefi i tij i tha që ta ndryshonte emrin nga “Gëzim” në Adam, një emër suedez. Për arsyen e vetme që të mund të shiste më shumë. “Ne si refugjatë duhet të kalojmë shumë kohë të vështira për të fituar qoftë edhe një mundësi të vetme për të bërë atë që kemi ëndërruar, por e dija që dëshiroja të kisha një impakt tek brezin e ri. Për ta, unë kurrë nuk u ndala dhe kurrë nuk do të ndalem,” shprehet Gëzimi.

Ai na tregon se vitet e fundit ka zhvilluar markën për shkolla dhe kompani në Suedi dhe në Europë. Ka punuar gjithashtu me Disney Channel UK. Ai bëri pitch para tyre për një reality show në lidhje me një shkollë muzikore në Suedi dhe ata pranuan që të zhvillonin 2 sezone të reality show. Atje Gëzimi ishte producent i shfaqjes. Ka punuar gjithashtu me Quincy Jones lll dhe suksesi i punës së tij u njoh gjithashtu nga Forbes dhe Huffington Post.

“Kam takuar Jim dhe Mary Kay Altizer në vitin 2015, të cilët punojnë në Oaks Christian School në LA, që kur shkolla lindi në vitin 2001. Ne filluam të ndanim idetë dhe e dinim se donim të zhvillonim dhe të nisnim një institut së bashku! U deshën 4 VJET për të zhvilluar dhe nisur shkollën e re në LA! Fillimi ka qenë shumë i vështirë, por gjithnjë kemi besuar se mund ta realizonim së bashku dhe dëshironim të bënim diçka ndryshe, sepse duam të qëndrojmë të përditësuar në industrinë e vërtetë të muzikës dhe argëtimit dhe të qënit në Los Anxhelos është vendimi më i mirë për Institutin!” shprehet Gëzimi.

Kompania e tij “By Gezim Gashi” në partneritet me Oaks Christian School themeluan Institutin e ri të Arteve dhe Inovacionit (IAI), i cili hapet në Gusht të vitit 2019.

Shkolla përmban degë studimi si songwriting, music production, film, marketing, menaxhim, markë, art vizual, teatër, vetëm për studentë të shkollave të mesme. Pranohen studentë nga SHBA dhe çdo vend i botës. Mund të aplikojnë të gjithë personat, të cilët do të testohen në fillim dhe nëse marrin pikë mjaftueshëm do të pranohen, gjithashtu do të ofrohen dhe bursa studimi.

Por, çfarë ofrohet ndryshe nga shkollat e tjera të artit? Gëzimi thotë, “Ne jemi duke punuar shumë ngushtë me industrinë e argëtimit me shkollën tonë. Do të kemi masterklasa dhe klasa nga profesionistë të vërtetë nga industria. Studentët do të marrin mundësi më shumë se në çdo shkollë tjetër në botë, sepse Instituti i Arteve dhe Inovacionit është në zemër të botës argëtuese, Los Angeles.”

Gëzimi thotë se të drejtosh një shkollë arti kërkon shumë punë. Ata janë mbi 50 persona në ekip dhe të gjithë kanë eksperiencën e duhur për pozicionet e tyre. Ai gjithashtu shprehet se është shumë i lumtur për ekipin që ka në SHBA.

Në planet e tij të së ardhmes përfshihet shtrirja në të gjithë Amerikën. Këtë vit ai do të zhvillojë masterklasa muzike në Kosovë. Gjithashtu, do të hapë një shkollë muzike në Shqipëri dhe Kosovë dhe aktualisht po punon për këtë. Ai thotë se talentet më të mira në botë për momentin janë shqiptarë, që përfshijnë Dua Lipën, Rita Orën, Bebe Rexha, Ave Max, etj.

Në lidhje me të ardhmen e tij si sipërmarrës ai shprehet, “Unë jam shumë i zënë dhe kam kaq shumë gjëra për të bërë. Nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveç kësaj!”

“Unë dua që të gjithë ata që kanë një ëndërr, të punojnë për ta realizuar atë, të jenë të motivuar, të jenë të sjellshëm me të tjerët. Njerëzit harbutë nuk i do askush. Jini të fokusuar dhe mos prisni që mundësitë t’ju vijnë vetë. Krijojini ato. Ndërmerrni rrezikun dhe gjithmonë punoni më shumë se të gjithë të tjerët. Nëse nuk punoni të Dielën, dikush tjetër do ta bëjë dhe ata do të marrin vendin tuaj!”, mbyll intervistën Gëzimi, duke dhënë një mesazh për gjithë të rinjtë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0