Shqipëria rikthehet në ITB Berlin 2026, rritja turistike nën hijen e sfidave të mëdha - Business Magazine Albania

Shqipëria rikthehet në ITB Berlin 2026, rritja turistike nën hijen e sfidave të mëdha

Shqipëria rikthehet sot ( nga 3 deri më 5 mars,) në ITB Berlin duke prezantuar veten si destinacion autentik mesdhetar, pas vitit 2025, kur pritshmëritë për zhvillimin turistik ishin të larta. Në stendën përfaqësuese të Shqipërisë do të qendrojnë rreth 30 turoperatorë dhe disa bashki shqiptare

Me një territor të vogël, por jashtëzakonisht të larmishëm, Shqipëria synon të pozicionohet në segmentin e turizmit të qëndrueshëm: Alpet Shqiptare për aventurë dhe turizëm malor, riviera për turizëm bregdetar, qytetet historike për kulturë, dhe fshatrat për agroturizëm dhe gastronomi autentike. ITB Berlin 2026 e vendos theksin pikërisht tek këto forma turizmi, larg modelit të masës dhe turizmit industrial.

Megjithatë, pas “bumit” të turizmit në vitet e fundit, realiteti në terren është më kompleks. Sipas INSTAT, hyrjet e të huajve kaluan 12 milionë në 2025, ndërsa të ardhurat nga qiratë e përkohshme të shtëpive arritën mbi 130 milionë euro sipas AirDNA. Por kjo rritje e shpejtë ka krijuar sfida serioze: informalitet në tregun e qirave, mungesë strehimi të përballueshëm për banorët lokalë, presion mbi infrastrukturën, rritje çmimesh dhe rrezil për degradim të zonave natyrore. Aktivitetet zinxhir në tregti, hoteleri, bare dhe restorante nuk kanë arritur të shpërndahen në mënyrë të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah mungesën e planifikimit strategjik dhe mbrojtjes ligjore të resurseve turistike.

Lexo edhe: Flora Sali: Mjalti i Bedunicës, një specialitet shqiptar, por me sfida për eksport

ITB Berlin 2026 ofron mundësi për partneritete dhe promovim, por nuk fsheh faktin se turizmi shqiptar  ka ende hapa për tu konsideruar i qendrueshëm. Pa një planifikim strategjik, mbrojtje ligjore dhe zhvillim të infrastrukturës, rritja e shpejtë mund të shndërrohet në një problem afatgjatë: kapacitete të pamjatueshme, mungesë fuqie punëtore, presion mbi mjedisin etj. Rikthimi në Berlin nuk është vetëm një promovim; ai duhet të shërbejë si alarm për politikat publike: si të menaxhohet rritja turistike pa dëmtuar natyrën, kulturën dhe komunitetet lokale. BusinessMag

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0